/ Jeta Liturgjike / Lutje për bashkim

Lutje për bashkim

Lutje për bashkim

 

O Zot Jisu Krisht, Qengji i Perëndisë, që ngrite mbi vete mëkatin e botës; që me ngjitjen në Golgotha na çlirove prej mallkimit të Ligjit dhe restaurove shëmbëlltyrën Tënde të rënë; që shtrive duart e përmbikulluara mbi Kryqin, duke i bashkuar në të bijtë e shpërndarë të Perëndisë dhe që në zbritjen e Shpirtit të Tërëshenjtë i thirre të gjithë njerëzit në bashkim. Ti,që je shkëlqimi i Atit, përpara se të shkoje te vepra e madhe dhe e shenjtëruar, për shpëtimin e botës, iu lute Atit Tënd, që të gjithë të jenë një, ashtu si Ti je një me Atin dhe me Shpirtin e Shenjtë. Dhurona edhe ne hirin dhe urtësona që çdo ditë të përmbushim këtë urdhërim dhe jepna fuqinë, që të përpiqemi për ta arritur atë dashuri, që Ti na urdhërove duke thënë: “Tё doni njёri-tjetrin, si unё ju desha ju”.

Me anën e Shpirtit të Shenjtë jepna fuqinë të përulim veten tonë përpara njëri-tjetrit, të ndërgjegjësohemi se ai që ka dashuri më shumë e përul më shumë veten e tij. Mësona të lutemi për njëri-tjetrin; të ngremë me durim barrët e njëri-tjetrit; dhe bashkona në lidhjen e pathyeshme të dashurisë, duke na dhuruar që të shikojmë te çdo vëlla dhe motër shëmbëlltyrën e lavdisë Sate të patregueshme.

Po, o Zot, bëna me të vërtetë një familje, duke jetuar me një zemër, me një vullnet, me një dashuri të vetme, si një njeri i vetëm, sipas këshillës Sate të parajetshme që i dhe Adamit të parëlindur. Mbushi zemrat tona me frymën e frikës Sate të shenjtë dhe uratat e Mëmës Sate të Tërëshenjtë, të Pararendësit Tënd Joan, të Shën Vlashit, të Shën Astit, peshkopit të Durrësit, të Shën Kozmait të Kolkondasit dhe të gjithë shenjtorëve të Tu, na mbulofshin gjithnjë, duke na bekuar dhe mbrojtur të gjithë ne, (emrat…) , duke na ruajtur nga mendimet e dëmshme, nga fjalët e pahijshme dhe hove të zemrës, që mund të shkatërrojnë paqen dhe mirëkuptimin, që kjo familja jonë e vogël, të ndërtohet mbi shkëmbin e urdhërimeve të Tua ungjillore, si vend lutjeje, shenjtërimi dhe shpëtimi për ne dhe për gjithë sa na porositën të lutemi për ta, për vëllezërit tanë që përpiqen dhe që janë në mundime, që të gjithë të gjejnë prehje te Ti, Mbreti ynë i përulur dhe i duruar, tani e përherë e në jetë të jetëve. 

Amin.

 

Fragment nga libri “O Zot dëgjo lutjen time”

Botim i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë

 

Lutje për bashkim