/ Jetë Shenjtorësh dhe Asketësh / Shën Vlashi

Shën Vlashi

Shën Vlashi 

 

Jeromartiri i lavdëruar i Krishtit Vlashi, lindi në Azinë e Vogël në krahinën e Pontit dhe jetoi në vitet e mbretërisë së Likinit 308-323 pas Krishtit. Shën Vlashi u bë Episkop në Sevasti, i cili ishte qytet i lashtë në Azinë e Vogël Lindore. Por para se të martirizohej dhe para se të bëhej Episkop i Krishtit, jetonte një jetë të denjë për t’u lavdëruar dhe admiruar, sepse ishte edhe ai si Jobi i Dhjatës së Vjetër, i patëkeq ( i padjallëzuar).

Jetonte me besim dhe me devotshmëri ndaj Zotit pa pasur lidhje me gjëra mëkatare dhe me dëshira të liga. U largohej shoqërive të këqija. Shenjtori kishte studiuar shkencën e mjekësisë. Njohuritë që mori nga ajo kontribuan në atë që të forcohej më tepër besimi dhe shprestaria e tij. 

Në studimin e trupit të njeriut, të kësaj bote të vogël të mrekullueshme, mjeku Vlash shikonte shembuj të panumërt dhe të çuditshëm të urtësisë së Perëndisë dhe vëzhgonte funksionimin e denjë për t’u admiruar të të gjithë organeve të trupit njerëzor. Do të ishte marrëzi, – mendonte, që t’ia dedikojë dikush fatit ose rastësisë, sepse të gjitha këto dëshmojnë dhe shfaqin me mënyrën më të mrekullueshme Krijuesin e Gjithfuqishëm dhe të Gjithëditur, Perëndinë. I menduar rreth këtyre mbërriti në atë që thotë Apostull Pavli: Në fakt cilësitë e Tij të padukshme, fuqia e Tij e përjetshme dhe hyjnia e Tij, duke qenë të dukshme nëpërmjet veprave të Tij që nga krijimi i botës, shihen qartë, me qëllim që ata të jenë të pafalshëm” (Rom.1.20).

Punën e mjekut e bënte me shpirtin e njeridashjes dhe të bamirësisë. Futej brenda në shtëpitë e të sëmurëve me një interesim të vërtetë dhe dashuri që t’u shërbente dhe t’i shëronte. Shumë here, jo vetëm që i vizitonte falas, por u jepte dhe ilaçet falas. Kur ai vet nuk mund t’i paguante, trokiste në dyert e të krishterëve të mirë dhe me fjalë mjaft prekëse arrinte të hapte zemrat e tyre.

 Por marrja me profesion mjekësor nuk e pengoi që ai të studjonte me zell Shkrimin e Shenjtë dhe libra të tjerë fetarë. Kështu u tregua si një nga figurat më të mëdha të epokës së tij brenda në botën e krishterë. 

E mira dhe virtyti duken, lavdërohen dhe respektohen. Prandaj të krishterët këmbëngulën dhe e bënë Episkop në Sevasti.

Si Episkop tani punonte me shumë zell. Ishte i armatosur me besim të fortë tek Perëndia dhe dashuri ndaj njerëzve. Kishte njohuritë e nevojshme, sepse njihte mirë Shkrimin e Shenjtë si dhe shkrimet e Etërve Apostolikë dhe të Etërve Mbrojtës (Apologjistë).

Kishte studiuar gjithashtu si mjek që ishte, dhe trupin njerëzor. Prandaj dhe i mësonte besimtarëve sadopak për këtë që ishte një vepër e Krijuesit dhe zbatonte në praktikë predikimin e dashurisë së krishtere. Kishte pra një ndikim të krishterë të lavdëruar dhe të mrekullueshëm në Episkopatën e tij.

Por shpirti i tij nuk gjente prehje në botë, dëshironte vetminë. Dëshironte  përsosmërinë. “Dëshironte të jetonte “i vetëm me Perëndinë”. Për këtë iku në shkretëtirë dhe shkoi dhe asketizoi në Malin Argjeo. Ishte ky një mal i Kapadokisë . U vendos brenda në një shpellë. Atje pra, gjeti atë që dëshironte shpirti i tij. Gjeti qetësinë dhe lutej tek Perëndia pa zhurmë  dhe me zemër të pastër larg britmave dhe zhurmave të botës. Atje luftonte rreptë me veten e tij dhe përparonte vazhdimisht në shenjtërim dhe në bashkim me Perëndinë.

