/ Predikime-Katekizma- Artikuj / Protestantët rreth nderimit të Shën Marisë

Protestantët rreth nderimit të Shën Marisë

Protestantët rreth nderimit të Shën Marisë

 

Kisha Orthodhokse i kushton pelegrinazh nderues dhe respektues personit të Hyjlindëses, e cila u bë ura që bashkoi tokësorët me qiellorët. Prandaj e ka vendosur në të djathtë të Zotit dhe ndërmjeton me lutjet e saj.

Por, protestantët e mohojnë këtë nder në personin e saj, se edhe vetë Krishti, thonë, nuk e nderonte dhe e quante thjesht grua. Mbështeten kryesisht në këto vargie: “Kur ai po thoshte këto, një grua nga turma ngriti zë e tha: ‘Lum barku që të ka mbajturë dhe gjinjtë që ke thithur.’ Por ky tha: ‘Lum më tepër ata që dëgjojnë fjalën e Perëndisë dhe e ruajnë.’ (Luk. 11:27-28)

Me një fjalë Zoti lumëroi më tepër nga nëna e tij, çdo njeri që dëgjoi fjalën e Perëndisë.

U përgjigjemi si më poshtë në këtë kureshtje të protestantëve: Në këto vargje Krishti u drejtohet më tepër mentalitetit të grave dhe jo vlerës së nënës së Tij. Kjo grua e thjeshtë nga turma, pa njohur se cila është nëna e këtij Mësuesi, e lumëron, siç do të mund të thoshte edhe sot të njëjtat fjalë, një grua e thjeshtë mondane. D.m.thënë, e lumur qoftë nëna që të lindi e të rriti, pavarësisht nëse ajo nënë ka nga Perëndia vlerën e saj dhe nuk ka nevojë për urata e lavdërime.

Shën Maria është e lëvduar nga Perëndia dhe kjo duket  në këto vargie: Engjëlli e quajti edhe të gëzuar edhe të bekuar ndërmjet grave (Luk.l:28). Vetë Hyjlindësja parashikon për veten e saj: “e pas kësaj gjithë brezat do t’më lumërojnë…”(Luk.l:48). 

Ne orthodhoksët e nderojmë Hyjlindësen siç e nderoi dhe iu falë kryeëngjëlli Gabriel duke i trasmetuar mesazhim se do të lindë Birin e Perëndisë. (Luk.l:29)

Protestantët bazohen në një fragment tjetër duke insistuar se Zoti sillej me përbuzje me nënën e Tij. Thonë se Zoti në dasmën e Kanas, ofendoi nënën e Tij me këto fjalë: “Ç’ke me mua, o grua, ora ime ende s’ka ardhur.” (Joan.2:4)

U përgjigjemi në këtë mënyrë: Në rast se do t’i kishte bërtitur Krishti nuk do t’u thoshte Hyjlindësja njerëzve të mbledhur “Bëni çfarë t’ju thojë.”Dhe më e mrekullueshmja është se Zoti plotëson dëshirën e saj duke transformuar ujin në verë. E dinte Shën Maria se Krishti mund të bëj mrekulli, prandaj dhe i parashtroi kërkesën në mënyrë të përulur dhe servile: “Nuk ka më verë.” Krishti duke dashur që në atë çast të tregojë origjinën e Tij hyjnore, kryerjen e mrekullive dhe të shenjave të tjera në botë që të lavdërohet Perëndia At nëpërmjet Tij thotë: Çfarë e përbashkët egziston tani, o grua, midis nesh që si Mesia përdor fuqinë hyjnore të Atit tim? Nuk ka ardhur ende ora të bëj mrekulli dhe të shfaqem publikisht si Mesia”. Vetë thotë: “Nuk erdhi ora ime…”, ndërsa që nga ai çast duke iu bindur nënës së tij, filloi të bëjë mrekullitë e Tij. Por, nuk donte që e Tërëshenjta nënë e Tij t’i propozojë për fillimin e mrekullive, sepse për to Zoti do të merrte urdhër vetëm nga Perëndia At.

Pra, shohim se Jisui nuk ofendoi nënën e Tij për mungesë respekti dhe dashurie për atë. Fakti se Krishti iu bind dhe bëri mrekulli, tregon se sa e donte dhe e dëgjonte. Edhe fjala “grua” nuk është sharje. Thjesht tregon natyrën e seksit (gjinisë) se ajo i takonte seksit femëror. Dhe përsëri në vend tjetër e takojmë këtë fjalë, kur Zoti mbi kryq i thotë nënës së vet: “Grua, na yt bir.”(Joan. 19:26). Nuk e shan, as e nënvleftëson. Por edhe në atë epokë fjala “grua” ishte e barazvlefshme me fjalën e sotme “zonjë”dhe madje “zonjë e nderuar”.

