/ Predikime-Katekizma- Artikuj / E DIELA X E LLUKAIT

E DIELA X E LLUKAIT

 E DIELA X E LLUKAIT

 

 

Llk. 13: 10-17

Siç e dimë të dashur besimtarë edhe pak javë na ndajnë nga dita dhe e kremtja e madhe e Krishtlindjeve. Kisha e shenjtë është kujdesur në mënyrë të veçantë që këtë periudhë kreshme dhe parapërgatitjeje të zgjedhë fragmente ungjillore që na japin informacione e mesazhe të veçanta si edhe shumë këshilla të vyera e të dobishme për jetën tonë shpirtërore.
Pjesa e ungjillit të sotëm është shkëputur nga Ungjillori Lluka dhe na flet se si Zoti Jisu Krisht një ditë të shtunë shkon në Sinagogë dhe aty shëron një grua, e cila kishte 18 vjet që ishte e kërrusur dhe nuk mund të drejtonte trupin e saj. Kryetari i Sinagogës u indinjua që Krishti bëri mrekulli ditën e shtunë, e cila ishte ditë pushimi, kushtuar vetëm adhurimit të Perëndisë dhe thotë: “Gjashtë ditë janë, në të cilat duhet të punoni; ndër këto pra ejani e shërohuni e jo ditën e shtunë” (Llk.13:14). Por Zoti duke quajtur kryetarin e Sinagogës dhe të gjithë ata që mendonin si ai “hipokrit” (Llk.13:15) thekson rëndësinë e kryerjes së veprave të mira në dobi të të gjithë atyre që janë në nevojë. Dhe pjesa e Ungjillit mbaron me frazën: “Gjithë turma gëzohej për gjithë punët e lavdërueshme që bëheshin prej tij” (Llk.13:17).
Në këtë mrekulli që bëri Zoti ka shumë pika që mund të analizohen e komentohen, por në predikimin e sotëm do të doja të ndalesha vetëm në tre prej tyre: 1) Zoti Jisu Krisht si bamirësi ynë, 2) e shtuna dhe 3) Sinagoga.
1. Të katër Ungjijtë janë të mbushur me mrekullitë e shumta që bëri Zoti për t’i bërë mirë mbarë njerëzisë. Ai shëroi lebrozë, u dha dritën e syve të verbërve, të paralizuarit i ngriti në këmbë, madje ngjalli edhe të vdekur. Dhe kjo është një karakteristikë bazë e jetës së Zotit. E gjithë jeta e tij ishte një bamirësi e vazhdueshme. Madje kulmi i bamirësisë së tij qëndron pikërisht mbi Golgotha ku vullnetarisht dha jetën e tij për të shëruar jo një e dy persona, por mbarë njerëzimin nga sëmundja e rëndë e mëkatit.
2. Edhe nga pjesa e Ungjillit të sotëm, por edhe nga shumë referenca të tjera në Ungjill, shohim se Zoti e respektonte ditën e shtunë si dita për të adhuruar Perëndinë. Nga Dhiata e Vjetër dimë se Zoti Perëndi e krijoi botën për gjashtë ditë dhe ditën e shtatë, pra të shtunën pushoi nga vepra krijuese. Po nga Dhiata e Vjetër dimë se Perëndia kur i dha pllakat e porosive Moisiut në malin Sina e porosit në mënyrë të veçantë popullin e tij të zgjedhur duke i thënë: “Mbaje mend ditën e shtunë për ta shenjtëruar” (Eks.20:8).
Për ne të krishterët dita e adhurimit të Perëndisë nuk është më e shtuna, por e diela, sepse këtë ditë Krishti u ngjall prej së vdekurish duke ngjallur bashkë me veten e tij të gjithë racën njerëzore nga vdekja që i shkaktoi mëkati.
3) Dhe pika e tretë thamë se ishte Sinagoga. Pra, shohim Krishtin, që megjithëse ishte Perëndi dhe i pamëkat, frekuentonte në mënyrë të rregullt shtëpinë e lutjes. Madje në Sinagogë Ai shpalli veten se ishte përmbushja e të gjitha sa kishin thënë profetët në Dhiatën e Vjetër dhe aty kishte kryer edhe një pjesë të mrekullive të tij gjë që na e dëshmon edhe ungjilli i sotëm. Sinagoga e sotme është Kisha.
Prandaj vëllezër të shtrenjtë më Zotin, ne të gjithë që jemi pagëzuar në emër të Krishtit jemi të ftuar që t’i ngjajmë Zotit tonë edhe në këto hapa.
Gjithësecili prej nesh sipas mundësisë sonë le të shfrytëzojmë të gjitha rastet që na jepen për të bërë mirë dhe për të ndihmuar ata që janë në nevojë.
Përsëri, ashtu si Zoti Krisht e respektonte ditën e shtunë, kështu edhe ne duhet që të respektojmë ditën e diel dhe të bëjmë po atë gjë që bëri edhe Zoti ynë, të adhurojmë Perëndinë dhe ta falënderojmë për të gjitha bamirësitë e mëdha që na ka dhuruar.
Dhe ashtu si Krishti shkonte rregullisht në Sinagogë, kështu edhe ne duhet që çdo të diel të vijmë në shtëpinë e faljes që është Kisha dhe të bashkohemi me trupin e Krishtit nëpërmjet kungimit hyjnor dhe mistereve të tjera të shenjta të Kishës.
Për të treguar rëndësinë e madhe të adhurimit të Zotit dhe të të shkuarit në Kishë, dua ta mbyll me një histori që ka ndodhur në fjordet e Norvegjisë.
Një ditë të diel dimri të acartë me kohë të keqe duke rënë dëborë dhe me një det të akullt, disa udhëtarë nga një anije e madhe që po kalonte atyre ujrave, shohin dy varka të mbushura me burra, gra e fëmijë që po çanin dallgët e egërsuara. Udhëtarët e anijes së madhe duke marrë shkak nga kjo ngjarje e pazakontë, nisin një bashkëbisedim midis tyre dhe menduan se mos ato varka të mbushura me njerëz do kishin shpëtuar nga mbytja e ndonjë anijeje dhe thonin se kush e di se sa të tmerruar do të ishin këta të mjerë dhe se mezi po prisnin që të ofrohej anija e t’i merrte në bordin e saj! Por për habinë e tyre të madhe anija u afrua dhe asnjëri nga të dy varkat nuk kërkoi që të ngjitej në bord dhe kjo gjë e shtoi akoma dhe më shumë habinë e udhëtarëve, por ndërkohë që bisedonin, një marinar erdhi dhe i sqaroi duke thënë: ata nuk kanë shpëtuar nga asnjë mbytje, por janë besimtarë të krishterë që po kthehen nga Kisha. Ata e bëjnë çdo të diel këtë udhëtim për të shkuar në Kishë pavarësisht kushteve të motit.
Prandaj të nderuar besimtarë edhe ne duke marrë shembull nga këta të krishterë, le të përpiqemi që çdo të diel të shmangim kryerjen e gjërave të kota, por të vijmë në Kishën e Zotit, të kungohemi me misteret e shenjta të Perëndisë dhe sipas mundësive tona modeste të ndihmojmë të gjithë ata që kanë nevojë për ndihmën tonë duke ndjekur shembullin e Zotit tonë Jisu Krisht. Amin.

 

Përgatiti:

At Spiro Kostoli.