/ Predikime-Katekizma- Artikuj / Etërit e Sinodit I Ekumenik

Etërit e Sinodit I Ekumenik

 

 Etërit e Sinodit I Ekumenik

 

 “Atë i shenjtë, ruaji në emrin tënd ata, që më dhe, që të jenë NJË si ne” (Jn.17:11)
Të nderuar etër, të nderuar besimtarë!
Kjo është lutja që Zoti ynë Jisu Krisht i drejtoi Perëndisë Atë për nxënësit e tij.
Si atëherë 2000 vjet më parë, kështu edhe sot, uniteti është një nga problemet dhe sfidat më të mëdha të shoqërisë njerëzore. Që shoqëria njerëzore të ketë unitet, më parë duhet të ketë unitet familja e më pas unitet brenda kombit, midis shteteve e midis të krishterëve.
Takime, mbledhje, konferenca, udhëtime të panumërta bëhen me qëllim të arrihet uniteti. Nevojën për unitet e ndjejnë të gjithë kombet e të gjitha kohërave sepse shpirti i njeriut që buron nga Perëndia është i qetë vetëm atëherë kur është i rrethuar nga Dashuria dhe Uniteti. Ashtu si tre personat e Perëndisë Triadik, Ati, Biri dhe Shpirti i Shenjtë kanë unitet midis tyre, kështu edhe shpirti njerëzor, që është ikonë e Perëndisë ka nevojë për këtë unitet.
Sot në botë shohim ekzistencën e shumë besimeve fetare, madje dhe Shqipëria vendi ynë është një shembull konkret i prezencës së disa besimeve fetare. Por nga ana tjetër shohim qenien njerëzore, që është në kërkim të së vërtetës. Në këtë konfuzion shumëllojshmërish, çdonjëri që është në një kërkim, por edhe ne që jemi besimtarë në momente të caktuara na lind pyetja: Cilin duhet të besojmë, çfarë duhet të besojmë dhe si duhet të besojmë?!
Përgjigjen e saktë të kësaj pyetje e marrim sot të dashur besimtarë. Në të gjithë kishat orthodhokse në mbarë botën sot kujtohen Etërit që morën pjesë në Sinodin I Ekumenik. Sot, ne marrim sigurinë se ekziston një besim i vërtetë i krishterë. Sot mësojmë se Cilin duhet të besojmë dhe si duhet të besojmë. Sot, mësojmë se si Kisha e Krishtit përcakton atë që është e vërtetë dhe atë që është e gënjeshtërt.
Sinodi I Ekumenik u mblodh nga perandori Kostandini i Madh, i cili ishte me origjinë nga Iliria, në Nikea të Azisë së Vogël në vitin 325 dhe në të morën pjesë 318 etër të shenjtë të kishës. Arsyeja që u mblodh ky sinod ishte se në shek. IV në Aleksandri të Egjiptit ishte një prift me emrin Arios, i cili ishte shumë i njohur për dijet dhe zgjuarsinë e tij, por që kishte rënë viktimë e vetes së tij dhe kishte nxjerrë disa mësime të gabuara rreth personit të dytë të Trinisë së Shenjtë, Zotit Krisht. Këto mësime ishin në kundërshtim me mësimet e Ungjillit të Shenjtë dhe të Traditës së Shenjtë të Kishës dhe kishin shkaktuar përçarje në unitetin e Kishës së Krishtit.
Etërit e shenjtë, që morën pjesë në këtë sinod, të drejtuar e të frymëzuar nga Shpirti i Shenjtë duke patur të njëjtën frymë, të njëjtin mendim, të njëjtin besim, hartuan Simbolin e Besimit dhe shpjeguan dogmën e Trinisë së Shenjtë, që është një, e njëqenshme dhe e pandarë, siç thotë dhe Lavdia mëngjesore e ditës së sotme. Etërit e këtij sinodi hodhën poshtë mësimin e gabuar të Ariosit, i cili thoshte se Krishti nuk është i barabartë me Perëndinë Atë dhe se është krijesë e tij.