Por edhe kur Krishti pyet Maria Magdalenën me fjalët: “Grua, përse qan? Cilin kërkon?” (Joan.20:15) sigurisht nuk e pyet me zemërim dhe ligësi, por me dashuri dhe dhembshuri atërore.

Na pyesin protestantët: “Si ndodh që nëna e Zotit është më lartë se të gjithë shenjtorët dhe e quajnë të Tërëshenjtë?

Apostull Pavli thotë: “Ne vuajtëm bashkë me të që edhe të lavdërohemi bashkë me të (Rom.8:17). Kush më shumë nga gjithë njerëzit bashkëpësoi dhe bashkëvuajti në krah të Birit të saj të kryqëzuar sa nëna e Tij, Hyjlindësja Mari? Shën Simeon hyjdhënësi i thotë Shën Marisë: “Edhe ty vetë shpirtin një shpatë ka për ta depërtuar”(Luk.2:35), që tregon provën e madhe së cilës iu nënshtrua duke parë Jisuin në kryq. Si ka mundësi ajo që kaq shumë iu dhembs, kaq shumë deshi botën, kaq e pastër dhe e pa infektuar qëndroi në gjithë jetën e saj, ajo që u bë banesë e Perëndisë, të mos bashkëlavdërohet me Birin e saj dhe të mos qëndrojë mbi gjithë shenjtorët?

Protestantët mohojnë ndërmjetimet e Hyjlindëses, të mbështetur në: “Sepse një është Perëndia, një është ndërmjetësi midis Perëndisë dhe njerëzve, njeriu Jisu Krisht”(I Timot.2:5). Thonë se vetëm Jisui është ndërmjetës midis Perëndisë dhe njerëzve, si rrjedhim refuzohet Hyjlindësja.

Këtij vargu i përgjigjemi: flet për ndërmjetës midis Perëndisë dhe njerëzve dhe jo midis Jisuit dhe njerëzve. Eshtë e vërtetë se asnjë nuk është ndërmjetës i njerëzve para Atit përveç Krishtit. Vetëm Ai ofroi veten e Tij theror për gjithë njerëzit. Kur ne i lutemi Shën Marisë, i kërkojmë që të ndërmjetësoj tek Biri i saj si Nënë e Tij që është për të na ndihmuar dhe shpëtuar. Pra Shën Marinë e përdorim si ndërmjetëse midis Jisuit dhe njerëzve dhe jo midis Perëndisë At dhe njerëzve, pozitë në të cilën ndodhet si ndërmjetës i vetëm Shpëtimtari Krishti. Në këtë mënyrë lutjet tona drejt saj: “E përmbishenjtë Hyjlindëse shpëtona”, “Nuk kemi tjetër ndihmëse që të na ndihmojë më tepër nga ty, Nënë e Shpëtimtarit tonë”, “O e Tërëshenjtë Hyjlindëse shpëtona ne”, do të thotë lutju Birit tënd të na shpëtoje, e tërshenjta ime shpëtomë. Në gjuhën greke fjala “shpëtoj” do të thotë shumë gjera, siç shpëtoj nga ngasja, nga mërzitja, nga një provë, nga një e keqe, një nevojë, “shpëtona” nuk do të thotë “falna mëkatet tona” sepse e Terëshenjta nuk fal mëkate, por nënkuptojmë “lutju Birit tënd për shpëtimin tonë”.

Respekti ynë për të Tërëshenjtën kurrë nuk tejkalon respektin tonë për Birin, i Cili e zgjodhi, e shenjtëroi dhe e bëri Nënë-të Tij.

Se e Tërëshenjta nuk shpëton, e thotë edhe vetë ajo duke pohuar Krishtin si Shpëtimtarin e saj: “Shpirti im madhëron Zotin dhe mendja ime u ngazëllua për Perëndinë Shpëtimtarin tim” (Luk. 1:46~ 47).

Më qartë na thotë një lutje e proskomidhisë së Kishës sonë: “Me kryqëzimin tënd, o Krisht, shkatërrove tiranët. As ëngjëjt, as njerëzit, nuk na shpëtojnë, por vetëm Zoti i Madh.”Pra, as Hyjlindësja si njeri nuk është burimi i shpëtimit tonë.

 

Botuar nga “KOSHERJA ORTODOKSE”

SELANIK

 

Protestantët rreth nderimit të Shën Marisë