/ Jeta Shpirtërore- Lutja / Rreth Lutjes

Rreth Lutjes

 Rreth Lutjes

Lutja ështё eksperienca mё madhёshtore e shpirtit njerёzor, dhe adhurimi ёshtё aktiviteti mё i thellё i njerёzve tё Perёndisё.

“Nuk ka jetё pa lutje, pa lutje ka vetёm marrёzi dhe tmerr.

Shpirti Orthodhoks konsiston nё dhuratёn e lutjes.”

 

Lutja

Shpirti pa lutje është i akuzuar të vdesë nga asfiksia shpirtërore, ashtu si trupit kur i mungon oksigjeni. Kemi dy lloje lutjesh: të përbashkët, të dukshme; dhe personale, mistike. Lutja e përbashkët duhet të bëhet gjithmonë sipas rregullit dhe tipikosë që cakton Kisha jonë. Nuk kemi të drejtë të bëjmë sajime te lutja e përbashkët. E ka kohën dhe përmbajtjen e saj të caktuar nga Kisha: Mesnatë, Mëngjesore, Orët, Liturgji, Mbrëmësore, Pasdarkë. E njëjta Frymë e Tërëshenjtë që përmban gjithë Kishën përcaktoi lutjet që adhurohet dhe lavdërohet Perëndia i vërtetë pa pushim nga njerëzit, ashtu siç lavdërohet nga engjëjt në qiell.

 

Lutja personale nuk është e parapërcaktuar. Është bashkëbisedim dhe komunikim personal i njeriut me Atin e tij qiellor; i krijesës me Krijuesin e tij. Kjo lutje, na mëson Shën Joani i Shkallës, për sa i përket cilësisë së saj, është kontakt dhe bashkim i njeriut me Perëndinë; dhe, për sa i përket funksionit të saj, ka aq fuqi të tillë sa mbron dhe ruan botën. Të pajton me Perëndinë, fshin mëkatet, të shpëton nga tundimet, shkatërron dredhitë e demonëve, lind gjithë virtytet, buron hiret e Shpirtit të Shenjtë, ushqen shpirtin, ndriçon mendjen, zhduk hidhërimin dhe përtacinë, ul inatin, kultivon shpresën, pasqyron përparimin shpirtëror dhe zbulon të ardhmen.

 

“Ti, kur lutesh, futu në dhomëzën tënde, mbylle derën dhe lutju Atit tënd në fshehtësi” (Mt.6.6). “Dhomë” shpirtërore është zemra që bashkohet  me mendjen dhe lind atë që Shën Theofilakti e quan intelekti mistik. Atje brenda kryhet lutja e brendshme. Nuk është e nevojshme të lëvizen buzët, të përdoren libra, të aktivizohen sytë, gjuha, kordat e zërit; por duhet të lartësohet mendja te Perëndia dhe të zhytet brenda Tij.

 

“Dhoma” shpirtërore e zemrës sate nxë dhe mban plotësisht brenda saj Zotin dhe Mbretërinë e qiejve, ashtu si Ai vetë na siguron: “Mbretëria e Perëndisë është brenda jush”(Luk.17.21). Zemra, shpjegon Shën Makari i Egjiptit, është një organ i vogël, por brenda saj nxënë të gjitha: Atje Perëndia, atje engjëjt, atje jeta dhe mbretëria e përjetshme, atje shenjtorët, atje thesari i hirit. Pra, në këtë dhomë shpirtërore të zemrës të mbyllesh shpesh, të përqendrosh gjithë mendjen tënde, të paraqitesh mendërisht para Perëndisë dhe të komunikosh mistikisht me Të, me nxehtësi shpirtërore dhe besim të gjallë, duke u ushtruar me vigjilencë që të bëhesh “njeri i përsosur”.

 

Mëso mënyrën e shkëlqyeshme të lutjes:

Së pari t’i drejtosh Perëndisë falënderim të thellë e të sinqertë. Në vendin e dytë vendos rrëfimin e mëkateve të tua me pendim, vetëdije dhe dërrmim të shpirtit. Dhe së fundi, thuaji kërkesat e tua ndaj Atit tënd qiellor. Nëse lutesh për shumë kohë dhe Perëndia nuk dëgjon kërkesat e tua, patjetër kjo ndodh për tri arsye:

1.
Sepse kërkon diçka para se të vijë koha e përshtatshme;
2.
ose sepse kërkon në mënyrë jo të denjë dhe krenare;
3.
ose sepse Zoti i gjithëditur e di që nëse do të plotësojë dëshirën tënde, më pas do të biesh në krenari ose në indiferentizëm.

 

Ka lutje frytdhënëse dhe të pëlqyeshme te Perëndia. Dhe, ka lutje të pafrytshme dhe të neveritshme tek Ai. Nëse dëshiron që Zoti të pranojë lutjen tënde, afroju Atij me shumë përulësi dhe dërrmim, me mendime të pastra, me besim të thellë te Providenca e Tij, me zemër të pastër nga zemërimi dhe inati, me frymën e të mësuarit dhe të bindjes ndaj dëshirës së Tij. Këto janë parakushtet bazë të lutjes frytdhënëse.

 

“Kur ju luteni, mos përdorni përsëritje të kota siç bëjnë paganët, sepse ata mendojnë se do t’u plotësohet lutja se kanë përdorur shumë fjalë”(Mt.6.7), thotë Zoti. Dhe Shën Joani i Shkallës përsëri rekomandon: “Mos kërko të thuash shumë fjalë në lutjen tënde, që të mos shpërndahet mendja jote, duke i kërkuar ato. Një fjalë e tagrambledhësit e zbuti Perëndinë dhe një fjalë e besimit shpëtoi kusarin. Shumë herë, fjalët e shumta në lutje krijojnë fantazira dhe shpërndarje në mendje, ndërsa, në të kundërt, pëshpëritja përqendron mendjen”.

 

Prandaj, ushtrohu në lutjen papushim të zemrës, në lutjen mendore, “Zot Jisu Krisht, Bir i Perëndisë, mëshiromë mua mëkatarin”, duke iu bërë bindje fjalëve të apostullit: “Parapëlqej të them pesë fjalë me mençurinë time për mësimin e të tjerëve, sesa dhjetë mijë fjalë në gjuhë tjetër”(I.Kor.14.19). Nëse kjo lutje bëhet frymëmarrje e shpirtit tënd, do të të çojë drejtpërdrejt në bashkimin mistik me Zotin.

 

Lutjen e vërtetë e të pastër, nuk mund të ta mësojë askush tjetër, përveç Zotit.

Lutja nuk ka mësues tjetër, përveçse vetë Perëndisë, që “i mëson njeriut diturinë dhe lutjen atyre që luten”(Ps.93.10). Prandaj, kujto nxënësin që me thjeshtësi iu lut Zotit: “Zot, na mëso të lutemi”(Luk.11.1)

.

Marrë nga :O Zot dëgjo lutjen time

Botim  i  Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.

Rreth Lutjes

 i  

 

 

 

 

 

 

  Rreth Lutjes