Por, ashtu si Ariosi në shek. IV, në kohë dhe epoka të ndryshme e padyshim edhe sot ka njerëz, që përpiqen me mësimet dhe veprimet e tyre të largojnë njerëzit nga Perëndia i vërtetë. Ata përpiqen që t’u imponojnë njerëzve atë që besojnë ata vetë dhe ashtu siç e kuptojnë ata duke u larguar nga e vërteta e Ungjillit dhe e besimit. Njerëz të tillë Apostull Pavli në pjesën e Apostullit të sotëm i quan “ujqër të këqinj” (Vep.20:29). Çdo “zbulesë” dhe çdo veprim i një personi apo i një grupi personash sado i sinqertë të jetë, nëse nuk përputhet me mësimet e Ungjillit të Shenjtë dhe të Traditës së Shenjtë, që përbëjnë themelin e besimit tonë dhe të unitetit me Zotin Krisht, ashtu siç na e trashëguan Etërit e Shenjtë të Kishës, atëherë kjo zbulesë është e gabuar dhe është e destinuar të dështojë. Apostull Pavli thotë shumë qartë: “Por edhe sikur ne, a engjëll prej qielli ju predikoftë tjetër ungjill e jo atë që ju predikuam, qoftë i mallkuar” (Gal.1:8)
Motra e vëllezër! Në Kishën Orthodhokse gjendet besimi i vërtetë në Perëndinë e vërtetë. Kjo sepse këto dogma e këto mësime janë pranuar nga ndërgjegjja e të gjithë Etërve të kishës sonë dhe jo nga besimi personal i njërit apo tjetrit.
Veç vërtetësisë së besimit, i cili shprehet nëpërmjet Unitetit të Ndërgjegjes së Etërve të Kishës nën udhëheqjen e Shpirtit të Shenjtë, Ungjilli i sotëm na vendos përpara një përgjegjësie shumë të madhe: përgjegjësinë, që këto të vërteta t’ua trashëgojmë edhe brezave të ardhshëm.
Por, si mund të arrihet kjo gjë? Kjo arrihet duke pasur një marrëdhënie të gjallë me Krishtin. Përsëri, si arrihet kjo marrëdhënie e gjallë? – një njeri megjithëse ka bërë vaksinat kur ka qenë i vogël, kur sëmuret edhe nëse mendon gjithë ditën për doktorin e spitalin nuk do të mund të shërohet nëse nuk shkon në spital, të takojë doktorin dhe të marrë mjekimin e nevojshëm. Kështu edhe ne nuk mjafton vetëm të pagëzohemi dhe ta kujtojmë Zotin e të vijmë në Kishë vetëm kur kemi nevojë ose kur janë Pashkët ose Krishtlindje.
Ka njerëz që pasi pagëzohen ata vetë ose fëmijët e tyre, vijnë në Kishë që të kungohen tri herë pas pagëzimit me llambadhën e pagëzimit e më pas zhduken, se mendojnë se i mbaruan detyrimet ndaj Kishës dhe Zotit. Pagëzimi është hapi i parë ku ne bëhemi pjesë e trupit të Kishës. Më pas ne duhet të vazhdojmë ta ruajmë këtë marrëdhënie të gjallë duke marrë pjesë në mënyrë aktive në misteret e shenjta të Kishës sonë që na udhëheqin dhe na mbushin me hirin e Shpirtit të Shenjtë.
Përgjatë këtyre 2000 vjetëve në të gjithë botën, miliona dëshmorë të krishterë (vetëm tre shekujt e parë kisha jonë numëron mbi 11 milion dëshmorë), murgjër, asktetë, klerikë, pohues të besimit, por edhe këtu në vendin tonë në Shqipëri, etërit dhe paraardhësit tanë ndër shekuj, Shën Asti i Durrësit, Shën Elefteri i Vlorës, Shën Joan Vladimiri, Shën Kozmai, Shën Nikodhimi e shumë shenjtorë të tjerë u torturuan, u masakruan dhe u martirizuan nga romakët, nga otomanët, por edhe nga regjimi ateist komunist për shkak të besimit të tyre. Ky vend është vaditur nga gjaku i shumë martirëve që kanë rënë për besimin.
Ky fakt na vendos përpara përgjegjësisë së madhe që ta ruajmë besimin e paraardhësve tanë.
Është detyra e ne të gjithëve, klerikë e laikë, t’u mësojmë fëmijëve tanë të vërtetat e besimit tonë.
Të inkurajojmë dhe jo të pengojmë fëmijët dhe të rinjtë të vijnë në Kishë dhe në katekizëm. Mundësisht në kishë të vijmë familjarisht. Kush dëshiron të krijojë një familje me themele të shëndosha, kjo arrihet duke pasur Krishtin si udhëheqës në jetën e tyre.
Është përgjegjësia dhe detyrimi ynë, që pishtarin e ndezur të besimit, që buron nga Zoti i ngjallur dhe që na e trashëguan brez pas brezi për 2000 vjet Apostujt dhe Etërit e Shenjtë të Kishës, të mund t’ua transmetojmë brezave të ardhshëm. Amin.

Përgatitur nga At SPIRO Kostoli

Etërit e Sinodit I Ekumenik