/ Predikime-Katekizma- Artikuj / A Kini rezervuar biletë ?

A Kini rezervuar biletë ?

ΕΙΣΗΤΗΡΙΟ-didi

+Episkop Avgustin Kantioti

Ish-Mitropolit i Follorinës

 

 Athinë 1995

Bota, të dashur lexues, flet për udhëtime.  Një mani e tmerrëshme për të udhëtuar ka pushtuar sot njeriun.  Makina, hekurudha, anije, aeroplanë lëvizin papushim në të gjitha vijat gjeografike të tokës, detit dhe ajrit, dhe transportojnë shumica të tëra pasagjerësh.  Dhe kush janë këta që udhëtojnë? Nuk janë më vetëm ata që qarkullojnë për punë tregëtie dhe nevoja të tjera si këto.  Janë dhe të tjerët që duan të zbaviten sepse janë të mërzitur, të ndryshojnë ambientin, të kënaqin kurreshtjen e tyre, të vizitojnë qytete me thesare arkeologjike dhe histori, të shohin dhe të shijojnë të gjitha bukuritë e globit tokësor, plazhe, lumenj, liqene, ishuj magjepsës, pyje të virgjër, male të larta.  Turizmi, ky idhull i ri, feja e re e këtij shekulli që jetojmë, ndërmori reklamimin e vendeve të ndryshme dhe është shkak për gjithë këto udhëtime, të cilat zgjatin pak apo shumë, brenda apo jashtë vendit.  Veçanërisht të Dielave dhe të kremtet e Kishës,  shpejt e shpejt herët në mengjes, turma të tëra njerëzish dalin nga qytetet që të adhurojnë natyrën dhe jo Krijuesin e natyrës.  Një adhurim i natyrës si prej kafshe, pa asnjë lidhje me botën shpirtërore, një adhurim natyre që infekton gjithçka, akoma dhe ato instituctionet dhe faltoret e shënjta, si p.sh. manastiret, të cilat u ndërtuan me qëllim që t’a ngrehin lart njeriun, lart tek Perëndia.  Shtyhen në rradhë nëpër agjencitë e biletave.  Me fat konsiderohet ai që mundet të sigurojë në kohë biletë dhe të sigurojë një vend udhëtimi.  Do të kalojë një udhëtim të këndëshëm, do të shplodhet dhe argëtohet, dhe kështu do të ripërtërijë vehten duke marrë forca të reja!

Edhe në Hënë!

Udhëtojnë pra turistët.  Udhëtojnë nëpër të gjitha gjërësitë dhe gjatësitë gjeografike. Por tani, njerëzit duke mos u mjaftuar me udhëtimet tokësore filluan t’a zgjerojnë këtë maninë e tyre për të udhëtuar përtej rruzullit tokësor.  Udhëton njerëzimi për në Hënë dhe po planifikon udhëtime edhe nëpër yje të tjera.  Por për udhëtime të tilla nevojiten mjete të reja transporti dhe komunikimi, raketa të pajisura me mjete të veçanta të cilat shkenca i quan anije kozmike.  Edhe nëse supozojmë se njeriu do të arrijë të shkojë edhe në yjet më të largëta, ju pyes pra – çfarë dobi shpirtërore do të sjellë kjo gjë?!  Edhe sikur njeriu të arrijë të udhëtojë lirshëm në hapësirë, as atëhere nuk do të jetë më afër Perëndisë sesa është tani që gjendet këtu në tokë.  Qielli që shohim me sytë tanë fizikë nuk është gjë tjetër veçse një hije e thjeshtë, një pamje e atij qiellit tjetër, e qiellit shpirtëror, një imazh i botës së palëndëshme.

Drejt asaj bote, n’a thërresin t’a drejtojmë vëmendjen Shkrimet e Shënjta, dëshmia e të cilave duhet të konsiderohet, në mënyrë të pakrahasueshme, si më e besueshme dhe më e sigurt sesa dëshmia e pesë shqisave tona, më e besueshme dhe e padyshimtë sesa dëshmia e mikroskopëve, teleskopëve, televizorëve, radiove, radarëve dhe çfarëdo lloj mjeti tjetër surprizues të shekullit tonë.

