/ Predikime-Katekizma- Artikuj / DIELA XV LLUKAIT

DIELA XV LLUKAIT

DIELA XV LLUKAIT

 

 

Ungjilli sipas Llukait 9:1-10

“Sepse Biri i njeriut erdhi të kërkojë e të shpëtojë atë që kishte humbur” (Llk.9:10)!

Të nderuar besimtarë: në këtë frazë të shkëputur nga pjesa e Ungjillit të sotëm përmblidhet e gjithë esenca e jetës, e veprës dhe e sakrificës së Zotit tonë Jisu Krisht. Kjo frazë na tregon qartë se Perëndia është i gatshëm, madje është Ai, që merr iniciativën të shpëtojë gjithsecilin prej nesh.

Po ne njerëzit a jemi të gatshëm dhe dëshirojmë me të vërtetë ta takojmë Zotin Krisht?! Historia e Ungjillit të sotëm përbën një ndihmës shumë të rëndësishëm për të gjithë ata që duan ta takojnë Zotin me të vërtetë. Le ta dëgjojmë përsëri shkurtimisht historinë.

Kur Jisui po kalonte nëpër Jeriko dhe po kalonte në rrugët e qytetit, një njeri i quajtur Zake, kryetar i tagrambledhësve, kishte dëgjuar shumë për Krishtin, prandaj donte ta shihte se kush ishte ky njeri, por ai ishte i shkurtër nga shtati dhe kur Jisui po kalonte andej, ai hipi mbi një pemë. Por Jisui kur kaloi aty, ndaloi pranë tij dhe i tha: “Zake, zbrit shpejt poshtë, sepse sot duhet të rri në shtëpinë tënde” (vr. 5). Zakeu u gëzua shumë dhe bëri një pritje madhështore në shtëpinë e tij, por njerëzit e tjerë që e dinin mirë se kush ishte Zakeu, murmuritën duke thënë: “Ai shkoi të rrijë në shtëpinë e një njeriu mëkatar” (vr.7). Por mëkatari Zake u çua dhe i tha Zotit: “Zot, unë po u jap të varfërve gjysmën e pasurisë dhe, po të kem marrë ndonjë gjë nga ndonjëri me mashtrim, do t’ia kthej katërfish” (vr.8). Dhe Jisui tha: “Sot në këtë shtëpi ka hyrë shpëtimi…” (vr.9).

Kush ishte Zakeu?

Kryetar i tagrambledhësve, kryehajdut, kryemashtrues, që rripte popullin duke i vendosur taksa shumë të rënda, një pjesë të të cilave i mbante për vete. Ishte shumë i pasur (vr.2), por nuk ishte i lumtur; nuk i mungonte asgjë, e megjithatë kërkonte diçka që nuk e kishte. Ai kërkonte Zotin.

Dhe që ta takonte Zotin ai rrezikoi shumë. Shkoi në mes të turmës, që e urrente dhe e konsideronte armik. Dikush edhe mund ta sulmonte e ta vriste për padrejtësitë që kishte bërë gjatë jetës së tij. Por ai i mori parasysh të gjitha dhe vendosi të futej në mes të turmës.

Kjo përballje me rrezikun nxjerr në pah dëshirën e madhe të Zakeut për të takuar Zotin. Kjo dëshirë e bëri të guximshëm, e bëri të hedhë tej frikën dhe turpin nga turma dhe e bëri të hipë mbi një pemë.

Nga ky veprim del në pah përulësia. Imagjinoni një të pasur, aristokrat, njeri me autoritet të ngjitet në një pemë. Veç qesharake, kjo është ofenduese dhe përulëse për autoritetin e tij. E megjithatë, ai ishte i përqendruar tek takimi me Zotin dhe nuk donte t’ia dinte se çdo të mendonin të tjerët për të.

Këto tre karakteristika përballja me rrezikun, dëshira dhe përulësia na tregojnë shpresën që përvëlonte shpirtin e Zakeut për të gjetur atë që i mungonte, d.m.th. Zotin.

Të dashur besimtarë: këto katër elementë duhet të shoqërojnë jetën e çdo besimtari nëse dëshiron me të vërtetë të takojë Zotin. Asnjë prej nesh nuk mund të takojmë Zotin nëse nuk jemi të gatshëm të rrezikojmë; ne nuk mund të takojmë Zotin nëse nuk kemi dëshirë me të vërtetë për ta takuar. Dhe takimi me të bëhet vetëm atëherë kur ne përulim veten tonë, kur heqim dorë nga përkujdesja e tepërt për veten, kur mposhtim krenarinë dhe egoizmin tonë. Dhe kur vendosim të kalojmë nëpër këto katër stade rrezik, dëshirë, përulësi dhe shpresë, atëherë shpëtimi ka ardhur brenda nesh. Zoti Krisht kur pa dëshirën reale të Zakeut, pa e ndryshuar akoma jetën e tij, i thotë: “Zake, zbrit shpejt poshtë, sepse sot duhet të rri në shtëpinë tënde” (vr. 5). Dhe, kur Zoti hyri në shtëpinë e tij, Zakeu kuptoi se kishte gjetur atë që i kishte munguar gjithë jetën; atë që nuk mund ta zëvendësonte asnjë lloj pasurie sado e madhe të jetë. Ai mori hirin e Perëndisë dhe kjo e bëri të japë gjysmën e pasurisë së tij për të varfërit, por jo vetëm kaq, por edhe atyre që u kishte bërë padrejtësi do t’ua kthente katërfish.

Motra e vëllezër! A dëshirojmë ta takojmë Zotin me të vërtetë?! Atëherë le të ndjekim shembullin e Zakeut. Të jemi të gatshëm të rrezikojmë, të kemi dëshirë me një zemër të përulur duke pritur me shpresë që Zoti ynë Jisu Krisht të vizitojë shtëpinë e shpirtit tonë dhe ashtu si Zakeut edhe neve të na japë lajmin e gëzuar e të na thotë: “Sot në këtë shtëpi ka hyrë shpëtimi…” (vr.9). AMIN.

 

Përgatiti:

+ Atë Spiro Kostoli

 

 

DIELA XV LLUKAIT