/ Predikime-Katekizma- Artikuj / E Diela VIII e Lukait dhe Shën Joan Gojarti

E Diela VIII e Lukait dhe Shën Joan Gojarti

E Diela VIII e Lukait dhe Shën Joan Gojarti

 

Të nderuar besimtarë!
Të dielën VIII të Lukait, Kisha e shenjtë Orthodhokse kujton një nga paravolitë më të rëndësishme në të gjithë Ungjillin.
Çfarë duhet të bëjë për të trashëguar jetën e përjetshme?
Kjo është pyetja më thelbësore për jetën e çdo besimtari: Por, ç’është jeta? A është jeta vetëm 80 ose 90 vjet? A ka jetë pas vdekjes? A ka përjetësi? Të gjitha këto lidhen me një të vërtetë shumë thelbësore nëse Perëndia ekziston me të vërtetë apo jo?! Dhe nëse është kështu që Perëndia ekziston, atëherë duhet t’i bëjmë vetes pyetjen që çfarë duhet të bëjmë që të kemi jetën e përjetshme me të?
Përgjigjen për këtë pyetje e jep vetë Zoti ynë Jisu Krisht – që të meritojmë jetën e përjetshme duhet të duam Perëndinë me të gjithë shpirtin, fuqinë dhe mendjen tonë. Dhe të duam të afërmin tonë si veten. Dashuria për Perëndinë është e pamundur pa dashurinë për të afërmin tonë.
Shën Agustini kësaj Paravolie i jep një shpjegim alegorik. Udhëtari është Adami që përfaqëson të gjithë njerëzimin. Vjedhësit janë satanai me demonët e tij. Samaritani i mirë është Krishti, i cili pranon në trupin e tij çdo njeri, sado mëkatar ose i padenjë qoftë. Bujtina është Kisha. Dhe dy monedhat që i dha të zotit të bujtinës janë dy porositë e mëdha: “Duaje Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë forcën tënde dhe me gjithë mendjen tënde” dhe “të afërmin tënd porsi vetveten”.
Një shpjegim tjetër alegorik thotë se vaji në Paravoli simbolizon misterin e Efqelisë (Bekimi i Vajit), ndërsa vera simbolizon misterin e Kungimit Hyjnor. Të dy këto mistere si edhe të gjitha misteret e tjera të shenjta janë lidhja jonë me Perëndinë nga ku marrim çdo shërim të trupit dhe të shpirtit.
Të dashur vëllezër e motra!
Edhe për një arsye tjetër dita e sotme është e shenjtë, e madhe dhe e ndritshme për të gjithë botën e krishterë si në Lindje ashtu edhe në Perëndim. Data 13 nëntor në kalendarin orthodhoks shënon kremtimin e Shën Joan Gojartit.
Kjo trumbetë e fuqishme e të vërtetave hyjnore, ky yll i ndritshëm nuk është nga ata persona që ndritën për një kohë të shkurtër horizontin e Kishës së krishterë. Përkundrazi, Shën Joan Gojarti është nga ata yjet e mëdhenj që shkëlqejnë pa pushim në qiellin shpirtëror e që lëshojnë një ndriçim të fuqishëm deri në ditët tona.
Që në moshë të re ishte i etur për dije. Kështu pasi mbaron me rezulatate të shkëlqyera shkencën e asaj kohe të filozofisë dhe të retorikës, i shtyrë nga dashuria e madhe që kishte për Krishtin ia përkushton jetën e tij kishës duke u bërë një nga hirarkët më të mëdhenj dhe të ndritshëm të saj.
Për një kohë të shkurtër fama e tij u përhap kudo dhe arriti deri në Konstandinopojë, ku u bë edhe Patriark i saj. I pajisur me një oratori të fuqishme, Shën Joani kritikonte plagët dhe luftonte veset e liga të shoqërisë së kohës së vet, sidomos të aristokracisë. Kjo shkaktoi urrejtjen e tyre dhe duke pasur edhe përkrahjen e oborrit, u vërsulën kundër shenjtorit dhe e internuan larg, ku edhe ndërroi jetë nga vuajtjet e mëdha në udhëtim e sipër. Këtë fund pati ky shenjtor i madh duke u persekutuar dhe duke u përndjekur nga të tijtë.
Por, përse i japim kaq vlera të mëdha këtij shenjti?
Shën Joan Gojarti është një nga oratorët më të fuqishëm dhe predikuesit më të mëdhenj të Kishës së krishterë. Ka shkruar mbi 450 Ligjërata, të cilat ushtronin një ndikim të madh tek dëgjuesit dhe sillnin një dobi të pakufishme. Menjëherë sapo shkruheshin shpëndaheshin me një shpejtësi të madhe në të katër anët e perandorisë dhe lexoheshin me një dëshirë dhe përkushtim të madh nga besimtarët. Fuqia e fjalës së tij, zotësia psikologjike dhe figurat oratorike i elektrizonte turmat e besimtarëve dhe me të drejtë të gjithë filluan ta quanin “Gojartë”.
Shën Joan Gojarti përbën edhe sot për të gjithë të krishterët në mbarë botën shembullin më të ndritshëm të një udhëheqësi shpirtëror dhe të një hierarku të lartë. Ai është një nga barinjtë më të fuqishëm të kishës dhe nga teologët më të mëdhenj të saj. Kurrë nuk e ndau teologjinë teorike nga ajo praktike.
Liturgjia Hyjnore që kryejmë çdo të diel dhe çdo të kremte shenjtori, ku ne të gjithë kungohemi me trupin e pacënuar dhe gjakun e çmuar të Zotit, Perëndisë dhe Shpëtimtarit tonë Jisu Krisht, është e hartuar pikërisht nga ky atë i madh dhe i shenjtë i Kishës sonë.
Shën Joan Gojartin e tërëlumur shumë etër të kishës e quajnë: “enë e re e zgjedhur”, “mësues i madh e Ekumenit”, “mësues i Kishës”, “Joan Theologu i ri”, “bari dhe ndriçues i Kishës”, “njeri i vërtetë i Perëndisë dhe predikues i qashtër i pendimit”, “mësues i mësuesve” dhe shumë tituj të tjerë.
Me ndërmjetimet e Shën Joan Gojartit, o Krisht Perëndi, mëshirona dhe shpëtona. Amin.

 

Përgatiti: + Atë Spiro Kostoli

 

 

 

E Diela VIII e Lukait dhe Shën Joan Gojarti