/ Predikime-Katekizma- Artikuj / E Diela V e Llukait

E Diela V e Llukait

 

E Diela V e Llukait

 

Të dashur besimtarë!
Ungjilli i shenjtë në tërësinë e tij megjithëse është shkruar përpara dy mijë vitesh, ai mbetet aktual edhe në ditët e sotme në shek. XXI. E padyshim edhe pjesa e Ungjillit të sotëm, e cila flet për një të pasur dhe një të varfër me emrin Llazar, e ruan aktualitetin e saj.
I pasuri bënte një jetë luksoze dhe nuk i mungonte asgjë. Në të njëjtën kohë jashtë shtëpisë së tij, qëndronte Llazari, një lyps i varfër, që në kontrast me të pasurin i mungonte gjithçka. Pasuria e tij e vetme ishin varfëria, skamja, vetmia, mundimet, sëmundjet dhe shokët e tij ishin qentë, që vinin e i lëpinin plagët e shumta të trupit.
Ndodhi që i pasuri e i varfëri Llazar vdiqën që të dy. Llazari shkoi në gjirin e Abrahamit, ndërsa i pasuri përfundoi me mundimeve dhe vuajtjeve të Hadhit. I dëshpëruar siç ishte mes mundimeve, i pasuri hedh sytë e tij përpjetë dhe sheh Llazarin pranë Abrahamit dhe thotë: “O atë Abraham, përdëllemë, dhe dërgo Llazarin, që të lyejë majën e gishtit të tij në ujë, dhe të më ftohë gjuhën; sepse po mundohem në këtë flakë. Po Abrahami i tha: O djalë, kujtohu, se ti i more të mirat e tua në jetën tënde, dhe Llazari gjithashtu të këqijat; po tani ky prehet, e ti mundohesh. Edhe mbi të gjithë këto, në mes nesh e jush është ngulur një pafundësi e madhe, që kështu ata që duan të shkojnë së këtejmi tek ju, të mos mundin, as të andejmit të kalojnë tek ne. Edhe ai tha: Të lutem pra, o atë, ta dërgosh në shtëpinë e tim eti, sepse kam pesë vëllezër; që të japë dëshmi ndër ata, që të mos vijnë edhe ata në këtë vend të mundimit. Abrahami i thotë: kanë Moisiun dhe profetët; le të dëgjojnë ata” (Llk.16:29).
Ungjilli i sotëm të nderuar besimtarë na paraqet disa çështje. Ai na flet për dy nga klasat e ndryshme të shoqërisë njerëzore, të pasurit dhe të varfërit; na flet për gëzimin e vuajtjet, na flet për ferrin dhe për Parajsën. Sot do të prekim disa prej këtyre çështjeve.
Përshtypja e parë kur lexojmë pjesën e Ungjillit të sotëm është se të pasurit janë të këqinj dhe shkojnë në ferr, ndërsa të varfërit janë të mirë dhe shkojnë në Parajsë. Por, ky perceptim është krejtësisht i gabuar. I pasuri nuk shkoi në ferr sepse ishte i pasur. Pasuria nuk është mëkat. Kisha ka në gjirin e saj shumë shenjtorë, të cilët kanë qenë shumë të pasur, siç ka edhe shumë të varfër që kanë fituar kurorën e shenjtorëve. Por mund të themi edhe se ka shumë të varfër që janë kriminelë, siç ka edhe shumë të pasur të tillë.
Natyrshëm na lind pyetja se cili ishte mëkati që dërgoi të pasurin në ferr dhe cili ishte virtyti që dërgoi të varfërin në Parajsë?
Atëherë, vështrimin tonë duhet ta hedhim diku tjetër për të gjetur të vërtetën e tyre. Dhe kjo e vërtetë ka të bëjë me mënyrën se si ata menxhonin jetën e tyre.
Pasuria me të vërtetë nuk përbën mëkat, por kur keqpërdoret, ajo përbën tundim për njeriun që e zotëron sepse e vendos shpresën e tij tek pasuria dhe jo tek Perëndia. Kështu zemra e këtij njeriu ngurtësohet ndaj nevojave të të tjerëve. Disa shkojnë aq larg sa mendojnë se pasuria është gjithçka, madje mund të zërë edhe vendin edhe të Perëndisë edhe të të afërmve. Në këtë mënyrë paraja bëhet perëndia e tij. Kjo është edhe arsyeja se përse i pasuri i sotëm nuk ka një emër. Ai është pa identitet, pa personalitet, sepse pasuria i kishte fshirë këto karakteristika nga personi i tij.