U hap udha drejt qiejve

Drejt këtij qielli pra thërritemi.  Në atë qiell i pari që u ngjit ishte Jisu Krishti. Gjatë ditës së lavdishme të Ngjitjes në Qiell (Shestet) Krishti u ngrit në Qiell, u nda trupërisht prej Apostojve të Tij duke i bekuar, këmbët e Tij nuk shkelnin më mbi dhe’, dhe u çua lart në Qiell, ashtu siç shkruan Ungjillori Lluka kur përshkruan këtë ngjarje mbinatyrore (Lluk.24:51).  Ëngjëjt të habitur shohin këtë pamje dhe pyesin Ëngjëjt e tjerë që shoqëronin Zotin gjatë udhëtimit të tij triumfues: “kush është ky mbret i lavdishëm?”.  Dhe marrin përgjigjen “Zoti i forcave qiellore, Ai është ky mbret i lavdishëm (Psalm.23:10).  Kishin arësye ëngjëjt të çuditeshin, sepse, ashtu siç shënon dhe Shën Athanasi i Madh, shihnin një njeri të ngjitet në qiell.  Ata e dinin fort mirë që pas mëkatit të parë dyert e Parajsës ishin të mbyllura për këdo njeri.  Por Jisu Krishti, me vojtjet e Tij Hyjnore, me vdekjen mbi kryq dhe ngjalljen e Tij, duke qënë njeri dhe Perëndi njëkohësisht, hapi dhe inaguroi udhën drejt qiejve.  Që atëhere të gjithë besimtarët që u pagëzuan dhe rrojnë sipas dëshirës së Zotit, duke qënë në jetën e tanishme njëkohësisht gjenden edhe lart, në udhën që të çon pa rrezik dhe me siguri drejt qiejve.  Për ta vdekja është një episod i udhëtimit të tyre në këtë botë, është si porta e një treni, e cila me porosi nga lart hapet në një stacion të caktuar dhe ja përpara udhëtarëve shfaqet një qytet plot dritë, një botë plot dritë, gëzim dhe dëfrim, shfaqet përpara syve të tyre një botë plot çudi të paimagjinueshme dhe të kënaqëshme.  Ata janë “të fjeturit më Zotin”, të cilët pikërisht për këtë arësye u quajtën “të lumëruar”, të lumtur pra, sipas zërit që dëgjoi në Zbulesa nxënësi i dashur i Zotit, ungjillori Joan (Zbulesa 14:13).

Është dhe dikush tjetër që – duke rrojtur akoma në këtë botë – u vlerësua të udhëtojë në botën qiellore, të ngjitet deri në qiellin e tretë dhe pastaj të zbresë përsëri mbi dhe’, për të vazhduar betejat e tij me akoma më tepër zell dhe forcë.  Ky njeri i mbajti të gjalla deri në vdekje kujtimet e atyre pak momenteve që jetoi në atë botë, atë botë që Shkrimi i Shënjtë shrpeh me një fjalë tepër konçize, me fjalën parajsë.

Kush pra është ky që u vlerësua të bëjë një udhëtim në parajsë duke qënë akoma në këtë botë? Është Apostoll Pavli (Let. II Korinth. 12:1-5).

-O Apostoll i shënjtë Pavël – udhëtove pra në qietjë dhe u ktheve!  Ja, po të vijmë pranë duke të rrethuar.  Kemi etje për dije, duam të mësojmë të rejat që n’a sjell.  Duam të n’a thuash çfarë pe dhe çfarë dëgjove në atë botë.

Dhe Apostoll Pavli n’a përgjigjet.

-Vëllezërit e mij, ato që pashë në atë botë janë të pamundura të shprehen nga gjuha njerëzore.  Por kurrë mos kini dyshim për ekzistencën e asaj bote.  Dhe për sa kohë gjendeni në këtë jetë mos i lini ditët e jetës suaj të shkojnë kot dhe pa asnjë frut, por luftoni betejën tuaj shpirtërore të besës dhe virtytit, që të jetë e sigurt hyrja juaj në atë botë, përpara së cilës zbehen dhe zhduken të gjitha bukuritë e kësaj bote ku çdo gjë kalbet dhe prishet.

 A po bëhemi gati?

Udhëtim në qiejtë!  Vëllezër, a e mendojmë këtë gjë?  Kur dikush do të bëjë një udhëtim fillon me kohë të përgatitet në mënyrë që të mos gjendet i papërgatitur minutën e fundit.  Kur tani, bëhet fjalë për undhëtim në qiejtë, çfarë mendojmë, për çfarë përkujdesemi dhe çfarë parapërgatitje bëhet?!  Këtu, në këtë pikë pra, mendoj se është shumë e përshtatshme për t’u treguar anekdota e mëposhtëme.

