/ Predikime-Katekizma- Artikuj / E Diela e Dafinave

E Diela e Dafinave

E Djela e Dafinës

 

Hosanna, i bekuar është ai që vjen në emrin e Zotit, mbreti i Izraelit”! (Jn.12:13)

Me këto fjalë e priti populli i Izraelit Mbretin e lavdisë që në fakt është Mbreti i të gjithë kombeve. E madhe, e shenjtë dhe e veçantë është dita e sotme të nderuar besimtarë ku kremtojmë hyrjen triumfale të Zotit tonë Jisu Krisht në Jerusalem.

Ndërkohë që përgatitemi për të përjetuar ngjarjet tragjike të Javës së Madhe, Ungjilli i sotëm na ofron tri ngjarje që i paraprijnë pësimeve të shenjta dhe ngjalljes së Zotit tonë.

Ngjarja e parë që na paraqet Ungjilli i sotëm ndodh në shtëpinë e Llazarit, të cilin Krishti e kishte ngjallur nga të vdekurit. Motra e Llazarit “Maria si mori një litër miro prej nardi të papërzier, shumë të shtrenjtë, leu këmbët e Jisuit, edhe me flokët e saj fshiu këmbët e tij; edhe shtëpia u mbush me erën e miros” (Jn. 12:3). Ky veprim na tregon pësimet e shenjta që do të pësonte Zoti Krisht dhe varrimin e tij.

Ngjarja e dytë ishte komploti dhe intrigat që po thurnin kryepriftërinjtë dhe farisenjtë kundër Krishtit dhe:

Ngjarja e tretë ishte Hyrja Triumfale e Krishtit në Jerusalem dhe populli që ishte mbledhur nga shumë vende të largëta për të kremtuar Pashkën judaike e pranuan si Mesi dhe si Mbret të Izraelit. Zëri i popullit jude mbushte rrugët e qytetit të shenjtë duke thënë: “Hosanna, i bekuar është ai që vjen në emrin e Zotit, mbreti i Izraelit”! (Jn.12:13).

E përshëndetën me tufa lulesh në duar, me thirrje lavdërimi dhe me degë palmash, të cilat i shtronin në tokë për të kaluar Mbreti i Izraelit i ulur mbi një pulisht gomareje, i përulur dhe i pandikuar nga brohoritjet e pafundme të turmave.

Ajo që na bën përshtypje nga dita e sotme është populli judaik. Ata kishin ardhur nga vende të ndyrshme për të kremtuar Pashkën judaike. Askush nuk i kishte organizuar për të pritur Krishtin. Të gjithë ata e pritën Krishtin si Mbret sepse kishin marrë vesh mrekullinë që kishte bërë Krishti bërë në gjirin e popullit. Ai u kishte dhënë dritën e syve të verbërve, kishte bërë të shurdhët të dëgjonin, kishte shëruar të paralizuar, kishte bërë të çalët të ecnin përsëri dhe një ditë më parë kishte ngjallur Llazarin, i cili kishte vdekur prej katër ditësh.

Asnjë nuk kishte dëgjuar se mund të ngjallej ndonjë i vdekur dhe aq më tepër të ngjallej pas katër ditësh prej varrit. Por me këtë mrekulli Zoti Krisht na tregoi se ka pushtetin mbi vdekjen dhe se Ai është dhuruesi i jetës së vërtetë.

Zoti Jisu Krisht e dinte për çfarë po vinte të bënte në Jerusalem, prandaj Ai i flak të gjitha përpjekjet që të tjerët bëjnë për ta lavdëruar. Ai nuk i jep rëndësi të veçantë hyrjes panigjirike, por ardhjes në kryq edhe në ngjallje. Krishti rivjen në Jerusalem për të përmbushur Ligjin. Ai vjen të japë jetën e tij për shpëtimin e njeriut.

E Diela e Dafinave, të dashur besimtarë, lajmëron fitoren e Mbretërisë së Perëndisë. Hyrja e Krishtit në Jerusalem është një hyrje martirike për në jetën pa mbarim drejt Perëndisë. Edhe për pak ditë do të martirizohet dhe do të vdesë në kryq, për të mposhtur vdekjen dhe për të dhuruar jetën me ngjalljen e Tij. Ne e dimë se Mbretëria është në rrugën e Tij për në Golgotha, në kryqëzimin dhe në varr.