Sa më shumë ai kërkonte qetësinë dhe largohej nga njerëzit, aq më shumë njerëzit shkonin tek ai. Nuk e linin të qetë. Të gjithë ata që ishin afër shikonin virtytin  e tij, dhe e donin, e respektonin dhe vinin që ta takonin. Kaq kishte përparuar në shenjtëri sa dhe bishat qetësoheshin dhe nuk largoheshin nga ai, nëse ai nuk vinte duart sipër tyre që t’i bekonte. 

Kështu, shkretëtira e egër dhe e rreptë u bë një qoshe e Parajsës së Edenit ku Adami para se të mëkatonte qëndronte midis bishave të egra që ishin si dele të urta e të qeta. Dhe në shumë shenjtorë dhe asketë është vënë re fenomeni i mrekullueshëm të jetojnë pranë tyre bishat e egra, të qeta dhe të bindura, si tek Danieli në gropën e luanëve, si tek Shën Gjerasimi dhe tek shumë e shumë të tjerë. Kur fatkeqësisht egërsohen pasionet brenda nesh, atëherë egërsohet e gjithë bota. Por dhe kur qetësohemi ne nga  shenjtëria dhe mirësia, atëherë qetësohet  dhe natyra përreth nesh. 

Njëherë  sundimtari Agrikola dërgoi gjuetarë që të gjuanin në mal kafshë të egra. Kur erdhën gjuetarët afër shpellës, panë të grumbulluara kaq shumë bisha, por që ishin të qeta dhe  mrekulloheshin dhe habiteshin për këtë. Erdhën më afër dhe gjetën Shenjtorin atje që i lutej Krishtit. U kthyen tek sundimtari dhe i thanë që gjetëm në një shpellë një të krishter.

I treguan dhe këto gjëra të çuditshme që panë. Ai i dërgoi përsëri bashkë me ushtarë të tjerë, që të kapin Shenjtorin, por gjithashtu dhe të gjithë të krishterët që do të takonin atje. Sapo mbërritën të dërguarit, gjetën Shenjtorin duke u lutur në shpellën e tij dhe i thanë:

– Dil shpejt jashtë. Të kërkon Sundimtari.

Shën Vlashi nuk u trondit aspak, kur i pa të vijnë përsëri me dëshira të liga, as nuk e humbi guximin e tij, as u hidhërua. Por tregoi gëzim të madh dhe mirësi dhe iu tha qetë dhe pa u tronditur:

– Po bijtë e mi, me kënaqësi të shkojmë, sepse këtë natë më kujtoi Perëndia dhe më shfaqi ardhjen tuaj.

Kur po ecnin rrugës, shumë idhujtarë duke parë butësinë e Shenjtorit, u kthyen në Perëndinë e Vërtetë. Sigurish, ndihmuan për këtë kthim të  tyre dhe lutjet e Shenjtorit. Kontribuan gjithashtu dhe disa mrekulli, sepse njëkohësisht bëheshin mrekullira rrugës nga Shenjtori. Të sëmurët morrën përsëri shëndetin e tyre. Perëndia me këto mrekullira dëshironte të tërhiqte vëmendjen e njerëzve, gjithashtu dëshironte  të nderonte dhe të lavdëronte  Shenjtorin, i cili u përpoq në mënyrë mbinjerëzore në gjithë jetën e tij dhe gjithashtu të besonin idhujtarët që qëndronin akoma në idhujt.

Midis mrekullive të tjera ndodhi dhe kjo:

Djali i vetëm i një gruaje, ndërsa po hante peshk, i ngeci në fyt një halë dhe menjëherë qëndroi pa folur. E ëma sapo e pa, ndjente dhimbje më shumë se fëmija i saj. Kur mësoi për mrekullitë e Shenjtorit shkoi atje ku e kishin çuar atw në një vendbanim të përkohshëm ushtarësh dhe thërriste me sa mundte me zë të lartë, që t’i vinte keq Shenjtorit, sepse për pak dhe fëmija i saj do të vdiste.