Një mbret në lashtësi kishte në oborret e tij shumë xhole (shakaxhinj), të cilët e argëtonin me marrëzitë e tyre komike gjatë kohës që ai hante vaftet e ndryshme.  Një ditë, i thotë mbreti njërit prej tyre duke i dhënë një shkop:

-Merre këtë shkop dhe ruaje, kur të gjesh dikë që është më idiot se ty, atij t’ia japësh…

Që atëherë kaluan shumë vite.  Vjen koha dhe mbreti sëmuret, është gati të vdesë.  Midis të tjerëve që erdhën t’a vizitonin vjen dhe komiku që i dha shkopin.  Të qeshura dhe gajasje nuk dëgjohen më nëpër kopshtet dhe sallonat e oborrit mbretëror.  Shakaxhiu hyn në dhomën e mbretit, dhe atje bëhet ky dialog midis mbretit dhe tij.

-Më duket se po shkoj për rrugë.

-Ku po shkoni madhëri?

-Shumë larg.

-Do të ktheheni shpejt, madhëri?  Ndofta për një muaj?

-Jo.

-Për ndonjë vit?

-Jo.

-Atëhere kur do të ktheheni madhëri?

-Kurrë më.

-Kurrë? Jeni përgatitur pra për një udhëtim të tillë?

-Hiç fare s’jam përgatitur.

-Domethënë po shkoni për gjithmonë dhe nuk jeni përgatitur fare?  E tmerrëshme!  Atëhere, madhëri, merreni këtë shkop që m’a dhatë dikur me porosi të caktuar, sepse më së fundi gjeta dikë që është më idiot se unë.  Dhe ky… jini ju madhëri!

Me të vërtetë i pamëndt është ai që nuk mendon realitetin e vdekjes.  Kushdo që ka qoftë dhe gjurmët më të lehta të llogjikës dhe të gjykimit të drejtë në mendjen e vet, duhet të mendohet, bile të mendohet çdo ditë, për atë udhëtim, dhe të mos i ngjasë mbretit të marrë të tregimit të mësipërm (ashtu si dhe i pasuri i pamëndt në paravolinë e Ungjillit – shih pas Llukait 12:16-20), i cili e kalonte kohën e jetës së tij, që është thesar i paçmuar, me të qeshura dhe gajasje, pa e shkuar fare ndër mënd jetën përtej varrit.  Jetonte i marri, si bagëtia që kullot me kokën poshtë, si derrat e qelbur që e mbajnë kokën gjithnjë poshtë në tokë, poshtë në llucë, dhe vetëm një herë e ngrehin kokën lart, drejt qiellit.  Kur e ngrehin kokën lart?  Kur i shpien në therrtore, dhe atje i kthejnë me këmbët përpjetë dhe thika e kasapit është gati t’u hyjë tej për tej.  Njeriu pra i llogjikshëm, njeriu me mënd do të mendohet dhe do të parapërgatitet për udhëtimin e tij në qiell. 

Një pamje shprehëse dhe e gjallë

Në Malin e Shënjtë, gjatë shekullit të 19-të, ishte një asket në shpellën e Shën Athanasit, themeluesit dhe ndërtuesit të manastirit të shënjtë të Lavrës së Madhe, një ieromonah që quhej Hariton (theksi tek i-ja).  Ky asket, duke marrë për bazë siç duket një dorëshkrim të lashtë, botoi një broshurë të vogël me titull: “Udhëtimi në Qiejt”.  Ky shkrim përshkruante me gjuhë simbolike udhëtimin, daljen e shpirtit nga trupi, nisjen për në atdheun e përjetëshëm, dhe i nxiste pasagjerët e ardhshëm të siguronin biletë dhe të ishin gati.  Në fund të shkrimit botoi dhe një recetë të cilën e quajti “Infermieria”; me këtë recetë, ashtu siç shkruan dhe vetë, mund të gatitet një ilaç për çfarëdo sëmundje të shpirtit.  Prej këtij ilaçi duhet çdo shpirt besimtari të marrë nga një dozë me “lugën e pendimit dhe zemrës së thyer”.  Një kopje të këtij shkrimi i dërgoi shoqatës Orthodhokse të “40 Shënjtorëve” të Kozanit, një kallogjer i cili bënte jetë asketi gjithashtu në Malin e Shënjtë, në manastirin rus të Shën Pandelimonit, i devotshmi at Joasafi, i cili gjithmonë qante dhe vajtonte duke parashikuar tmerret që do të pësojë njerëzimi për shkak të largimit nga udha e Perëndisë.

