/ Predikime-Katekizma- Artikuj / E Tereshënjta Gjerontisa

E Tereshënjta Gjerontisa

E Tereshënjta Gjerontisa

Kapitulli u shkëput nga libri “Ndërmjetim i Nxehtë-Πρεσβεία Θερμή”.

Përkthimi u krye me lejën dhe bekimin e autorit,

Gjerondit +Arqimandrit Joakim Karahristu, Igumeni i Skitës së Profetit Ilia në Malin e shënjtë

Të dashur vëllezër, më lejoni sot të shtjelloj një temë e cila është tepër prekëse për mua.  “E Tërëshënjta dhe Monahët”, kjo pra është tema e sotshme.  Dhe pikë së pari më lejoni të them se e doni të gjithë të Tërëshënjtën dhe e doni me gjithë zemër.  Dhe nëse ekziston ndonjë shpirt njeriu që të mos e dojë të Tërëshënjtën atëhere ai shpirt duhet të jetë tepër i shtrembruar.  Ashtu siç është shtrembërim i madh shpirtëror nëse dikush nuk ka dashuri për nënën e vet natyrore.  Shfaqen shpesh-herë edhe raste të tilla, surpriza të shëmtuara, njerëz pa zemër dhe të poshtër, të cilët shajnë vetë nënën e tyre, që ngrehin dorë ndaj saj dhe e godasin, njerëz të cilët bëhen nënë-vrasës. Janë plot me raste të tilla sallat e gjyqeve.  Por edhe Etërit rrëfimtarë dëgjojnë plot raste të tilla, jashtë mase të hidhura.  Ka pra njerëz që nuk nderojnë dhe respektojnë nënën që i lindi, që i ushqeu nga gjiri i saj, që i studioi dhe bëri çdo sakrificë që ata të bëhen njerëz.  E pra, si mundet njerëz të tillë që nuk nderojnë nënën që i lindi, të nderojnë Nënën e Tërëshënjtë të cilën e shohin vetëm në ikona?  Dhe sidomos nëse nuk kanë lexuar se çfarë thotë Shkrimi i Shënjtë, Sinaksaret, Etërit e Shënjtë, si do t’a duan dhe nderojnë?  Nga njëra anë pra është injoranca dhe mosdija, nga ana tjetër është ligësia dhe shpirti i keq.  Është zakoni, është egërsia, janë të gjitha këto së bashku.

Po e përsëris pra që ju e doni tepër të Tërëshënjtën dhe shumë mirë bëni që kini dashuri për Të, duhet t’a doni.  Por, çfarë të them për Monahët?  E përmbi-nderojmë dhe e përmbi-duam sa askush tjetër, dhe mund t’a vërtetojmë këtë gjë me argumenta dhe prova bindëse.  E kam përmendur dhe tjetër herë faktin që të gjitha këto himne të shkëlqyera që dëgjoni për Hyjlindësen e Përmbishënjtë i kanë shkruar Monahët.  Nëse do të kishit mundësi këto ditë të gjendeshit në Malin e Shënjtë do të kuptonit fare mirë pse flas kështu.  Juve njihni vetëm dy Paraklise të Shën Marisë, të madhin dhe të voglin.  Por pyesni ju lutem, sa paraklise të tjera kanë thurrur Monahët e Malit të Shënjtë për Nënën e Tërëshënjtë?  Çdo ikonë ka paraklisin e vet.  Çdo ditë, gjatë gjithë vitit, Monahët psallin Paraklisin, Hyjlindësoret, dhe Qeretizmitë e Hyjlindëses.  Dhe ç’duhet të them për muzikën e bukur bizantine dhe zërat e bukur që përdorin Monahët për të theksuar ato që thuhen në himnet e Saj?  Është diçka e pakapshme, sikur të dëgjosh këngën e ëmbël të një dallëndysheje, sikur dëgjon një korr ëngjëjsh.  Nëse ju burrat ndodheni në Malin e Shënjtë gjatë ndonjë periudhe të festave Theomitorike do të kuptoni këto që po përpiqem t’ju përshkruaj.

