/ Ungjilli i të djelës / E Djela e Samaritanes

E Djela e Samaritanes

 

E Djela e Samaritanes

 

Joani 4:5-42

5Vjen pra në një qytet të Samarisë që quhet Sihar, afër vendit që i dha Jakovi Josifit, birit të tij. 6Edhe atje ishte një pus i Jakovit. Jisui pra, pasi ishte i lodhur nga rruga, ishte ulur kështu pranë pusit. Ora ishte rreth së gjashtës. 7Vjen një grua nga Samaria të nxjerrë ujë. Jisui i thotë asaj: Jepmë të pi. 8Sepse nxënësit e tij kishin shkuar në qytet për të blerë ushqime. 9I thotë pra atij gruaja samaritane: Si ti, duke qenë Jude, kërkon të pish prej meje, që jam një grua samaritane? Sepse Judenjtë nuk shkojnë me Samaritanët.

10Jisui u përgjigj e i tha asaj: Po të dije dhuratën e Perëndisë, edhe cili është ai që të thotë: Jepmë të pi, ti do të kërkoje prej tij, edhe ai do të të jepte ty ujë të gjallë. 11Gruaja i thotë: Zot, as kovë nuk ke, edhe pusi është i thellë; nga e ke ti pra ujin e gjallë? 12Mos je ti më i madh se ati ynë Jakov, i cili na ka dhënë pusin, edhe vetë ai piu nga ky, edhe të bijtë e tij, edhe bagëtitë e tij? 13Jisui u përgjigj e i tha asaj: Kushdo që pi nga ky ujë, do të ketë etje përsëri. 14Por ai që pi nga uji që do t’i jap unë, nuk do të ketë etje për jetë; por uji, që do t’i jap unë, do t’i bëhet burim uji që gufon në jetë të përjetshme. 15Gruaja i thotë: Zot, jepmë këtë ujë që të mos kem etje, as të mos vij këtu të nxjerr ujë.

16Jisui i thotë asaj: Shko, thirr burrin tënd, dhe eja këtu. 17Gruaja u përgjigj e tha: S’kam burrë. Jisui i tha asaj: Mirë the se s’kam burrë. 18Sepse kishe pesë burra, edhe ai që ke tani, nuk është burri yt; këtë e the të vërtetë.

19Gruaja i thotë: Zot, po shoh se ti je profet. 20Etërit tanë në këtë mal u falën, e ju thoni se në Jerusalem është vendi, ku duhet falur. 21Jisui i thotë asaj: Grua, besomë se vjen një orë, kur nuk do t’i faleni Atit as në këtë mal, as në Jerusalem. 22Ju i faleni atij që nuk dini, ne i falemi atij që dimë; sepse shpëtimi është nga judenjtë. 23Por vjen një orë, edhe tani është, kur falësit e vërtetë do t’i falen Atit në frymë e në të vërtetë; sepse Ati të tillë i kërkon ata që i falen atij. 24Perëndia është frymë, dhe ata që i falen duhet të falen në frymë e në të vërtetë.

25Gruaja i thotë: E di se vjen Mesia, ai që quhet Krisht; kur të vijë ai, do të na tregojë për të gjitha. 26Jisui i thotë asaj: Unë që po të flas jam ai.

27Edhe në këtë çast erdhën nxënësit e tij, dhe u çuditën se fliste me një grua; po asnjë s’tha: Ç’kërkon? apo: Ç’flet me të?

28Gruaja pra la shtambën e saj dhe shkoi në qytet: edhe u thotë njerëzve: 29Ejani shihni një njeri, që më tha gjithë sa kam bërë. Vallë, mos është ky Krishti? 30Dolën pra nga qyteti, dhe po vinin tek ai.

31Edhe ndërkohë nxënësit i luteshin, duke thënë: Rabbi, ha. 32Po ai u tha atyre: Unë kam një ushqim për të ngrënë, që ju nuk e dini. 33Nxënësit pra i thoshin njëri-tjetrit: Mos i pruri njeri të hajë?

34Jisui u thotë atyre: Ushqimi im është të bëj dëshirën e atij që më ka dërguar, edhe të mbaroj punën e tij. 35Nuk thoni ju se janë edhe katër muaj dhe vijnë të korrat? Ja tek po ju them juve, ngrini përpjetë sytë tuaj, edhe shihni arat se janë tashmë të bardha për t’u korrur. 36Edhe ai që korr merr pagë, edhe mbledh fryt për jetë të përjetshme, që të gëzohen bashkë edhe ai që mbjell edhe ai që korr. 37Sepse për këtë e vërtetë është fjala, se tjetër është ai që mbjell, edhe tjetër ai që korr. 38Unë ju dërgova ju të korrni atë për të cilën ju s’jeni munduar; të tjerë u munduan, edhe ju hytë në mundimin e tyre.

39Edhe prej atij qyteti shumë nga samaritanët besuan tek ai për fjalën e gruas që dëshmoi se më tha gjithë sa kam bërë. 40Samaritanët pra, si erdhën tek ai, i luteshin të rrijë pranë tyre. Edhe qëndroi atje dy ditë. 41Edhe shumë më tepër njerëz besuan për fjalën e tij. 42Edhe gruas i thoshin se nuk besojmë më për fjalën tënde; se ne e dëgjuam dhe e njohëm se ky është me të vërtetë Shpëtimtari i botës, Krishti.

 

Kisha Orthodhokse

Autoq efale Shqipërisë

http://orthodoxalbania.org/

E Djela e Samaritanes