Për hir të përfitimit shpirtëror të lexuesve, po interpretoj më poshtë, me pak fjalë, kuptimin e plotë të këtij shkrimi të rrallë. 

Vëllezër dhe etër, të dashur lexues!

Fundi është pranë.  Vdekja, me mijëra mënyra, vjen dhe i merr njerëzit duke i çuar në jetën tjetër. Mjetet e transportit vazhdimisht janë në lëvizje.  Shumicë njerëzish transportohen pa pushim.  Bëj pyetjen: Kemi prenontuar biletë? 

Bileta është ndërgjegja e pastër, të cilën dikush e fiton nëpërmjet besës tek Zoti Jisu Krisht, nëpërmjet besës që nuk qëndron e vdekur por vihet në dukje nëpërmjet veprave të pendesës, punëve të shënjtërimit, nëpërmjet jetës dhe veprave më Krishtin.  Sipas besës dhe punëve do të jetë dhe vendi që do të rezervojë secili prej nesh për udhëtim. 

Në një kohë si e sotmja, kur udhëtimet nëpër rruzillin tokësor, përmes detrave apo duke çarë ajrin, nga njëri skaj i tokës në tjetri, janë pjesë e diskutimeve të përditëshme të njerëzimit, po publikojmë më poshtë të gjithë shkrimin, me qëllim që të tërheqim vëmendjen, qoftë edhe vetëm të pak shpirteve, drejt udhëtimit me të vetetë të madh, drejt udhëtimit më surprizues se çdo udhëtim tjetër, drejt udhëtimit të vetëm me gjithë kuptimin e fjalës, drejt udhëtimit që do të n’a çojë prej dheut në qiejtë e vërtetë. Sado e pabesueshme që mund t’iu duket shumë njerëzve, është realiteti, është aktualiteti që vërteton dhe fjala e papërgënjeshtrueshme e Perëndisë, që drejt atje, drejt botës së palëndëshme dhe shpirtërore ecim; sepse “të rrojturit tonë është në qiejt”, jeta jonë pra është në qiejt (Letra e Pavlit në Filipianët.3:20).

Stacion Hekurudhor

me destinacion Qiejt

Biletat shiten në “Agjencinë e Besëmirëve”.  Për lehtësimin e gjithë atyre që kanë dëshirë të udhëtojnë në Qiejt, vemë në dispozicion, në mënyrë të përmbledhur, informacionin e mëposhtëm.

 Nisja – në çdo moment.

Mbërritja – Kur të dëshirojë vullneti i Shënjtë i Perëndisë.

 Çmimi i biletave:

Vendet e kategorisë së Parë (linja ekspres) – Çmimi: Qashtëri, virgjëri dhe martirizim, përmbushje e plotë e virtyteve të Ungjillit të Shënjtë, rregull dhe pastërti shpirti, bindje, shpirt vetëmohimi për hir të Dashurisë Hyjnore.

Vendet e kategorisë së Dytë (linja direkt) – Çmimi: Pendim, besim tek Perëndia dhe kryerje e veprave të mira.  Lutje, kreshmim dhe lëmoshë.

Vendet e kategorisë së Tretë (linja e orarit të zakonshëm) – Çmimi: Mbajtja e porosive të Zotit dhe të Kishës së Tij të Shënjtë, përmbushje dhe zbatim i detyrave ndaj të afërmit (të afërmit sipas konceptit të Ungjillit dhe jo sipas kuptimit të botës).

Vendet e kategorisë së Katërt (linjë me vagona të posaçëm) – Çmimi: Pednim në momentet e fundit të jetës; lutje për faljen e mëkatave.

Disa vërejtje

  1. Biletë vajtje-ardhje nuk shitet.
  2. Vagona të posaçëm për zbavitje dhe argëtim nuk vihen në dispozicion të udhëtarëve.
  3. Bileta për fëmijët e vegjël, mëndja e të cilëve është e pastër nga çdo djallëzi dhe e pafajshme, është gratis.  Mjafton vetëm t’i përkasin dhe të kenë zënë vend në gjirin e shënjtë të Kishës Orthodhokse.
  4. Pasagjerët janë të lutur të mos sjellin asgjë me vehte përveç punëve të tyre të mira, nëse dëshirojnë t’a arrijnë në kohë trenin dhe të mos shkaktojnë vonesa.
  5. Në çdo stacion ku ndalon treni pranohen pasagjerë.
  6. Çdo biletë duhet të jetë e aprovuar me vulën e shënjtë të Besimit Orthodhoks dhe të Hirit të Shënjtëruar.

