/ Predikime-Katekizma- Artikuj / E Diela 13 Llukait

E Diela 13 Llukait

E Diela 13 Llukait

 

E Diela 13 Llukait

“Mësues i mirë, ç’të bëj që të trashëgoj jetë të përjetshme?” (Llk.18:18).
Të dashur besimtarë: realiteti i jetës së përjetshme përbën një nga dogmat e Kishës sonë. Shkrimi i Shenjtë e përmend vazhdimisht; shërbesat kishtare na e kujtojnë këtë të vërtetë nëpër vargjet e himneve të shenjta; Kisha nëpërmjet mësimeve dhe adhurimit të saj na e kujton gjithmonë.
Qenia njerëzore e krijuar sipas ikonës dhe ngjashmërisë së Perëndisë, vazhdimisht dëshiron të mësojë, të hulumtojë, të studiojë dhe të njohë gjithçka nga gjërat më të vogla e të parëndësishme e deri tek ato më të komplikuarat dhe më të vështirat për t’u kuptuar.
Brenda një atmosfere të tillë gjendet edhe i riu i historisë së Ungjillit të sotëm dhe jo vetëm ai, por edhe të gjithë ne.
Ungjilli i sotëm na paraqet një person disi të çuditshëm. Ai ishte i ri, i pasur, i ditur, respektonte ligjin e Moisiut me përpikmëri; ishte shumë i suksesshëm si në jetën sociale ashtu edhe në atë fetare duke ruajtur porositë e Ligjit të Zotit.
Ai, megjithëse e nuk i mungonte asnjë gjë (sepse ishte i pasur) dhe megjithëse e njihte mirë Ligjin e Zotit dhe gjatë gjithë jetës së tij kishte e kishte zbatuar këtë ligj me përpikmëri, përsëri ndjente se duhej të bënte diçka tjetër për t’i përqyer Perëndisë; ndjete se nuk ishte i plotësuar shpirtërisht; ndjente si diçka i mungonte.
Brenda kësaj hamullie mendimesh, ai takohet me Zotin Krisht. Përgjigjja e Zotit ishte shumë e qartë dhe ndahet në dy pjesë. Ti i di porositë – i thotë Zoti Krisht: “Mos shkel kurorën; Mos vrit; Mos vidh; Mos jep dëshmi të rreme; Ndero atin tënd dhe nënën tënde” (Llk.18:20). Por djaloshi i pasur i thotë se “Të gjitha këto i kam ruajtur që në rininë time” (Llk.18:21). Atëherë Krishti i thotë pjesën e dytë të përgjigjes: “Edhe diçka të mungon, shit gjithë ç’ke dhe ndajua të varfërve, dhe do të kesh thesar në qiell; dhe eja, e ndiqmë pas” (Llk.18:22).
Të dashur besimtarë: këto përgjigje kanë vlerë universale dhe diakronike. Këto përgjigje janë edhe për ne sot. Në përgjithësi të gjithë ne mendojmë se jemi njerëz të mirë. Sigurisht por ta krahasojmë veten me mafiozët apo kriminelët do të ishte shumë e lehtë ta karakterizojmë veten si të mirë. Apo akoma më shumë kur respektojmë dhe tregojmë dashuri dhe interes për të tjerët, apo kryejmë disa vepra bamirësie themi se jeta jonë është shumë e mirë.
Por nëse e krahasojmë veten me dikë që është më i mirë se ne, atëherë do të shohim se kemi të meta, se kemi nevojë të bëhemi akoma edhe më të mirë. Nëse do ta krahasonim veten me shenjtorët nuk do të kishim të njëjtin mendim për veten tonë. Pikërisht këtë na mëson pjesa e sotme e Ungjillit. Kur i pasuri i drejtohet mësues i mirë, Krishti i përgjigjet: “Ç’më thua i mirë? Asnjë nuk është i mirë, përveçse një, Perëndia” (Llk.18:19). Krishti këtu përpiqet të ndihmojë të riun e pasur, por edhe çdonjërin prej nesh, që të kuptojmë se cili duhet të jetë standardi i mirësisë sipas të cilit duhet të gjykojmë veten tonë.