Shenjtorit me të vërtetë i erdhi keq dhe u lut duke thënë:

– “Perëndia im, Ti që dëgjon të gjithë ata që ftojnë me besim Emrin Tënd,  pranoje të lutem dhe lutjen time dhe nxirre me fuqinë Tënde të Shenjtë halën nga fëmija. Dhe nëse ndodh në të ardhmen në njerëz ose në kafshë ndonjë e keqe e tillë dhe ftojnë Emrin Tënd duke thënë: “O Perëndi, me ndërmjetimet e shërbëtorit Tënd Vlash, ndihmomë”, dhuroi dhe atyre  shërimin, për lavdi të Emrit Tënd të Madh”.

Sapo Shenjtori tha këto, menjëherë u bë mirë fëmija pa ndjerë asnjë dhimbje. Atëherë e ëma nga e hidhëruar që ishte u bë e ndritshme nga gëzimi. Shenjtori pas martirizimit të tij mori nga Perëndia hirin që të shërojë ata që vuajnë nga fyti dhe nga grykët. Gjithë sa vuajnë nga këto sëmundje  dhe e thërrasin  me besim, marin shërimin e tyre.

Ja vlen të përmendet dhe një mrekulli tjetër:

Një grua  që ishte vejushë dhe e  varfër, i gllabëroi ujku një derr të vogël , i cili ishte pasuria e vetme e saj. Vraponte edhe ajo në rrugën ku po ecte Shenjtori dhe qante për fatkeqësinë e saj.

Shenjtori pasi qeshi lehtë, i tha: 

– Mos u mërzit. Ja, tani kudo që të jetë, do ta sjellë të gjallë.

Ujku humbi menjëherë vetinë e tij natyrale, egërsinë dhe ia solli derrin gruas së varfër.

Ushtarët mbërritën në Sevasti dhe sipas urdhërit të sundimtarit, e  burgosën Shenjtorin. Ditën tjetër urdhëroi sundimtari dhe sollën para tij Shenjtorin, dhe filloi t’i flasë me butësi si të ishte miku  i tij, duke i thënë:

– Përshëndetje Vlash, mikuPerëndive të mëdha.

I thotë Martiri:

 Përshëndetje dhe ti, sundimtar. Por të mos quash Perëndi demonët. Ta dish se, të gjithë ata që besojnë tek demonët do të torturohen përgjithmonë bashkë me ata  në flakën e përjetëshme të Ferrit.

Sapo dëgjoi këto sundimtari u inatos dhe dha urdhër ta rrihnin Shenjtorin me shkopinj të trashë. Shenjtori në momentin që e fshikullonin i tha:

– Mos mendo, i pandjeshëm, që ndëshkimet dhe fuqitë njerëzore mund të mundin dashurinë dhe fuqinë e Krishtit i Cili më lehtësoi dhimbjet.

Mbasi Shenjtori tha këto, sundimtari e dërgoi përsëri në burg. Shumë njerëz vështronin martirizimin e Shenjtorit.

Kur i mori vesh dhe ajo vejusha e varfër dhe besimtare vuajtjet e Shenjtorit,  dëshironte ta falenderonte dhe ta ngushëllonte. Për këtë ajo therri derrin të cilin i solli pas ujku me mbrojtjen e Shenjtorit, poqi kokën dhe këmbët, mori me vete dhe fruta dhe shkoi në burg pa u frikësuar nga rojet. M.q.s ishte errësuar, ajo ndezi qirinj. Duke rënë në këmbët e martir Vlashit, i lutej të hante nga ato që i solli. Shenjtori iu bind gruas dhe duke e falendëruar atë, hëngri nga ushqimet dhe e bekoi për shërbimin e mirë.

 Pastaj i tha asaj:

– Shko, dhe kështu të më festosh çdo vit. Shpresoj tek Perëndia të mos mungojnë kurrë të mirat në shtëpinë tënde. Por, dhe kushdo tjetër që do të të imitojë, do  marë  gjithmonë bekim të madh nga Perëndia. Mbasi kjo vejushë e lumur mori këtë porosinë e mirë dhe bekimin prej Shenjtorit, u kthye në shtëpinë e saj.

 Sundimtari më pas solli përsëri Martirin në gjykatë dhe i thotë:

– Do t’u flijosh Perëndive Vlash, apo dëshiron që të vdesësh?