Për të shmangur sëmundje dhe epidemi, gjatë udhëtimit pasagjeri duhet të ketë: rrënjë të forta bese, gjethe freskonjëse të shpresës, lule kundërmonjëse të dashurisë, zambakë të pastërtisë së shpirtit dhe zemrës, lule mersinë të përmbajtjes, dhe drurin e Kryqit.  Të gjitha këto duhet t’i ketë me vehte pasagjeri dhe t’i lidhë mirë me perin e zemërdashurisë, më pas t’i vendosë me kujdes në kusinë prej balti të lutjes, dhe t’i zjejë në zjarrin e dashurisë, pastaj t’i spërkatë me verën e dëfrimit të shënjtë dhe me ujin e gazuar mineral të thjeshtësisë, dhe në fund t’i hedhë sipër mbulesën e heshtjes.  Lere pra o pasagjer këtë gatitje gjatë natës nën dritën e mendimit, dhe pi nga një filxhan çdo mëngjes dhe mbrëmje duke qënë i sigurt që do të shijosh jetë të gjatë dhe plot shëndet.

 Që të kalosh doganën dhe të hysh në shtëpinë e Perëndisë, duhet të shtrosh poshtë në valicën e udhëtimit përuljen, sipër saj të shtrosh bindjen dhe mbi to të shtrosh lutjen.  Më pas mbushe atë duke shuajtur pasionet dhe mëkatat e tua, dhe pasi të marrësh ombrellën e dashurisë ec me siguri drejt shtëpisë së Perëndisë.  Afroju katedrës së rrëfimit dhe paraqit biletën, për aprovimin e të cilës duhet të paguash me frikë gjithçka që kërkohet prej teje.  Më tutje merr/përfto vulën e shënjtë nëpërmjet Jisu Krishtit gjatë Eukaristit Hyjnor duke u kunguar me Trupin dhe Gjakun e Tij të Shënjtë, dhe ec i sigurt dhe i qetë në udhën tënde.  Po të përshëndosh ty o pasagjer dhe unë, dhe shpresoj që me mëshirat e pasura të Perëndisë dhe nëpërmjet lutjeve të tua të takohemi përsëri në qiell. Amin.

Infermieria e shpirtit – recetë shpirtërore

Shko dhe këput rrënjën e varfërisë shpirtërore, merr gjethet e durimit dhe përulësisë, dhe lutjen e të sëmurit shpirtërisht, dhe shtypi në havanin e bindjes; më pas t’i sitësh të gjitha këto në mendjen tënde duke përdorur sitën e mendimeve të pastra dhe frutdhënëse; shtjere këtë përbërje në enën e pastruar të shpirtit tënd duke shtuar ujin e dashurisë, dhe poshtë enës ndiz zjarrin e dëshirave të shënjta; pasi t’i zjesh mirë e mirë serviri me sjellje të dalluar shpirtërore, dhe veri në gojë duke përdorur lugën e pendimit dhe zemrës së thyer, dhe mos u kthe kurrë mbrapsht në jetën tënde.  Ky është bari mjekësor që shpërndan shumicën e mëkatave.

Në shpellën e Shën Athanasit

të Manastirit të Lavrës së Madhe

në Malin e Shënjtë,

 30 Maj, 1902

Ieromonahu i përulur dhe i varfër shpirtërisht

          +HARITON

 Përktheu nga Greqishtja

Aleksandër Filip

Nëndor 2007

I përkushtohet Gjerondit të nderuar, luftëtarit të paeupur dhe shëmbëlltor të Orthodhoksisë, ierarhut të ndriçuar të Kishës së Shënjtë Orthodhokse të Krishtit, ish-Mitropolitit të Follorinës, Prespës dhe Ordheas, vetë autorit të flaktë të këtij predikimi (dhe shumë veprave të tjerave) AVGUSTIN KANTIOTIT.

Paçim të gjithë ne bekimet dhe uratat e tua Hirësi!

                   Me dashuri më Krishtin,

                         Përkthyesi.

A Kini rezervuar biletë?