Do të sjell vetëm disa shembuj që vërtetojnë se sa dashuri kanë Monahët për Nënën e Tërëshënjtë të Zotit, por edhe sa dashuri ka Nëna e Tërëshënjtë për Monahët.  Ishte dikur në një manastir një monah i cili e donte aq shumë të Tërëshënjtën Nënë saqë sa herë që dëgjonte emrin e saj ose shikonte ikonën e saj qante me ngashërim.  Ai monah kishte dhe një virtyt, një virtyt i cili rrallë haset sot.  Ishte gjithmonë i heshtur.  Ne llomotisim, ne dërdëllisim.  Flasim gjëra të shumta dhe të kota.  Shpesh herë as vetë ne nuk e dimë se ç’themi.  Flasim për “erëra dhe ujra”, flasim kot për motin, sa për t’u gjendur në muhabet.  Dhe jo vetëm në diskutimet për të dheshmet flasin kot më kot njerëzit kozmikë, por edhe në diskutime fetare llomotisin dhe dërdëllitin me fjalë boshe njerëzit fetarë.  Dhe atëhere llafazanëria bëhet çnderim.

Ky monah pra njerëzve iu fliste me shënja, sikur të ishte memec, dhe vetëm të Tërëshënjtës i fliste me zë të lartë dhe me zemër të thyer.  I psallte Asaj, i lexonte Asaj, i këndonte Asaj, i pëshpëriste Asaj, dhe kur vinte momenti që duhej të thoshte “Gëzohu o Hirëplotë se Zoti është me Ty” atëhere thërriste me sa fuqi kishte.  Monahëve të tjerë iu vinte çudi e madhe.  E pe si flet memeci kur vjen puna për të Tërëshënjtën?  Shumë herë e thoshte gjatë ditës atë përshëndetje Ëngjëllore.  Vitet kalonin dhe ai qante, dhe i fliste vetëm të Tërëshënjtës.  Në heshtje erdhi dhe ora të japë shpirt.  Iku nga kjo botë pa i folur asnjë njeriu.  Ishte i vështirë ushtrimi i tij shpirtëror, por e bëri vetëm që të mos pushojë së foluri me të Tërëshënjtën.  Në kohën kur po e futnin në varr trupin e tij u dëgjua edhe një herë zëri i tij “Gëzohu o Hirëplotë se Zoti është me Ty”, dhe një aromë e shkëlqyer u përhap përreth.  Igumeni i Manastirit atëherë tha me siguri: vëllai ynë u shënjtërua dhe tani ndodhet në Mbretërinë e Qiejve.

Kur shkuan pas 9 ditësh t’i bëjnë shërbesën e përshpirtjes aroma e shkëlqyer ishte akoma atje dhe një zambak kishte mbirë mbi varrin e tij.  Atëhere Igumeni thotë: Le të gërmojmë e të shohim ku e ka rrënjën ky zambak, pasi mund të jetë një shenjë paralajmëruese.  Gërmuan pra, dhe ç’gjetën?  Zambaku kishte mbirë nga goja e Monahut.  E shohin me kujdes zambakun dhe venë re që në petalet e tij ishte shkruajtur me shkronja të arta “Gëzohu o Hirëplotë Mari se Zoti është me Ty”.  Igumeni më pas jep bekimin t’a çajnë me bisturi trupin e vdekur dhe të shohin deri ku depërtojnë rrënjët e zambakut.  Dhe duke ia hapur gjoksin panë se rrënjët e zambakut dilnin nga zemra e Monahut që aq shumë e deshi Nënën e Tërëshënjtë.

Nuk është nevoja t’a shtjelloj më tej temën.  Nuk është nevoja të bëj krahasime dhe t’iu referohem zemrave të disa lloj njerëzish të cilat, ashtu siç tha dikush, as qentë nuk i hanë sepse rrjedhin farmaq.  Vetëm një gjë dua t’ju them.  Mos prisni derisa të vijë dita e Ungjillëzimit që të thoni këtë përshëndetje Ëngjëllore.  T’a thoni atë shpesh herë gjatë ditës dhe ndofta që nga goja tuaj arrin deri në zemër dhe mbin brenda saj zambaku i dashurisë për të Tërëshënjtën Mari.

