/ Jeta Liturgjike / Misteri i Efqelisë

Misteri i Efqelisë

Misteri i Efqelisë

 

Krishti erdhi në botë për të “mbartur sëmundjet” e njerëzve. Një nga shenjat e mesianërisë së tij hyjnore ishte të shëronte të sëmurët. Fuqia e shërimit është në Kishë, meqenëse Krishti vetë është në Kishë, me anë të Shpirtit të Shenjtë. Misteri i Vajimit të sëmurit është lutja e veçantë e Kishës për shërimin e tij. Nëse besa e besimtarëve është mjaft e fortë dhe nëse është dëshira e Perëndisë, atëherë, ka arsye për të besuar që Zoti mund të shërojë ata që janë të sëmurë. 

    Eshtë i sëmurë ndonjë ndër ju? Le të thërrasë pleqtë e kishës (presbiterët) dhe të luten ata mbi të, e le ta lyejnë me vaj në emrin e Zotit. Edhe urata që është me besë do ta shpëtojë atë që lëngon, edhe Zoti do ta ngrerë atë; edhe në pastë bërë faje do t’i falen. Rrëfeni fajet tek njëri-tjetri, edhe lutuni për njëri-tjetrin që të shëroheni (Jakovi 5:14-17; shih gjithashtu Marku 6:13)

    Misteri i Efqelisë në praktikën e Kishës Orthodhokse është një mister i “bashkësisë”. Kjo do të thotë, që është mirë të mblidhen besimtarë sa më shumë që të jetë e mundur, për të marrë pjesë në lutjet. Vetë riti kërkon shtatë priftërinj, shtatë këndime Apostulli dhe Ungjilli, shtatë lutje dhe shtatë lyerje me vaj të bekuar posaçërisht për shërbesën. Meqenëse nuk është e mundur gjithmonë të kryhet misteri në këtë mënyrë, përsëri, është mirë të mblidhen priftërinjë dhe besimtarë sa më shumë që të jetë e mundur.

    Qëllimi i këtij misteri është shërimi dhe falja. Meqenëse nuk është gjithmonë dëshira e Perëndisë që të jetë një shërim fizik, përmbajta e misterit mbetet gjithmonë lutja e Krishtit, që të bëhet gjithnjë dëshira e Perëndisë. Për më tepër, qëllimi i qartë i misterit është që, nëpërmjet lyerjes së trupit të sëmurë, vuajtjet e personit të mund të shenjtërohen dhe të mund të bashkohen me vuajtjet e Krishtit. Në këtë mënyrë, plagët e mishit shenjtërohen dhe jepet forcë që vuajtjet e personit të sëmurë, të mos jenë për vdekjen e shpirtit të tij, por për shpëtimin e përjetshëm, në ngjalljen dhe jetën e Mbretërisë së Perëndisë.

    Eshtë e vërtetë që vdekja do të vijë në mënyrë të paevitueshme tek çdo njeri. Të gjithë do të vdesin, edhe ata të cilëve në këtë jetë i është dhënë një zgjatje nëpërmjet shërimit, me qëllim që të kenë më shumë kohë në tokë. Prandaj, shërimi i të sëmurit nuk është në vetvete një qëllim përfundimtar, por thjesht një “mjet” i dhënë nga Perëndia, si shenjë e mëshirës së tij dhe si një hir për mundësi të mëtejshme të njeriut, për të jetuar për atë dhe për të tjerët, në jetën e kësaj bote.  

    Në rastin kur një person është në momentet e fundit të jetës së tij tokësore, Kisha ka lutje të veçanta për “ndarjen e shpirtit dhe të trupit”. Prandaj, është e qartë, që misteri i Vajimit të Shenjtë (Efqelia), është për të sëmurin – të sëmurë fizikisht dhe mendërisht – dhe nuk është rezervuar vetëm për momentet e vdekjes. Ky mister nuk është “riti i fundit”, siç dikush mendon; riti i Vajimit vetë, në asnjë mënyrë nuk tregon që duhet bërë vetëm në rastet “ekstreme”. Vajimi i Shenjtë është misteri i shërimit shpirtëror, fizik dhe mendor, çfarëdo lloj qoftë natyra apo shkalla e sëmundjes.

 

Kisha Orthodhokse Autoqefale Shqipërisë

http://orthodoxalbania.org/

 

Misteri i Efqelisë