/ Jeta Shpirtërore / Komboskini

Komboskini

Komboskini

 

Komboskini është një mjet lutjeje, nuk është diçka si “hajmali”, me veti magjike, që mbahet në dorë, por është gjë e shenjtë e krishtere orthodhokse, me të cilin lutemi.

Ashtu siç kemi shumë gjëra në kishë, edhe ky është një bekim i përgatitur dhe i dhënë nga ndonjë vëlla ose motër më Krishtin, një dëshmi e gjallë e një tradite të gjallë.

Komboskini është një mjet lutjeje për të gjithë besimtarët: si për klerikët, murgjërit ashtu edhe për laikët, pra për çdo shpirt që lutet. Ekziston shumëllojshmëri e madhe formash dhe madhësish komboskinësh.

Komboskinët bëhen në bazë të një tradite që buron nga thellësia e shekujve. Përmendet historia e një murgu që mendoi të bënte nyje në një litar dhe ta përdorë atë në rregullin e përditshëm të lutjes së tij. Mirëpo djalli ia zgjidhte nyjet nga litari dhe i bënte të kota përpjekjet e murgut të varfër. Atëherë iu shfaq një engjëll dhe i mësoi murgut një nyje të veçantë, të përbërë nga kryqe të njëpasnjëshme. Këto nyje djalli nuk mundi ti zgjidhte.

Çdokush mund ta mbajë komboskinin në xhep ose në ndonjë vend tjetër të veçantë, ku mund ta përdorë lehtësisht pa u vënë re, në mënyrë që të jetë i përshtatshëm për t’u lutur në mënyrë të fshehtë, pa tërhequr vëmendjen e të tjerëve. Gjithashtu komboskini mund të vendoset mbi ballin e krevatit tonë, në makinë së bashku me një kryq të vogël ose ikonë ose në vende të përshtatshme si kujtesë për lutje, si një lloj bekimi dhe një prezencë e shenjtë dhe hyjnore në jetën tonë.

Qëllimi kryesor i komboskinit është të na ndihmojë në lutjen tonë drejtuar Perëndisë dhe shenjtorëve të Tij.

Me komboskinin lutemi në dy mënyra:

1. Në çdo orë të lire, pa na parë të tjerët, fshehurazi, mbajmë me dorën e djathtë osë të majtë komboskinin dhe përparojmë nga një nyje në tjetrën me gishtin e madh të dorës dhe themi brenda nesh ose pëshpëritje të lehtë, pa bezdisur të tjerët, lutjen: “O Zot, Jisu Krisht, mëshiromë mua mëkatarin” ose “O Zot, Jisu Krisht, mëshiromë” ose “E Përmbishenjtë Hyjlindëse shpëtona” ose Ό Engjëll i shenjtë ose Ο Shën (….) ndërmjeto për mua”. Duke ndryshuar fjalët e këtyre lutjeve të shkurtra, në “mëshirona” ose “ndërmjeto për ne”, ose duke përfshirë emrin ose emrat e njerëzve për të cilët duam të lutemi – tashmë mund të lutemi edhe për të tjerët. Të njëjtën gjë mund të bëjmë edhe për të fjeturit (vdekurit): “Prehe, ο Zot, shpirtin e shërbëtorit/es tënd (….)”·

2. Në orën e lutjes sonë të rregullt (të “kanonit” që na ngarkoi ati ynë shpirtëror), mbajmë komboskinin me dorën e majtë dhe themi një nga një“lutjen”, duke përparuar me gishtin madh njëkohësisht nga një nyje dhe rrotullojmë komboskinin disa here, aq sa na udhëzoi ati ynë shpirtëror, duke bërë njëkohësisht me dorën e djathtë kryqin për çdo nyje.

* * *

Komboskini na ndihmon të themi një numër të caktuar lutjesh si edhe të përqendrohemi tek fjalët e lutjes kur i shqiptojmë. Ndërsa përqendrohemi, marrim kryqin e komboskinit në dorën tonë të majtë dhe e mbajmë lehtë atë midis gishtit të madh dhe gishtit tregues. Pastaj, duke bërë qetësisht shenjën e kryqit pëshpëritim lutjen e Jisuit. Si të jenë përqendruar mendimet e tona, ndoshta nuk do të nevojitet të vazhdojmë të bëjmë shenjën e kryqit ose që të themi lutjen me zë të lartë. Por kur vështirësohemi në përqendrim, përdorim shenjën e kryqit dhe pëshpëritjen si mjet ndihmës në këtë përqendrim.

Gjatë kësaj lutjeje pozicioni i qëndrimit tonë varet nga vetë personi, shëndeti dhe nga përgatitja e tij shpirtërore:disa mund të rrinë në këmbë, me kokë të ulur në pozicion përulësie, ndoshta disa duan të ngrenë here pas here duart e tyre, duke kërkuar mëshirë, disa të tjerë e ndjejnë më të nevojshme të ulen ose të gjunjëzohen, me kokë të ulur, që të kenë mundësi të përqendrohen. Lëvizjet trupore të metanisë (përkuljes) së vogël ose të madhe mund të ndihmojnë në nxehjen e lutjes dhe të japë shprehje të jashtme në të luturin tonë, kur përulemi përpara Perëndisë. Pra gjëja më e rëndësishme është të përqendrohemi në fjalët e lutjes gjatë përsëritjes.

Komboskini mund të përdoret duke u mbajtur në dorë edhe kur shkojmë në punë ose kur udhëtojmë. Në cilindo moment të ditës që të kujtohemi, le të mbajmë në dorën tonë një komboskin të vogël. Kombinimi i kësaj lëvizjeje me lutjen që bëhen në momente të tjera, do të na ndihmojë të përqendrohemi dhe të lutemi disa herë në vazhdim të ditës, kudo që të jemi dhe çfarëdo që të bëjmë. Ky është një hap i rëndësishëm në përmbushjen e porosisë “lutuni pa pushim”.

Në adhurimin tonë të përbashkët në kishë nuk duhet ta përdorim komboskinin sepse ne duhet të lutemi e të adhurojmë Perëndinë së bashku me të tjerët, me lutjet e Kishës, të drejtuar nga klerikët dhe psaltët.

*   *   *

I dashur lexues! Gjej edhe ti hapësira të tilla kohore gjatë ditës dhe mbushi rregullisht me thesaret e çmuara të lutjes, të cilat asnjë nuk mund të t’i vjedhë dhe që ti po i depoziton për llogarinë tënde në qiell. (shiko Mat6:20).

Leximi i rregullt i Shkrimit të Shenjtë, i jetëve të shenjtorëve dhe i teksteve të tjera shpresëtare e shpirtërore nga njerëz të mëdhenj të lutjes do të të ndihmojnë jashtëzakonisht, sepse përmbajnë këshilla dhe udhëzime të rëndësishme e frymëzuese, që çdo njeri të mësojë e të lutet si i krishterë.

N.q.s. ky komboskin i vogël të ndihmon të thuash një lutje, të të kujtojë të lutesh ose të të ndihmojë me ndonjë mënyrë të bëhesh njeri më lutësor, atëherë e ka përmbushur qëllimin e tij.

 

 

Botuar nga “KOSHERJA ORTODOKSE”

SELANIK

 

Komboskini