Martiri i tha:

– Kush ka mendje nuk flijon tek Perënditë e bëra nga duar njerëzore.

Sapo Martiri tha këto, e varën menjëherë  në një dru dhe i shqyen brinjët. Sado që e torturuan me këtë mënyrë të frikshme, ai nuk u frikësua aspak. Përkundrazi thoshte:

– Unë nuk kam frikë nga torturat e tua, sepse besoj në shpërblimet e përjetshme në të cilat mbështes shpresat e mia. E zbritën nga druri dhe e dërguan përsëri në burg.Në rrugë kur po e çonin në burg, e ndiqnin pas shtatë gra besimtare dhe të virtytshme. Ato lyenin trupin e tyre nga pikat që binin nga gjaku i Shenjtorit. Këto pika ishin për ato miroja më e bukur dhe më e shtrenjtë. Kjo u bë shkak për ato, që të marrin dhe  “shpërblimin”e besimit, të dëshmojnë për lavdinë e Krishtit, sepse menjëherë u arrestuan si të krishtera. Sundimtari i urdhëron ato, që të flijojnë tek idhujt. Por këto gra të bekuara u ndriçuan nga një ide e zgjuar dhe thanë:

– Nëse  dëshiron të flijojmë, na lër të shkojmë në liqenin që është këtu afër dhe pasi të lahemi dhe pastrohemi t’u falemi dhe t’u ofrojmë therore atje.

U bind sundimtari dhe bëri si i thanë.

Por ato bënë këtë gjë: Morën Perënditë, d.m.th statujat e vogla dhe i vunë në një thes. Dhe kur mbërritën në liqen, i hodhën idhujt në thellësi të liqenit, duke thënë:

Kështu ju duhej, sepse ju u bëtë shkak të bien shumë njerëz në thellësinë e humbjes.

Kur e mori vesh këtë gjë sundimtari, u zemërua shumë. U skuq nga inati dhe urdhëroi t’i sillnin para tij shtatë gratë dhe iu thotë: 

– Përse e bëtë këtë gjë?  Përse përdorët mashtrim ndaj Perëndive?

-Perëndia e Vërtetë, – iu përgjigjën ato, nuk i frikësohet mashtrimeve.

Atëherë sundimtari dha urdhër  dhe ndezën një kaminë të madhe, brenda së cilës tretën plumba. Sollën atje dhe krëhëra të hekurt. Nga ana tjetër sollën veshje të ndritshme dhe u thoshte atyre sundimtar Likini të zgjedhin një nga të dyja: 

Ose të flijojnë që të nderohen, ose të vdesin me vdekje të frikshme brenda në kaminë me plumb të tretur.

Atëherë një nga gratë, që ishte nënë me dy fëmijë, mori veshjen e ndritshme që i dha mbreti dhe e hodhi në kaminë. Të dy fëmijët i thoshin asaj:

– Nënë, mos na ler të humbasim në këtë botë që është e mbushur me mëkate. Na merr dhe ne me vete në Mbretërinë e Perëndisë. Dhe ashtu si na ushqeve me qumështin tënd nënor, kështu dhe tani na pasuro ne, me të mirat e Mbretërisë së Qiejve.Sa besim të përjetshëm kishte rrënjosur nëna e shenjtë në shpirtet e fëmijve sa kërkojnë dhe ata të martirizohen! Kështu i ushqenin fëmijët e tyre nënat e krishtera atëherë. Kujdeseshin për prokopinë e vërtetë të fëmijve që ishte shijimi i Mbretërisë së Perëndisë.

Atëherë mbreti jep urdhër t’i varin dhe të shqyejnë trupin e tyre me krëhërat e hekurta. Ishte një martirizim i tmerrshëm.

E pra! Atëherë mrekulli të çuditshme panë të gjithë sa ndiqnin martirizimin e tyre. Panë që në vend që të rrjedhë gjak nga plagët e tyre, rridhte qumësht. Gratë e shenjta dukeshin të ndritshme si bora. Ndodhi pra, mrekullia që ndodhi dhe tek Shën Pandelejmoni kur i prenë kokën. Njëkohësisht ëngjëjt e Perëndisë mjekuan plagët e tyre dhe u thanë:

– Mos u frikësoni. Punëtori i mirë nuk mjafton  vetëm që të fillojë një punë, por duhet edhe ta mbarojë atë. Dhe ju pra, të mbaroni mirë përpjekjen tuaj, që t’ju denjësojë Perëndia të shijoni jetën e përjetëshme. 

