/ Jeta Shpirtërore / 10 porositë e Perëndisë

10 porositë e Perëndisë

10 porositë e Perëndisë

 

Në botën e mrekullueshme që na rrethon, në botën ujore, bimore, shtazore dhe njerëzore, ka një plan të urtë, ku të gjitha lëvizin në mënyrë harmonike, në përputhje me ligjet e natyrës, që ka caktuar Perëndia. 

    E mendoni vallë se çfarë do të ndodhte nëse disa nga këto ligje do të reshtnin së ekzistuari? P.sh. çfarë do të ndodhte nëse ligji i gravitacionit nuk do të funksiononte më? Njerëzit nuk do të mund të ecnin, as të punonin dhe madje as të merrnin frymë, sepse atmosfera do të shpërndahej tej në hapësirat qiellore. Jeta në planetin tonë do të ishte e pamundur. Edhe sikur ai të mos funksiononte vetëm për disa minuta (disa mendojnë se ky ligj na pengon të fluturojmë!!!), do të shkonim me siguri drejt një katastrofe. 

    Harmonia që shikojmë në qiell, bukuria, jeta që mbretëron në botën bimore dhe atë shtazore bazohet pikërisht në faktin se të gjitha lëvizin dhe zhvillohen duke iu bindur ligjeve që ka vendosur Krijuesi.

    Përveç ligjeve të natyrës, Perëndia caktoi për krijesat e Tij të lira, njerëzit, edhe disa ligje të tjera, ligjet morale. Edhe këto janë ligje, që nuk na japin thjesht disa udhëzime apo këshilla. 

    Nga ruajtja e tyre varet e gjithë jeta e njeriut. Moszbatimi i tyre e çon njeriun drejt një katastrofe të tmerrshme. Nga çasti i parë që Perëndia e krijoi njeriun, shkroi thellë këto ligje në ndërgjegjen e tij. Por meqë djalli i turbulloi njeriut mendjen dhe zemrën, shpesh Perëndia ua theksonte këtë njerëzve brez pas brezi. Ai ia dha kodin e ligjit hyjnor një kombi, kombit të Izraelit, që e përzgjodhi për një plan të madh, për t’ia transmetuar në vazhdim të gjithë njerëzimit.

    Kështu Perëndia caktoi Ligjin e Tij të jetës morale dhe fetare për njeriun.

 

Dhjetë porositë dhe shpjegimi i tyre

  1. Unë jam Zoti, Perëndia yt… nuk do kesh perëndi të tjera përveç meje.
  2. Mos bëj për veten tënde idhull, as ndonjë shëmbëllesë tjetër nga ato që janë mbi qiell sipër dhe në tokë poshtë, dhe sa janë në ujë nën dhé. Nuk do t’u falesh atyre, as do t’u lutesh, sepse unë jam Zoti, Perëndia yt…
  3. Mos e përmend kot emrin e Zotit, Perëndisë tënd…
  4. Kujto ditën e Sabatit që ta shenjtërosh atë. Gjashtë ditë do të punosh edhe do të bësh të gjitha punët e tua. Po e shtata ditë është sabatë në Zotin, Perëndinë tënd. Në atë ditë nuk do të bësh asnjë lloj pune…
  5. Ndero babanë dhe nënën tënde, që të të bëhet mirë dhe të jesh jetëgjatë mbi dhenë, që të jep Zoti, Perëndia yt.
  6. Mos kurvëro.
  7. Mos vidh.
  8. Mos vrit.
  9. Mos jep dëshmi të rreme kundër të afërmit tënd.
  10. Nuk do të dëshirosh… asgjë që është e të afërmit tënd.
     
  • Urdhërimi i parë dhe i dytë caktojnë adhurimin e një Perëndie të vetëm dhe të vërtetë. I mbrojnë njerëzit nga humbja e tyre në idhujtari dhe në ateizëm.
  • Urdhërimi i tretë nënvizon shenjtërinë e emrit të Perëndisë, shenjtërinë e betimit dhe i detyron njerëzit të jenë të drejtë dhe besnikë në premtimet që bëjnë.
  • Urdhërimi i katërt vendos pushimin e Sabatit dhe përkushtimin e një dite për Perëndinë. Për të krishterët ditë pushimi u bë dita e Diel, gjatë së cilës u ngjall Zoti Jisu Krisht. Sa shumë e dobishme që është kjo porosi për njeriun! Ai del për pak nga ankthi i përpjekjes për të siguruar jetën dhe fuqitë e tij shpirtërore e trupore ripërtërihen.
  • Urdhërimi i pestë thekson autoritetin e prindërve, cakton respektin dhe nderimin ndaj tyre. Është themeli i jetës familjare.
  • Urdhërimi i gjashtë mbron jetën morale të njeriut nga vrullet e pakontrolluara të instinkteve të tij. Ata popuj që i injoruan ato, shkuan drejt shthurjes dhe zhdukjes së tyre.
  • Urdhërimi i tetë siguron jetën njerëzore. Nuk e lë në dëshirën e njërit apo të tjetrit.
  • Urdhërimi i shtatë dhe i dhjetëmbrojnë pronësinë e ligjshme dhe i vë fre grykësisë njerëzore.
  • Urdhërimi i nëntë siguron mundësinë e mbarëvajtjes së njerëzve midis tyre, besimin reciprok, bashkëpunimin e mirë, mbi të cilat mbështetet shoqëria.

 

KISHA ORTODOKSE AUTOQEFALE E SHQIPERISE 

 

10 porositë e Perëndisë