Po sjell një shembull të dytë, i cili ka lidhje me temën e sotshme, dhe ju lutem të kini mëndjen në këto që do të them.  Në një manastir tjerë ishte një Monahe e cila ushqente dashuri të veçantë ndaj Nënës së Tërëshënjtë, por nuk e kishte këtë dashuri nën kontroll dhe pikërisht këtë gjë shfrytëzoi i ligu.  Ai, qoftë largu pra, i trazon gjërat në kazanin e tij dhe krijon mjegull dhe më pas shndërrohet në ëngjëll drite.  I shfaqej pra Monahes me formën dhe veshjen e Nënës së Tërëshënjtë dhe fillonte bashkëbisedim me të.  Ky ishte mashtrimi, kjo ishte gracka.  Sepse shpesh herë mendoni që jini të denja dhe të vyera të shihni vizione dhe të bisedoni me Shënjtorët.  Nuk ka mashtrim më të madh.  Dhe kjo ndodh sepse nuk jemi njerëz të tapinosur dhe nuk e njohim vehten tonë.  Dhe kush prej jush e di vehten tepër të lartë, aq të lartë sa të shohë vizione dhe zbulesa, është në rrezik të bëhet lojdër në duart e djallit dhe të humbasë shpirtin.  Mua kur më vijnë dhe fillojnë të flasin për vizione dhe gjëra të tjera si këto iu përgjigjem që as ikonën e Shën Marisë nuk jam i denjë t’a puth, jo më tepër t’a shoh dhe te bisedoj me të.

Mendonte pra Kallogreja se meqënëse kishte aq dashuri të madhe për të Tërëshënjtën ajo do t’i shfaqej dhe do të bisedonte me të për t’i treguar mirëpëlqimin e saj.  Dhe për shkak të krenarisë që e hante si krimbi përbrenda besonte që diçka e madhe u bë dhe diku në një pikë të lartë arriti.  Por ajo fliste me të trish-mallkuarin i cili ishte shndërruar në formën e të Tërëshënjtës Mari.  Dhe i bënte pyetje pra Kallogreja se çfarë mendonte e Tërëshënjta për jetën e saj shpirtërore, dhe ajo i përgjigjej “bravo bija ime, po shkon shumë mirë.  Mban kreshmë, bën lutje, bën lëmoshë, ndihmon njerëzit, je në rrugë të mbarë”.  Kështu katandisi në një interpretuese fatkeqe vizionesh, dhe kur shkoi në Manastir Gjerondi rrëfimtar atëherë u zbulua i gjithë mashtrimi.

Nëse ju them se sa raste të këtilla kam dëgjuar deri më sot dhe vazhdoj akoma të dëgjoj do të trembeni.  Historira dhe vizione, çudira të djallit, të cilat nëse mungon përulësia mund të të ngatërrojnë fare lehtë.  Si s’kini turp që mendoni se do t’iu shfaqet e Tërëshënjta krimbave?  Akoma dhe e vertetë të ishte nuk duhet t’a thuash askund.  Shkon pra kjo interpretuesja e vizioneve tek Gjerondi rrëfimtar – atëherë të tillat ishin të pakta, sot u shtuan shumë.  Këta janë individë me besim të sëmurë.  I thosha këto gjëra dhe pak ditë më parë dhe vura re që disave nuk iu erdhi hiç mirë.  Vetëm me vajin nuk mund të shpëtoni.  Duhet dhe pendimi dhe përulësia dhe gjithë të tjerat e thella të Ligjit shpëtimtar.  Të mos e lemë dasmën dhe të shkojmë për shkarpa.  Të mos e lemë Kishën dhe të shkojmë në fallxhorët dhe fallxhoret.  U bë modë sot, të tërë shohin Shënjtorë në ëndra dhe interpretojnë mesazhe.  Oh çfarë mashtrimi, oh çfarë sëmundje!

-Si po ja çon bijë?, – pyet Gjerondi rrëfimtar Monahen.

-Me uratat dhe bekimet e tua Gjerondi im shumë mirë po shkoj.

E kuptoi Gjerondi nga përgjigja krenare që dha që diçka nuk shkonte hiç mirë, ndaj dhe e pyet përsëri.

-Domethënë kalon aq mirë sa ndofta u shënjtërove?

-Jo, i përgjigjet ajo, nuk kam arritur akoma atje në shënjëtërim, por shoh disa gjëra.