Likini tha që këto mrekulli u bënë me magji. Atëherë sundimtari i pandjeshëm i zbriti nga druri dhe në vend që të pendohet, urdhëroi nga egoizmi dhe inati i tij që t’i hidhnin brenda në kaminë. Flaka u shua dhe ato dolën nga kamina pa pësuar dëmin më të vogël. Kjo ishte një mrekulli që e panë të gjithë me sytë e tyre. Por sundimtari fatkeq Agrikola m.q.s kishte shpirt dinak dhe të çoroditur, duke parë këto, thoshte që nuk janë mrekullira, por janë si rezultat i magjisë. Prandaj, i urdhëroi përsëri që të flijonin. Dhe ato iu përgjigjën në mënyrë të guximshme:

-Mos u përgënjeshtro, o fatkeq, sepse ne tashmë që kemi hyrë në Mbretërinë e Qiejve  do të kthehemi tani prapa, që të hyjmë në Ferr?

U zemërua atëherë sundimtari dhe dha urdhër që t’u presin kokat. Kur ato arritën në vendin e martirizimit u lutën duke thënë:

– Zot,  na rendit edhe ne me martiren Tënde të parë Thekla, dhe me lutjen e shenjta të Atit tonë Vlash, i cili u bë udhëheqësi ynë në këtë përpjekje, na bëj të denjë   për  shijimin e jetës së përjetëshme.

 Sapo mbaruan lutjen, vijnë edhe dy fëmijët tek  nënat e tyre duke thënë:

– Kurorat tuaja janë tashmë gati nga Perëndia, nga Mbreti Qiellor. Na dorëzoni dhe ne në atletin e Krishtit Vlash. Lutuni qw të na marrë nën mbrojtjen dhe drejtimin e tij. Kështu edhe u bë.

Më pas xhandari preu kokat e grave të shenjta, të cilat ishin me të vërtetë fryti shpirtëror i Vlashit të Shenjtë dhe mburrja e Besimit tonë.

 Atëherë sollën Shën Vlashin nga burgu në gjykatë dhe sundimtari i thotë:

– Vlash do të flijosh apo jo?

– Si,  një  njeri me mendje, – tha Shën Vlashi, do të pranonte t’u falej neverive të tilla që shkaktojnë pështirësi?

– Në qoftë se në këtë rast, – i thotë sundimtari, do të të hedh brenda në liqen, mund Perëndia jote të të mbrojë? ( Ai liqen ishte pikërisht  ai që  dikur ishte i ngrirë dhe sipër tij u martirizuan 40 martirë).

– Provoje dhe do të kuptosh, – u përgjigj Shenjti. Me të vërtetë! Sa besim të madh kishin Shenjtorët!Urdhëron menjëherë sundimtari dhe e hedhin Shenjtin në liqen. Ai pasi bëri shenjë e Kryqit të Nderuar dhe qëndronte i paprekur dhe  i padëmtuar sipër ujrave, si të ishte jashtë në tokë të thatë dhe u thoshte idhujtarëve që ndodheshin atje:

– Nëse kanë dhe Perënditë tuaja ndonjë fuqi, hajde hidhuni edhe ju këtu brenda që të shohim fuqinë e tyre.

Kur dëgjuan këtë disa idhujtarë të pamendë, fanatikë dhe krenarë, u hodhën në liqen. Ishin 68 burra. Por menjëherë  fatkeqët u mbytën. Shkuan si plumbi në thellësi të liqenit. Por në atë moment u shfaq ëngjëlli i Zotit, pëshëndeti Shenjtorin dhe me gëzim të madh dhe ndriçim  i thotë:

– Dil jashtë dhe merr kurorën e fitores dhe të martirit, që të përgatiti Krishti. Tani do të mbarojnë martirizimet e tua.

Me të vërtetë Martiri doli jashtë duke ecur mbi ujërat si të ecte në tokë të thatë. Fytyra e tij ndrinte si dielli. Atëherë sundimtari përsëri i thotë:

– Vlash, përse përdor magji? Përse je kokëfortë? Përse nuk flijon në Perënditë e mëdha?