Zoti Krisht erdhi që të plotësojë Ligjin e Moisiut. Ky ligj thotë: “Mos shkel kurorën; Mos vrit; Mos vidh; Mos jep dëshmi të rreme; Ndero atin tënd dhe nënën tënde” (Llk.18:20), por Krishti na thotë qartë: “Duajini armiqtë tuaj dhe lutuni për ta”, “Trajtoji të tjerët siç do të doje të të trajtonin ty”. Në lutjen Zotërore që na dha vetë Zoti Krisht na porosit të lutemi: “Dhe falna fajet tona, siç ua falim edhe ne fajtorëve tanë”; na porosit të jemi të përsosur, siç është i përsosur Ati ynë në qiej. Ky të dashur motra e vëllezër është standardi që duhet të jetojë i krishteri.
Fatkeqësisht, shumë nga ne ndjekim shembullin e djaloshit të Ungjillit. Ai i kishte ruajtur porositë e ligjit që prej rinisë së tij. Kështu edhe ne, përpiqemi të bëjmë një jetë shpirtërore dhe të ruajmë porositë e Zotit, por që të jemi të përsosur nuk duhet t’i lutemi Zotit vetëm me buzët tona, por me shpirt. Prandaj dhe Zoti i thotë të riut: “Shit gjithë ç’ke dhe ndajua të varfërve, dhe do të kesh thesar në qiell; dhe eja, e ndiqmë pas” (Llk.18:22). Edhe në këtë varg, mesazhi i Zotit është shumë i qartë. Ai na sqaron se nuk është pasuria tokësore gjithçka; se nuk duhet të përfshihemi nga fryma e botës së sotme konsumatore ku çdo gjë bazohet mbi paranë. Përkundrazi, vlerë ka thesari qiellor; jeta e përjetshme sigurohet duke mbledhur thesar qiellor.
Por si mund ta mbledhim ne këtë thesar? Ndryshe nga i pasuri i ungjillit, të cilit nuk i mungonte asgjë, ne nuk jemi shumë të pasur, por nuk jemi as të varfër. Gjithkush prej nesh mund të ofrojë diçka (sado pak) për dikë që ka nevojë. Por thesari qiellor nuk mblidhet vetëm duke hequr dorë nga të mirat materiale. Ky thesar mblidhet kur ne ofrojmë dashuri, në radhë të parë në familjen tonë, e më pas në shoqëri.
Çdo i krishterë duhet të jetë një llambadhë që ndriçon ambientin në të cilin jeton; ky është edhe kuptimi i llambadhës që marrim ditën që pagëzohemi.
Çdo i krishterë duhet të jetë i përsosur siç është Perëndia; këtë na thotë Ungjilli – Fjala e Zotit dhe shenjtorët.
Çdo i krishterë nuk duhet të besojë Zotin me vepra të jashtme, por të heqë dorë nga vetja e tij, ta braktisë veten e tij në duart e Perëndisë.
Çdo i krishterë – na porosit ap. Pavli në pjesën e apostullit të sotëm – “të ecë denjësisht me çdo përulësi e butësi, me zemërgjerësi, duke duruar njëri-tjetrin me dashuri, duke u kujdesur të ruani unitetin e Shpirtit me anë të lidhjes së pajtimit” (Efes.4:1-3).
Të gjitha këto porosi janë të vështira për t’u përmbushur, por ne kemi shpresë dhe mjafton të përpiqemi me gjithë shpirtin, zemrën dhe mendjen tonë sepse vetë Zoti Krisht na siguron se “ato që janë të pamundura për njerëzit janë të mundura për Perëndinë” (Llk.18:27). Amin.

 

Përgatiti:

Atë Spiro Kostoli