/ Predikime-Katekizma- Artikuj / Fariseu dhe Doganieri

Fariseu dhe Doganieri

 E Djela e doganierit dhe e fariseut

 

 

Dt.21.02.2016

Nga sot Kisha e shenjtë orthodhokse fillon një periudhë të re, të bukur e të gjatë të rrugëtimit të saj shpirtëror që kulmon me ngjalljen e Zotit tonë Jisu Krisht dhe që quhet periudha e Triodit. Ndryshe nga periudhat e tjera të kalendarit liturgjik, periudha e Triodit përveç kreshmimit është e mbushur me shërbesa të shenjta e të bukura si Liturgjia e Dhuratave të Parashenjtëruara, Himni Akthist, Pasdarka e Madhe etj., nëpërmjet të cilave besimtarët përgatiten për të pritur Pashkën e Madhe dhe të shenjtë.

Në këtë fillim parapërgatitjeje, kur dalëngadalë po bëhemi gati për të filluar periudhën e kreshmës, Kisha nëpërmjet pjesës së Ungjillit të sotëm na transmeton rekomandimet e nevojshme se si duhet ta përjetojmë periudhën e shenjtë të kreshmëve.

E diela e sotme që është e diela e parë e Triodit quhet e diela e “Fariseut dhe e Doganierit” dhe është shkëputur nga Ungjilli sipas Llukait. Kjo pjesë ungjillore na flet për dy njerëz që shkojnë në Tempull dhe i luten Zotit secili sipas mënyrës së tij. Njëri nga këta ishte Farise dhe tjetri ishte Doganier. Dy njerëz krejtësisht të ndryshëm njëri nga tjetri përsa i përket profesionit, pozitës shoqërore dhe mënyrës së jetesës. Në mënyrë që të kuptojmë saktë dhe të marrim mesazhet e nevojshme të ditës së sotme, më parë duhet të kuptojmë se çfarë është një farise dhe çfarë është një doganier.

Fariseu ishte një njeri që i përkiste shtresës fetare të popullit të Izraelit. Ata gëzonin respekt të veçantë në shoqëri. Ata ruanin dhe zbatonin porositë e ligjit të Zotit në mënyrë shumë rigoroze; luteshin çdo ditë me orë të tëra; kreshmonin shumë; jepnin të dhjetën e çdo gjëje që kishin; bënin bamirësi të shumta dhe gjithmonë kujdeseshin që çdo gjë ta bënin sipas vullnetit të Zotit.

Doganierët nga ana tejtër mund të themi se ishin krejtësisht ndryshe nga farisenjtë. Ata urreheshin nga të gjithë; populli i quante vjedhës e kusarë, sepse vendosnin taksa më të mëdha se ç’duhej në mënyrë që të nxirrnin fitime dhe për veten e tyre. Ata bënin një jetë të shthurur me dëfrime dhe veprime të tjera mëkatare.

E megjithatë këta njerëz diametralisht të kundërt kishin një nevojë të përbashkët të komunikonin me Zotin, pra të luteshin në shtëpinë e Zotit. Dhe kështu shumë i respektuari farise dhe shumë i urryeri doganier gjenden të dy në Tempull përballë Zotit, secili duke u lutur sipas mënyrës së tij.

Fariseu ndenji e falej me veten e tij, duke thënë: O Perëndi, të faleminderit, se nuk jam si njerëzit e tjerë, rrëmbyes, të paudhë, të përdalë, ose edhe si ky tagrambledhës. Agjëroj dy herë në javë, jap të dhjetën nga gjithë ç’kam. Edhe doganieri kishte ndenjur larg e nuk donte as sytë të ngrinte përpjetë në qiell, po rrihte kraharorin e tij duke thënë: O Perëndi, përdëllemë mua mëkatarin” (Llk. 18:11-13). Dhe Zoti Krisht më pas thotë: “Po ju them juve, se ky (doganieri) zbriti në shtëpinë e tij më i drejtësuar” (Llk. 18:14).

