/ Jetë Shenjtorësh dhe Asketësh / Hierodëshmor Irineu i Lionit

Hierodëshmor Irineu i Lionit

Hierodëshmor Irineu i Lionit

 

Meqenëse që fëmijë shkonte shpesh te shën Polikarpi i Smirnit (23 shkurt), do të ketë lindur në Smirni, rreth vitit 140. Haset në vitin 177 si prift në Lugdunë (Lion), në Francë. Gjatë persekutimit, Mondanizmi, një herezi e re, e cila ishte e pëlqyer për kushtet e atëhershme, sepse predikonte se po afronte ardhja e Zotit, tërhoqi kryesisht të krishterë të burgosur të painformuar. Prandaj, këta, me anë të Irineut të zellshëm, i dërguan një letër, në favor të asaj herezie, episkopit të Romës, Elefterit, i cili e kishte dënuar si herezi. Por megjithëkëtë, Irineu mbeti orthodhoks.

Besimtarët e bënë kryebari të tyre, pas ekzekutimit të episkopit të tyre, Pothinit, i cili gjithashtu ishte nga Azia e Vogël (177 ose 178). Teksti i martirizimit të tyre, nga më të vjetrit dhe më të bukurit, u përshkrua sipas të gjitha gjasave nga Irineu. Ai u mundua për përhapjen e Krishterimit te grekët, latinët e keltët dhe njëkohësisht luftoi herezitë. Atë i shquar e theolog autentik, zotërues i retorikës, i letërsisë dhe i filozofisë, në sajë të autoritetit të tij ndërhynte paqësisht në problemet kapitale mbarëkristiane.Kështu vërtetoi se ishte shumë më e keqe skizma e Kishës, sesa kremtimi, qoftë edhe i festës kulmore të Pashkës, në data të ndryshme. U martirizua në vitin 202 me shpatë.

Tepër produktiv dhe i talentuar, i ndërgjegjshëm dhe hulumtues i palodhur, ai kompozoi shumë, por ruhen vetëm pak vepra apologjitike, eklisiologjike, didaktike e dogmatike; ruhen, kryesisht ato antiheretike, siç është vepra e shkëlqyer “Kontrolli e përmbysja e Dijes pseudonime”.

Me dëshirë e pasion, Irineu e paraqiti Kishën si mbajtëse të Hirit e të autoritetit të besimit të drejtë, që iu dorëzua asaj, në mënyrë të shkruar e të pashkruar nga Krishti, me anën e apostujve. Si misticist i parë, ai nënvizoi shikimin, pjesëmarrjen e Perëndisë dhe hyjnizimin. Referoi si simbole të Ungjillorëve katër qeniet e gjalla (luanin, viçin, njeriun e shqiponjën sipas Apokalipsit 4:7) dhe Hyjlindësen si kundërpeshë të Evës.
Irine, greqisht do të thotë: paqësor.

 
 

Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë 

 

Hierodëshmor Irineu i Lionit