/ Predikime-Katekizma- Artikuj / Etërit e Sinodhit IV Ekumenik

Etërit e Sinodhit IV Ekumenik

Etërit e Sinodhit IV Ekumenik

 

 

Të nderuar besimtarë!

Sot, Kisha Orthodhokse kujton etërit që morën pjesë në Sinodhin IV Ekumenik, që u mblodh në Halkidonë të Azisë së Vogël. Në këtë sinodh morën pjesë 600 etër. Fillimisht dua t’ju rikujtoj se çfarë është Sinodhi Ekumenik.

Sinodhi Ekumenik është mbledhje primatëve dhe etërve të Kishës. Ata janë mbledhur sa herë ka qenë e nevojshme për të rregulluar çështjet kishtare. Në këto sinodhe janë hartuar dhe janë caktuar të gjitha dogmat e shenjta që kanë të bëjnë me Trininë e Shenjtë si edhe kanonet e shenjta që rregullojnë jetën shpirtërore të Kishës kudo në botë. Sinodhet quhen Ekumenikë sepse dogmat dhe kanonet e miratuara në to, janë pranuar nga ndërgjegjja e të gjitha Kishave Orthodhokse në botë. Ato kisha që nuk pranojnë vendimet, dogmat e kanonet të miratuara në Sinodhet Ekumenike nuk janë pjesë e trupit të Kishës së Krishtit.

Kisha jonë njeh shtatë Sinodhe Ekumenike, që janë zhvilluar gjatë 2000 vjetëve të historisë së saj. Këto sinodhe kanë shpallur dhe mbrojnë të pacenuar të vërtetat që na ka zbuluar Perëndia.

Sot në nderim të Etërve që morën pjesë në Sinodhin IV Ekumenik, Kisha ka vendosur të lexohet perikopeja nga Ungjilli sipas Mattheut në predikimin në mal. Këtu, Krishti u thotë nxënësve të tij: “Ju jeni drita e botës…le të ndriçojë drita juaj përpara njerëzve, që të shohin punët tuaja të mira, e të lavdërojnë Atin tuaj që është në qiejt” (Mt.5:14,16).

Të dashur besimtarë! Njerëzit duhet të shohin veprat tona të mira sepse çdonjëri prej nesh do të gjykohet sipas veprave që ka bërë. Dëshira dhe vullneti i mirë sado pozitivë të jenë, nuk janë të mjaftueshme nëse nuk shoqërohen edhe me vepra. Apostull Jakovi thotë se “besimi pa vepra është i vdekur” (Jak.2:20). Edhe nëse themi se besoj tek Perëndia mirë bën, vazhdon apostull Jakovi sepse edhe “djajtë besojnë e dridhen” (Jak.2:19), prandaj besimi ynë duhet të shoqërohet edhe nga vepra të mira.

Besimi ynë i krishterë orthodhoks e ka vërtetuar se është Drita e botës. Në lidhje me këtë fakt, dëshiroj t’ju tregoj një histori: Në Zanzibar, vend që ndodhet në Afrikën Lindore, para shumë shkeujsh ekzistonte një treg shumë i madh skllevërish. Pas punës shumëvjeçare që bënë misionarët e krishterë në këtë vend arritën që kjo plagë e madhe e shoqërisë të shërohej dhe në këtë shesh të madh ku më parë shiteshin skllevër, sot lartësohet një kishë e mrekullueshme ku çdo ditë kryhet Liturgji Hyjnore.

Kjo histori përbën një fakt dhe simbolizëm të mrekullueshëm me të cilin mund të mbyllim edhe predikimin e sotëm duke dhënë këtë mesazh:

Aty ku hyn drita e Ungjillit të Krishtit largohet skllavëria shpirtërore dhe mbizotërojnë himnet e dashurisë, të shpresës dhe të Dritës së paperëndueshme të Krishtit. Amin.

 

Përgatitur nga At Spiro Kostoli

 

Etërit e Sinodhit IV Ekumenik