/ Jeta Liturgjike / Psalmi 102

Psalmi 102

Psalmi 102

 

Beko Zotin, o shpirti im, edhe ti, o zemra ime, emrin e tij të shenjtë. Beko Zotin, o shpirti im, dhe mos harro tërë mirësitë e tij. Atë që fal gjithë paudhësitë e tua, atë që shëron gjithë sëmundjet e tua. Atë që shpëton jetën tënde prej prishjes, atë që të kurorëzon me mëshirë dhe dhembshuri. Atë që ta mbush dëshirën me të mira; atë që përtërit të ritë e tu si të shqiponjës. Zoti tregon mëshirë dhe u jep të drejtë atyre që u bëhet padrejtësi. Ia bëri të njohura udhët e tij Moisiut, dëshirat e tij bijve të Izraelit. Zoti është i dhembshur dhe përdëllyes, zemërgjerë e mëshirëplotë; nuk zemërohet përgjithmonë, as mban mëri për jetë. Nuk veproi sipas paudhësive tona, as na e shpërbleu sipas mëkateve tona. Sa e madhe është lartësia e qiellit nga dheu, aq e madhe është mëshira që tregon Zoti për ata që ia kanë frikën. Sa larg është lindja nga perëndimi, aq i largoi prej nesh paudhësitë tona. Sikurse atit i dhimbsen të bijtë, ashtu edhe Zotit i dhimbsen ata që ia kanë frikën. Se ai e di se jemi krijuar dhe sjell ndër mend se jemi baltë. Ditët e njeriut janë si bari, lulëzon porsi lulja e fushës. Se fryn era mbi të dhe s’është më dhe nuk dihet më se ku e ka pasur vendin. Po mëshira e Zotit, jetë pas jete, është mbi ata që ia kanë frikën, dhe drejtësia e tij mbi bijtë e bijve, që ruajnë dhiatën e tij dhe që mbajnë ndër mend porositë e tij për t’i zbatuar. Zoti e vendosi fronin e tij në qiell, dhe mbretëria e tij zotëron mbi të gjithë. Bekoni Zotin gjithë ju engjëjt e tij, të fortë nga fuqia, që zbatoni porositë e tij, duke dëgjuar zërin e fjalëve të tij. Bekoni Zotin gjithë ju fuqitë e tij, ju shërbyesit e tij, që zbatoni dëshirën e tij. Bekoni Zotin gjithë ju veprat e tij, në çdo vend të sundimit të tij, beko Zotin, o shpirti im!

 

 

Psalmi 102