Me të drejtë çdonjërit nga ne i lind pyetja: Përse një njeri i urryer, mashtrues, vjedhës i djersës së popullit e i shthurur si doganieri doli i drejtësuar dhe një njeri i drejtë, besimtar, i ndershëm, që gjithë jetën e tij përpiqej të jetonte sipas vullnetit të Perëndisë siç ishte fariseu të mos dalë i drejtësuar nga shtëpia e Zotit?!

Shumë prej nesh kur dëgjojmë virtytet e larta të fariseut do të donim t’i ngjanim këtij njeriu të ndershëm. Por cili ishte gabimi i tij fatal? Problemi i tij fillon me faktin se ai shkoi në tempull jo për t’u lutur, por për t’i treguar Perëndisë veprat e tij të mira. Gabimi i tij shtrihet në tri plane:

  1. Ai gaboi me veten e tij duke krijuar një idhull të vetvetes dhe duke e lartësuar veten e tij.
  2. Ai gaboi me të tjerët duke bërë rolin e gjykatësit duke vlerësuar veten e duke gjykuar doganierin dhe
  3. Ai gaboi me Perëndinë kur i thotë: “O Perëndi, të faleminderit, se nuk jam si njerëzit e tjerë, rrëmbyes, të paudhë, të përdalë, ose edhe si ky tagrambledhës” duke bërë në këtë mënyrë Perëndinë përgjegjës për situatat e mira ose të këqija të njerëzve dhe duke shmangur përgjegjësinë dhe lirinë e njeriut në lidhje me veprimet e tij.

E gjithë kjo tablo na tregon se fariseu ishte një praktikues mekanik i porosive të Zotit. Ai nuk kishte arritur të krijonte një marrëdhënie të vërtetë shpirtërore me Perëndinë. Lutja e tij ishte pa frymë dhe vetëmburrëse dhe prandaj kjo lutje nuk iu dëgjua.

Në të njëjtën kohë diku larg në një vend të veçuar të Tempullit doganieri qëndronte kokëulur. Nuk guxonte as të ngrinte sytë drejt qiellit sepse ishte i ndërgjegjshëm se ishte shumë mëkatar. Ashtu si fariseu kishte tre gabime fatale, doganieri kishte tre pika pozitive që e bënë lutjen e tij të dëgjohet prej Perëndisë.

  1. Doganieri e njihte shumë mirë veten e tij. Ai e dinte se nuk kishte jetuar sipas vullnetit të Perëndisë dhe ky fakt e dërrmonte shpirtërisht.
  2. Doganieri duke ditur se ishte mëkatar i madh, gjykonte veten e tij dhe nuk kishte kohë të gjykonte të tjerët dhe
  3. Doganieri duke qenë i ndërgjegjshëm për gjendjen e tij e vetmja gjë që i mbetet është të përulë veten e të lutet: “O Perëndi, përdëllemë mua mëkatarin” duke shpresuar vetëm në dashurinë, në mirësinë, në dhembshurinë dhe në mëshirën e Perëndisë dhe duke pranuar se vetëm ai ka pushtet të falë mëkatet e tij të shumta.

Të dashur besimtarë! Në këtë fillim të periudhës së Triodit kur lutjet e kishës edhe tonat shtohen, pjesa e ungjillit të sotëm na mëson si të lutemi në mënyrë që kjo lutje e jona të dëgjohet prej Perëndisë. Kur lutemi duhet të kemi parasysh:

  1. Të mos jemi kryelartë dhe të mos i ngremë vetes idhull se jemi besimtarë të mirë; se jetojmë sipas vullnetit të Perëndisë; se zbatojmë porositë e tij, por të analizojmë veten tonë, të konstatojmë dhe të pranojmë të metat tona dhe të luftojmë që t’i korrigjojmë ato.
  2. Të mos gjykojmë të tjerët, por të merremi me veten tonë duke u përpjekur që të lartësohemi shpirtërisht dhe

3. Lutja jonë të jetë e përulur, e thjeshtë “O Perëndi, përdëllemë mua mëkatarin” sepse Zoti na thotë shumë qartë se “…Kushdo që ngre lart veten e tij, do të përulet; dhe ai që përul veten e tij, do të ngrihet lart” (Llk.18:14). AMIN.

 

 

Përgatitur nga At SPIRO KOSTOLI

 

Fariseu dhe Doganieri