-Çfarë lloj gjërash sheh?

-Ja, mbrëmjeve më viziton në qeli e Tërëshënjta dhe bisedojmë bashkë.

-Po të ve kanon, – i thotë Gjerondi – nëse të vjen përsëri sonte e Tërëshënjta t’i bësh kryqin, t’i thuash eksorqizmitë dhe t’a dëbosh sepse është demon.

-Ç’thoni kështu Gjerondi im, me djallin flas çdo natë?

-Bëj si të thashë.

Dhe vërtet në mbrëmje i vjen përsëri qoftë largu dhe Kallogreja e pyet:

-Je vërtet e Tërëshënjta Hyjlindëse?

Dëgjoni përgjigjen e satanait.

-Nuk je e denjë dhe e vyer ti të shohësh të Tërëshënjtën e vërtetë.  Mua vetëm je e denjë të më shohësh që jam shëmbëlltyra e saj, fantasma e saj.

Atëhere ajo i thotë:

-Me uratat e Gjerondit tim të kryqëzoj dhe të urdhëroj të largohesh menjëherë o maskara.

Dhe papritur ajo vallaha e Tërëshënjta u bë tym dhe pasi la një erë të qelbur e të padurueshme u zhduk.

Kështu kuptoi Kallogreja mashtrimin që kishte pësuar dhe ra në pendim, u bë e përulur dhe për tre vjet me rradhë nuk i foli askujt për atë ç’ka kishte pësuar.  Kaq shumë u frikësua sa nuk guxonte as sytë t’i ngrinte të shikonte ikonën e së Tërëshënjtës.  Dëgjuat pra shembullin me zambakun, dëgjuat dhe shëmbullin e vizionit.  Dëgjoni dhe një të tretë që të kuptoni sa shumë dashuri kanë Monahët për të Tërëshënjtën dhe sa dashuri ka e Tërëshënjta për Monahët, ndaj dhe Ajo është Gjerontisa e tyre dhe ata nuk bëjnë asgjë pa bekimin dhe lejën e saj.

Në Manastirin e Shën Savës, në Tokën e Shënjtë, midis kandidatëve në provë për Monahë, erdhi një herë edhe një i pasur.  Ishte me duar të buta, rronte në pallate, as që e kishte idenë se ç’do të thotë punë.  Ndërkaq kishte shumë dashuri për Zotin dhe Nënën e Tërëshënjtë dhe kishte dëshirë të madhe të bëhej Monah.  E pa Igumeni që ishte pa eksperiencë pune dhe i mësuar me tërë të mirat dhe nuk e vuri që në fillim në detyra të vështira. 

-Meqënëse nuk je mësuar me vështirësi në jetë, në fillim do të bësh gjëra të lehta.  Më vonë shohim përsëri.

Kallogjerët e tjerë punonin tokën, gërmonin, nxirrnin gurë, ndërtonin mure etj.  Ti, i thotë, vetëm një gjë do kesh kujdes, të mos hash përpara se të hanë të tjerët.  Një herë në ditë shtrojmë trapezën.  Do të presësh ti që nuk punon të shtrohen Monahët e tjerë që kthehen nga puna dhe do të hash së bashku me ta.  Ky princi dhe arkondi nuk duronte dot dhe hante fshehurazi në qeli.  Kjo gjë në Manastir ndalohet rreptësisht.  As ujë nuk mund të pish pa bekimin e Gjerondit.  Epo kam etje, ç’të bëj?  Do presësh, do marrësh bekimin, do bësh kryqin mbi kupë dhe pastaj do pish.  Do ndodhesh në vreshtë por nuk do të prekësh asnjë kokërr.  Do ndodhesh në kopshtin e frutave por asnjë mollë nuk do të hash.  Monahu nuk ha asgjë tjetër përveçse bukës së bekuar në trapezën e përbashkët.