Por ai popull që sot po e priste si Mbret dhe brohorisnin “Hosanna, i bekuar është ai që vjen në emrin e Zotit, mbreti i Izraelit” nuk i shkonte ndër mend se pas disa ditësh i njëjti popull do të thërriste: “Kryqëzoje, kryqëzoje” (Jn.19:6).

Vëllezër dhe motra! Këto ditë hyjmë në Javën e Madhe dhe të shenjtë. Dhe me të drejtë kjo javë është e tillë sepse duke filluar nga dita e djeshme ku festuam Ngjalljen e Llazarit dhe sot ku kremtojmë Hyrjen Triumfale të Krishtit në Jerusalem dhe me ngjarjet që do të pasojnë në ditët në vijim, ne do të marrim pjesë në ngjarjet e dhimbshme dhe të tmerrshme, në pësimet e Zotit tonë që kulmojnë me kryqëzimin dhe me vdekjen e Zotit tonë mbi Kryq.

Zoti nuk erdhi për të qenë një Mbret tokësor sipas botëkuptimit të popullit. Ai erdhi për të vuajtur; Ai erdhi për të marrë mëkatet tona dhe për të na shpëtuar nga kthetrat e mëkatit; Ai erdhi për tu kryqëzuar për ne dhe për të na dhuruar jetën e përjetshme. Por Krishti vdiq që të ngjallet përsëri; Ai mori mëkatet tona që të na i falë ato; Ai shkatërroi pushtetin e ferrit dhe fitoi mbi vdekjen.

Prandaj dhe sot ndajmë dafina si shenjë të fitores së Krishtit mbi mëkatin dhe vdekjen. Në kohët e lashta, atletëve që fitonin në garat e ndryshme sportive dhe luftëtarëve që ktheheshin triumfues nga betejat e luftërave u jepeshin kurora me degë dafine.

Edhe ne të dashur besimtarë bashkë me Krishtin fitimtar, që fitoi mbi mëkatin dhe vdekjen mbajmë në dorë degë dafine për të shpallur këtë triumf të Krishtit dhe për të treguar unitetin tonë me Krishtin fitimtar.

Sot festojmë Hyrjen e Krishtit në Jerusalem dhe gradualisht ditë pas dite gjatë kësaj Jave të Madhe dhe të shenjtë do të vazhdojmë rrugëtimin tonë bashkë me Krishtin drejt Golgothasë.

Shërbesat do të fillojnë që sot, nesër dhe të martën mbasdite me Shërbesën e Dhëndërrit, për të vazhduar ditën e Mërkurë me misterin e Efqelisë (Shenjtërimi i Vajit), të Enjten e Madhe ku do të lexojmë 12 Ungjijtë dhe do të përshkruajmë ngjarjet tronditëse të tradhëtisë, të arrestimit dhe të kryqëzimit të Zotit. Ndërsa të Premten e Madhe do të kryejmë procesionin e daljes së Epitafit në rrugët e qytetit. Dhe ky rrugëtim do të ketë si destinacion Ngjalljen e ndritshme të Krishtit të Dielën e Pashkës.

Gjatë kësaj periudhe të dashur motra dhe vëllezër, gjithsecili prej nesh duhet t’i ofrojë Krishtit diçka nga vetja e tij. Maria, motra e Llazarit si shenjë mirënjohjeje i ofroi Krishtit aromë shumë të shtrenjtë. Edhe ne me mundësitë që kemi të marrim pjesë në këto shërbesa të Javës së Madhe dhe të Enjten e Madhe të marrim lule dhe t’ia ofrojmë Krishtit të kryqëzuar.

Motra e vëllezër! Ne jemi Jerusalemi i ri që Krishti pritet të hyjnë në zemrën tonë. Le t’i lutemi Zotit që të na dhurojë paqen e tij, hirin e tij dhe dashurinë e tij për të përjetuar me përkushtim shpirtëror këto ngjarje shpëtimtare të Zotit tonë Jisu Krisht. Amin.

 

Përgatitur nga At. SPIRO KOSTOLI

 

E Diela e Dafinave