– Unë, – u përgjigj Shenjtori, jam shërbëtor i Jisu Krishtit dhe nuk i falem demonëve.

Mbasi  sundimtari pa që të gjithë mundimet e tij shkuan kot dhe nuk mund të ndryshojë mendje Shenjtori, u dëshpërua dhe nxori urdhër që thoshte:

– “M.q.s Vlashi nuk ju bind as fjalëve të mia, as urdhërit të mbretit, por u bë shkak të mbyten 68 ushtarë, urdhëroj t’i presin kokën bashkë me dy fëmijët”.

Kur Shenjtori dëgjoi vendimin, iu lut Zotit, duke thënë midis shumë të tjerave dhe këto:

– “Zot, Perëndi i fuqive, dëgjomë mua shërbëtorin tënd dhe  jep ndihmën Tënde tek çdokush që më fton, ose në sëmundje, ose në ndonjë nevojë tjetër për lavdi të Emrit Tënd të Shenjtë”.

Kështu ai u lut dhe lutja e tij u dëgjua nga Perëndia, ashtu si e treguan dhe kohrat e mëpasshme, sepse të gjithë sa janë në vështirësi duke thirrur emrin e tij me besim, i  ndihmon.

Më pas xhandari merr Shenjtorin dhe dy fëmijët dhe i drejton në vendin e martirizimit. Atje preu kokat e tyre të shenjta sipër në një gur, që ishte prej pjesës së brendshme të murit të Sevastisë. Disa besimtarë morën trupin e tij dhe e varrosën me shumë nderime. Bashkë me të varrosën edhe dy fëmijët. Pas shumë kohësh një grua shprestare që jetonte me frikë Perëndie u kujdes dhe zbukuroi varrin e tij.

Ndërsa vejusha e varfër shprestare pas vdekjen së shenjtorit nuk harroi porosinë e tij që i la kur shkoi në burg. Prandaj e festonte çdo vit ashtu si i tha. Pranë saj edhe shumë të tjerë imituan shembullin e saj dhe e festonin Shenjtorin me ndriçim. Të gjithë merrnin bekimin e shenjtorit dhe mbushej shtëpia e tyre me lumturi.

Kujtimi i Shenjtit festohet më 11 Shkurt.

U martirizua Shën Vlashi në qytetin Sevasti në vitin 316 pas Krishtit, kur në këtë qytet ishte sundimtar, ashtu si e përmendëm dhe në fillim, Agrikola. Prej tij vuajti Shenjtori martirizimet.

Është e vërtetë që Shenjtori vuajti në jetën e tij. E mundoi trupin e tij me asketizëm gjithë jetën , dhe në fund derdhi dhe gjakun e tij, veçse realizoi qëllimin e tij, duke vdekur për Jesu Krishtin. 

Dhe tani në qiejtë shijon jetën e vërtetë pranë Krishtit, shijon ngazëllimin e pafund. Tek të gjithë që i luten me besim iu dhuron shpëtimin e shpirtit dhe të trupit. 

Të panumërta janë mrekullitë e tij që ka bërë deri më sot. 

Dhe ne duhet t’i lutemi atij gjithmonë, që të na ndihmojë në vështirësitë e jetës sonë dhe të na dhurojë kërkesat shpëtimtare. Ai ka marë hir nga Perëndia.

Shën Vlashi shëron në mënyrë të veçantë, ashtu si e thamë më sipër, ata që vuajnë nga grykët dhe nga fyti. 

Shën Vlashi nderohet kudo, në mënyrë të veçantë nderohet në Korinth. Në Trikala të Korinthit ka një manastir të vjetër që mban emrin e Shën Vlashit.

 

Ja dhe përlëshorja e Shenjtorit:

 Sipas emrit ti mbive si pemë e frytëshme,

Hierarku i Zotit i lavdëruar Shën Vlash,

i shfaqe botës frytet e martirizimit

dhe burove pasurisht dhuratat e çudirave.

Hierodëshmor i hyjshëm, lutu për ata që më ty përikin,

me përkrahjen e ndërmjetimit tënd.

 

Me ndërmjetimet e Shën Vlashit o Zoti Jisu Krisht Perëndi, mëshirona dhe shpëtona. 

 

 

Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqiperise 

 

Shën Vlashi