/ Predikime-Katekizma- Artikuj / E Diela XI Llukait

E Diela XI Llukait

E Diela XI Llukait

 

E bukur dhe shumë domethënëse është historia e Ungjillit të sotëm, e cila është shkëputur nga Ungjilli sipas Llukait. Një darkë e madhe bëri një njeri dhe ftoi shumë vetë. Tryeza ishte mbushur me gjithë të mirat dhe kur erdhi momenti dërgoi shërbëtorin e tij t’u thoshte të ftuarve: “Ejani, se tani të gjitha janë gati” (Llk.14:17). Por të gjithë filluan të justifikoheshin dhe të thonin se nuk kishin mundësi të merrnin pjesë në darkën e shtruar për nder të tyre. Njëri tha se kishte blerë një arë dhe donte të shkonte e ta shihte, tjetri kishte blerë pesë pendë qe dhe donte t’i provonte dhe tjetri sapo ishte martuar dhe nuk mund të shkonte. Shërbëtori i dëshpëruar nga përgjigjet negative që mori kthehet dhe i thotë zotërisë së tij se asnjë nga ata që ishin ftuar nuk do të vinte. Atëherë i zoti i shtëpisë u zemërua dhe i thotë shërbëtorit të dalë në rrugë dhe nëpër sheshet e qytetit dhe të ftojë në darkën e tij të varfërit, të paralizuarit, të çalët e të verbërit dhe kështu u mbush shtëpia plot me njerëz të panjohur, të cilët shijuan tryezën e shijshme dhe asnjë nga ata që ishin të ftuar nuk arriti ta shijojë këtë tryezë.

Të gjithë ne kur e dëgjojmë këtë histori biblike, fillimisht mund të na shkojë mendja tek gabimi i madh që bënë këta njerëz dhe nuk pranuan ftesën që u bëri Zoti.

Po sot, a ndodh e njëjta gjë?! Ne që e dëgjojmë këtë histori, a bëjmë shpesh herë si këta njerëz? A pranojmë ne të marrim pjesë në Tryezën që na shtron Zoti? Po kur na e shtron Zoti këtë Tryezë – do të thotë dikush – dhe ne nuk morëm pjesë?

Të dashur besimtarë! Kjo Tryezë që na ofrohet është Darka Mistike, e cila ndodh sa herë që kryhet Liturgjia Hyjnore. Të gjithë të krishterët ftohen të marrin pjesë në këtë Darkë të Madhe. Kur prifti del tek Dera e Bukur, duke mbajtur Potirin e Shenjtë në dorë na fton të gjithëve kur thotë: “Me frikë Perëndie, besë dhe dashuri, afrohuni”.

Po, ku ftohemi? Ç’është ky Potir i Shenjtë ku ftohemi të marrim pjesë?

Në Potirin e Shenjtë motra e vëllezër gjenden të gjitha dhe të gjithë. Engjëjt, shenjtorët, të dashurit tanë që kanë ndërruar jetë dhe të gjithë ne të gjallët që besojmë në Perëndinë Triadik.

Por që të marrim pjesë në këtë Darkë Mistike duhet të plotësojmë disa kushte të caktuara. Në radhë të parë që të marrim pjesë në Darkën Mistike të Zotit duhet të jemi të pagëzuar e të mirosur.

Dhe përsëri dua të bëj disa pyetje: Sa nga besimtarët që kanë ardhur sot në Kishë nuk janë pagëzuar, ose sa nga fëmijët, motrat vëllezërit, nipërit e mbesat që kemi në familjet tona nuk janë pagëzuar?

Të parët tanë megjithëse në kushte persekutimi e përndjekjeje, arritën ta ruajnë besimin tonë të krishterë. Fshehurazi, nën trysninë edhe të burgut u pagëzuan dhe bënë misteret e shenjta të Kishës. Ndërsa sot askush nuk na persekuton dhe askush nuk na përndjek. Prandaj do të doja t’ju inkurajoja të gjithëve që të kryejmë misteret e shenjta të Kishës. Në këtë mënyrë na hapet rruga që të bëhemi pjesë e trupit të Krishtit dhe të marrim pjesë në Darkën Mistike të Zotit.

Por, që të marrim pjesë në Darkën Mistike të Zotit, veç pagëzimit duhet të plotësojmë edhe disa kushte të tjera.

Duhet të falim njëri-tjetrin; duhet të mbushim shpirtin tonë me pendim dhe me dashuri për Zotin dhe për të tjerët. Duhet të sakrifikojmë pak nga tepricat tona dhe të ndihmojmë ata që kanë nevojë.

Disa mund të pohojnë se nuk marrin pjesë në Kungimin Hyjnor sepse nuk kanë bërë parapërgatitjen e nevojshme. Këtë kuptim të parapërgatitjes kanë lutjet, himnet dhe troparet që këndohen gjatë kryerjes së Liturgjisë Hyjnore. Lutjet që kryhen i parapërgatisin të ftuarit në Kishë që të marrin pjesë në tryezën që shtron Zoti ynë Jisu Krisht. Kur vijmë në Kishë dhe nuk kungohemi, është njësoj sikur të shkojmë në shtëpinë e dikujt që na ka ftuar dhe të mos ulemi në tryezën që ka përgatitur për të ftuarit e tij.

Prandaj dhe priftërinjtë thërrasin: Me frikë Perëndie duke ditur se po i afrohemi Perëndisë së gjithëpushtetshëm; me besë duke ditur se Ai është Zoti ynë, i cili dha jetën e tij për shpëtimin tonë; por mbi të gjitha me dashuri duke ditur se asnjëherë nuk jemi të denjë të kungohemi me trupin dhe gjakun e Zotit tonë, por afrohemi duke ditur se Zoti është i dashur dhe i mëshirshëm.

Në këtë prag Krishtlindjesh na jepet mundësia të ndjejmë më thellë dashurinë e madhe që Perëndia ka për të gjithë ne. Prandaj gjithsecili prej nesh sipas mundësisë së tij le të përpiqemi të jetojmë misterin e mishërimit të Zotit duke iu afruar atij me frikë, besë dhe dashuri. Amin.

 

Përgatitur nga At Spiro Kostoli 

E Diela XI Llukait