/ Predikime-Katekizma- Artikuj / E Diela e të Lidhurit të Djathit (Falja, Kreshmimi)

E Diela e të Lidhurit të Djathit (Falja, Kreshmimi)

E Diela e të Lidhurit të Djathit (Falja, Kreshmimi)

 

Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë
Kisha“Apostull Pavli & Shën Asti”, Durrës

Pasazhi i Ungjillit: Ungjilli sipas Mateut 6:14-21
Pasazhi i Apostullit: Letra për Romakët 13:11- 14:4.

Njeriu mund t’i largohet konsumit të ushqimeve të caktuara, nisur nga arsye e shkaqe të ndryshme. Ai mund t’i largohet konsumit të këtyre ushqimeve nisur nga të qenurit vegjetarian, për të mbajtur dietë apo janë ushqime që nuk i pëlqejnë. Ndalimi i konsumit të disa produkteve ushqimore të caktuara është një praktikë në Kishën Orthodhokse. Kështu një periudhë 8 javore, në të cilën besimtarët përgatiten për të festuar Pashkën, Ngjalljen e Zotit Jisu Krisht, është periudha ku besimtarët thirren të kreshmojnë duke mënjanuar konsumin e qumështit, vezës dhe nënprodukteve të tyre këtë të Dielë, prandaj quhet e Diela e të lidhurit të Djathit, apo ndalimit të mishit dhe nënprodukteve të tij, që filloi javën e kaluar. Ndalimi i këtyre ushqimeve nuk është se konsiderohen të papastra, sepse për besimtarët e krishterë orthodhoksë nuk ka ushqime të papastra, pasi të gjitha janë krijesa të Perëndisë, por për të kuptuar vlerën e tyre, pasi shpesh herë kur na mungon diçka fillojmë dhe kuptojmë vlerën e tyre. Mënjanimi i konsumit të këtyre ushqimeve gjatë kësaj periudhe është një praktikë që na tregon lidhjen midis ushqimit dhe ndjesimeve, emocioneve dhe këkaqësive që na ofrojnë ushqime dhe madje këto produkte si mishi, qumështi, veza dhe nënproduktet e tyre jo vetëm janë më prezentë në ushqimin e njeriut, por dhe më të dashura. Kështu besimtari jo vetëm kupton vlerën e tyre me mënjanimin e konsumit të tyre, por stërvit vetëpërmbajtjen, pasionet dhe besimin e vendosmërinë e tij tek Perëndia.
Njeriu këtë proces nuk e bën duke u mbështetur vetëm në fuqitë e tij, por mbi të gjitha tek fuqia e gjithëpushtetshme e Perëndisë. Dhe jo më kot besimtarët orthodhoksë gjatë kësaj periudhe shtojnë kohën e lutjes, mendimit dhe dedikimit të Perëndisë. Gjatë periudhës së kreshmës nuk mënjanohet vetëm konsumi i ushqimeve të caktuara, por shtohet dhe reflektimi i marrëdhënies me Perëndinë. Është periudha ku njeriu, besimtari përpiqet të rregullojë ekuilibrin midis të mirës materiale e ushqimore dhe asaj shpirtërore, e cila është shumë e rëndësishme në përgatitjen për të përjetuar ngjarjen e ngjalljes, e cila tejkalon dimensionet njerëzore apo bëhet e pamundur të kuptohet pa hirin e Perëndisë. Dhe jo më kot shërbesa e parë quhet mbrëmësorja e faljes, e cila kryhet në mbrëmjen e sotme, ku besimtarët urojnë njëri-tjetrin “Kreshmë të mbara e të lehta”, por ajo që është më e rëndësishme kërkojnë dhe falin njëri-tjetrin. Kështu fillon me falje, lutje, vetëpërmbajtje dhe mbi të gjitha gëzimin e besimit udhëtimi shpirtëror i kreshmëve deri më 16 Prill.

 

Përgatitur nga Thoma Çomëni

 

E Diela e të Lidhurit të Djathit (Falja, Kreshmimi)