I pasuri i Ungjillit të sotëm nuk shkoi në ferr se ishte i pasur. Ai shkoi në ferr sepse kishte harruar Perëndinë dhe të tjerët dhe ishte braktisur e kishte mbetur fillikat brenda pasurisë së tij.
Në anën tjetër kemi Llazarin. A ishte varfëria ajo që e dërgoi Llazarin në Parajsë? Patjetër që jo! Si pasuria ashtu edhe varfëria nuk janë virtyte, por gjendje. Atëherë, cili ishte ai virtyt që e dërgoi Llazarin e varfër në Parajsë?
Ky virtyt ishte shpresa! Llazari nuk ra në dëshpërim; për gjendjen në të cilën ndodhej nuk fajësoi as njerëzit dhe as Perëndinë. Megjithëse ishte i varfër, nuk u përpoq kurrë të vidhte, të mashtronte ose të bënte punë të pista që të hidhte tej varfërinë e tij, por të gjithë shpresën e vuri tek Perëndia dhe për këtë fitoi edhe Parajsën.
Pra, i pasuri shkoi në ferr sepse u kujdes vetëm për veten e tij dhe asnjëherë nuk tregoi kujdes për Llazarin e varfër, i cili qëndronte poshtë shtëpisë së tij dhe Llazari i varfër shkoi në Parajsë sepse të gjithë shpresën e tij e vendosi tek Perëndia.
Të dashur motra e vëllezër! Ungjilli i sotëm flet edhe për një çështje tjetër, të cilën dëshiroj ta ndaj sot me ju. Pjesa e dytë e Ungjillit na paraqet dialogun midis Abrahamit edhe të pasurit. Të dy të vdekur. Njëri një Parajsë dhe tjetri në ferr.
Por, a ekziston jeta përtej vdekjes? A ekziston Parajsa dhe ferri? A mbaron gjithçka e jona me vdekjen apo ka diçka tjetër përtej?
Këtë dilemë e kanë patur dhe e kanë shumë njerëz gjatë historisë së njerëzimit. Në historinë e Ungjillit të sotëm, Krishti e zgjidh këtë dilemë. Nëpërmjet kësaj historie që e tregon vetë Zoti ne mësojmë se jeta e përjetshme ekziston. Abrahami, i cili ka vdekur dy mijë vjet para Kr. bisedon me të pasurin, edhe ky i vdekur. Por, si mund të bisedojnë dy të vdekur? Veç nëse janë gjallë në formë shpirtërore.
Në fakt Perëndia na ka dhënë shumë dëshmi si në Dhiatën e Vjetër ashtu edhe në Dhiatën e Re për ekzistencën e jetës së përjetshme. Ekzistenca e Parajsës dhe e ferrit është realitet. Dhe këtë realitet Perëndia na e ka zbuluar në kohë të ndryshme, me mënyra të ndryshme dhe në fund me anën e Birit të tij, Zotit tonë Jisu Krisht.
Të gjithë njerëzit, të pasur e të varfër, të mirë e të këqinj, të vegjël e të mëdhenj, të gjithë kemi të përbashkët vdekjen.
Nëse do të shkojmë në Parasjsë ose në ferr varet nga veprat tona në këtë jetë të përkohëshme. Kur të largohemi nga kjo jetë nuk do të marrim me vete pasuri, a të mira materiale, por e vetmja gjë që do të marrim me vete janë veprat tona për të cilat edhe do të gjykohemi nëse jemi të denjë të Parajsës ose jo.
Të dashur mota e vëllezër! Të gjithë bashkë të luftojmë që të mos mbyllemi brenda mureve të egoizmit tonë siç bëri i pasuri dhe humbi shpirtin e tij, por të fitojmë virtytin e shpresës tek Perëndia siç e kishte Llazari i varfër dhe fitoi Parajsën e shenjtorëve bashkë me Abrahamin dhe gjithë shenjtorët. Amin.

 

Përgatiti:

Atë Spiro Kostoli

E Diela V e Llukait