/ Predikime-Katekizma- Artikuj / E Diela e Orthodhoksisë

E Diela e Orthodhoksisë

 E Diela e Orthodhoksisë

 

Të dashur besimtarë!
Sot, të dielën e parë të kreshmëve, e cila quhet e Diela e Orthodhoksisë, Kisha e Shenjtë na jep dy mesazhe shumë të rëndësishme.
 “Eja pas meje” (Jn.1:44) kjo është ftesa që Zoti Krisht i bën apostull Filipit. Edhe Filipi gjen Nathanailin, të cilit i thotë se ka gjetur Mesian, të premtuarin e Perëndisë për të cilin flasin Moisiu dhe profetët e shenjtë. Por Nathanili filloi të ketë dyshime në zemrën e tij, por Filipi e fton dhe i thotë “Eja dhe shih” (Jn.1:47).
Mesazhi i parë që na jepet nga pjesa e Ungjillit të sotëm është Ftesa. Zoti Krisht na fton ta ndjekim atë, na fton të jemi bashkë me të në Mbretërinë e tij. Por gjithashtu edhe ne duhet të ftojmë njëri-tjetrin në besim, ashtu si apostull Filipi ftoi Nathanailin.
Kur ftojmë dikë në besim, shumë herë ndodh që të kenë dyshime dhe paqartësi ashtu siç kishte apostull Nathanaili. Edhe përpiqemi që t’u shpjegojmë me shumë mënyra që t’i bindim këta persona për vlerat e mëdha shpirtërore dhe morale që ka besimi ynë i krishterë orthodhoks dhe Kisha jonë e shenjtë.
Por përgjigjja më e mirë është që t’i themi ashtu siç i tha edhe apostull Filipi Nathanailit “Eja dhe shih”. Eja dhe shih se çfarë ndodh në Kishë; eja të marrësh pjesë në misteret e shenjta; eja dhe pagëzohu; eja dhe kungohu dhe atëherë “do të shohësh gjëra edhe më të mëdha” (Jn.1:51) do të ndjesh brenda teje paqen hyjnore; do të ndjesh se çdo problem dhe shqetësim përballohet më lehtë me hirin e Perëndisë; do të mbushesh me hirin e Zotit dhe do të ftosh më pas edhe të tjerë e do t’u thuash “Eja dhe shih” se Zoti është i mirë.
Disa njerëz madje thonë se ne besojmë, por nuk shkojmë në Kishë se nuk kemi kohë, se punojmë gjithë javën dhe të dielën kemi nevojë të pushojmë, ose të qëndrojmë me familjen e shumë justifikime të tjera. Por Zoti vazhdon të na ftojë pa pushim “Eja dhe shih”. E diela është dita e Zotit dhe të gjithë ne duhet që këtë ditë të vijmë dhe falenderojmë Perëndinë për të gjitha bekimet që jep në jetën tonë.
Mesazhi i dytë që na transmeton dita e sotme janë ikonat e shenjta. Dita e sotme quhet “E Diela e Orthodhoksisë”. Sot kujtojmë luftën e ashpër në gjirin e Kishës, që zgjati më shumë se 120 vjet. Ishte një luftë midis kundërshtarëve dhe përkrahësve të ikonave. Në vitin 843, të dielën e parë të kreshmëve, Perandoresha Theodhora shpalli rikthimin e ikonave në Kishë dhe i dha fund këtij debati duke e quajtur triufalisht këtë ditë “E Diela e Orthodhoksisë”.
Edhe sot ka njerëz që kundërshtojnë përdorimin e ikonave, si nga grupime të krishtera joorthodhokse ashtu edhe nga grupime të tjera jo të krishtera. Kjo ndodhe sepse nuk i kuptojnë ikonat dhe funksionin e tyre në besimin tonë.
Ikonat janë si një dritare midis tokës dhe qiellit, midis hyjnores dhe njerëzores. Ikonat krijojnë kushtet dhe një ambient të përshtatshëm për t’u lutur. Ikonat janë Ungjill, të cilin mund ta lexojë edhe një fëmijë që nuk di të lexojë. Ato janë të lidhura ngushtë me mishërimin e Zotit tonë Jisu Krisht.
Një akuzë që na bëjnë ne orthodhoksëve është se i adhurojmë ikonat dhe kështu bëjmë idhujtari. Në radhë të parë duhet theksuar se adhurimi i përket vetëm Perëndisë Triadik Atit, Birit dhe Shpirtit të Shenjtë, ndërsa Hyjlindësen e Tërëshenjtë dhe të gjithë shenjtorët i nderojmë, por nuk i adhurojmë. Më pas duhet bërë e qartë se çdo orthodhoks kur i falet ikonave nuk i falet materialeve ose drurit me të cilat është bërë ikona, por u falemi personave të ikonizuar. E njëjta gjë ndodh edhe kur puthim fotografinë e një personi të dashur të familjes, i cili nuk është më ose ndodhet në mërgim dhe na merr malli.
Por ka edhe shumë arsye të tjera përse ne orthodhoksët i përdorim ikonat. Një arsye është një dëshmi e mishërimit të Perëndisë. Këtu përmblidhet i gjithë besimi ynë “Perëndia u bë njeri, që njeriu të bëhet Perëndi” thotë shën Athanasi i Madh. Edhe shën Joan Damaskini shprehet shumë saktë kur thotë se: “në të kaluarën, Perëndia nuk u pikturua asnjëherë. Megjithatë tani, kur Perëndia u shfaq në mish, unë mund të krijoj një imazh të Perëndisë, të Perëndisë që mund ta shoh”.
Gjithashtu ikonat janë një ungjill me figura. Ato paraqesin tablo të ndryshme nga jeta e Krishtit dhe e shenjtorëve. Për shumë shekuj me radhë arsimi, shkrimi e këndimi ishte privilegj i një klase të caktuar të shoqërisë, ndërsa pjesa më e madhe e popullit ishte analfabet, kështu që ikonat me pamjet e tyre ndihmonin popullin besimtar të mësonte historinë e shpëtimit. Prandaj dhe ne orthodhoksët i përdorim ikonat e shenjtë në traditën tonë.
Por dua që predikimin e sotëm ta mbyll me ikonat e gjalla. Ikona më e rëndësishme nuk është ajo e bërë prej druri e bojërash, por është çdo qënie njerëzore e krijuar sipas ikonës (imazhit) të Perëndisë. Çdo njeri është një ikonë e gjallë. Dhe ne që jemi besimtarë pas duhet të nderojmë e të respektojmë ikonat e shenjtorëve, por në radhë të parë duhet të nderojmë ikonat e gjalla, të respekojmë vëllezërit e motrat tona dhe atëherë plotësojmë edhe mësimin e parë që të pranojmë ftesën e Perëndisë si edhe të ftojmë njëri-tjetrin në besim.
Kreshmë të lehta e të mbara!

Përgatiti:

+ Atë Spiro Kostoli

E Diela e Orthodhoksisë