Ju duket e vështirë, apo jo?  Kjo është nga më të lehtat.  Bile është shumë më e lehtë nga dieta që mbani për t’u dobësuar.  Fatkeqësisht kjo mirëqënia materiale i bëri njerëzit të dobët, dhe nëse vjen ndonjë dallgë e madhe urie nuk e di sa njerëz do të mund të përballojnë.  Ashtu si juve gjyshet iu jepni nipërve dhe mbesave fshehurazi nga prindërit kështu dhe të afërmit e këtij arkondit vinin në Manastir dhe i jepnin fshehurazi dhe ai hante në qeli.  Dhe le të thotë Apostoll Pavli “ai që s’punon s’duhet as të hajë”, dhe le të thonë Etërit e Shënjët “Monah, mos e mbush barkun plot”.  Pësoi këtë avari ky kandidat i mësuar me tërë të mirat, dhe u zhyt në të ngrënin fshehurazi.  Një natë i kërkoi Igumeni të shkojë në Kishë të shohë nëse 

u mblodhën të gjithë Monahët që të fillonte shërbesa.  Rendi me vrap dhe në vend që të shikonte Monahët sheh t’i shfaqet e gjallë përpara syve e Tërëshënjta me dy Ëngjëj.  Njëri Ëngjëll mbante në dorë Kupën e Shënjtë, tjetri një picetë, dhe Nëna e Tërëshënjtë mbante në dorë Lugën e Kungatës së Shënjtë.  Monahët qëndronin më këmbë në stasidhet e tyre, njëri Ëngjëll vinte dhe iu fshinte djersët, tjetri afrohej me Kupën e Shënjtë dhe e Tërëshënjta më pas i kungonte.

-Ah Nënë e Tërëshënjtë, – i thotë arkondi, – edhe mua të lutem të më kungosh.

-Jo, i përgjigjet Ajo, ti hëngre.  Këta janë esëll, të pangrënë gjithë ditën përgatiten.  Ti mbllaçit fshehurazi dhe nuk përmbahesh dot.  Nuk shkojnë bashkë barku dhe Kungata e Shënjtë.

Pyesin disa prej jush si merrnin të Krishterët e parë Kungatën me barkun plot?  Por ata ishin të Krishterët e parë, të pastër në shpirt dhe të shënjtë, ndërsa ne jemi të Krishterët e kohëve të fundit, të Krishterë që jemi mësuar me tërë të mirat, me begati, me çlodhje dhe prehje.  Njësoj jemi me ata?  Kush ka kaq shumë egoizëm dhe guxon t’a krahasojë vehten me Shënjtorët?

Arkondi pra u pendua, ndërroi mentalitet dhe stilin e jetës, dhe kështu u bë një Monah model për gjithë të tjerët.  Që andej e tutje, jo vetëm për bukë dhe ujë, por edhe për gjënë më të vogël shkonte dhe pyeste Igumenin.  Pas Igumenit pyeste dhe të Tërëshënjtën duke qëndruar përpara ikonës së saj dhe me lotë në sy i thoshte: E Tërëshënjtë Hyjlindëse më jep bekimin.  Asgjë nuk dua të bëj pa aprovimin tënd.  Dëshira jote është dhe dëshira ime.  Të lutem të më nxjerrësh pengesa nëse nis të bëj diçka që nuk të pëlqen.  Nuk dua të mërzitesh me mua kurrë më.  Më mirë të mërzitem unë, të vuaj unë, të gjakosem unë sesa të deprivohem nga bekimet e tua dhe dashuria jote.

Gjerontisa e Monahëve pra është e Tërëshënjta, dhe Monahët nuk duan të bëjnë asgjë pa bekimin e saj.  Nuk duan t’a shqetësojnë kurrë.  Mos ndoshta kjo do të thotë që ju lejohet juve t’a shqetësoni?  Mos ndodhtë kurrë vëllezërit e mij.  Gjithmonë t’i bindeni Asaj.  Asgjë të mos bëni pa bekimin e saj, as të mos merrni frymë pa bekimin e saj.  Zoti n’a mëshiroftë të gjithëve me ndërmjetimet e saj. Amin.

Përktheu nga Greqishtja,

Aleksandër P. Filip

15 Gusht, 2008

Me rastin e Fjetjes së Hyjlindëses Shën Mari

Falenderoj,

Gjerondin +Arqimandrit Joakim Karahristu,

Igumenin e Skitës së Profetit Ilia në Malin e shënjtë

për lejën dhe bekimin që më dha për

përdorimin e librit të tij «Πρεσβεία Θερμή».

E Tereshënjta Gjerontisa