/ Predikime-Katekizma- Artikuj / Virtytet 1

Virtytet 1

Virtytet 1

 

 Përveç lumurimeve të Jisuit, ka shumë fryte të Shpirtit të Shenjtë të numëruara në shkrimet apostolike dhe të paraqitura në shkrimet e shenjtorëve të Kishës. Këto frute të Shpirtit quhen shpesh virtytet e krishtera, që fjalë për fjalë do të thotë ato fuqi dhe zotërime të mendjes dhe të zemrës, të cilat të gjithë njerëzit duhet t’i kenë, nëse ata janë me të vërtetë njerëzorë, duke i përmbushur vetet e tyre si të krijuar në shëmbëlltyrën dhe ngjashmërinë e Perëndisë. Duke folur në përgjithësi, të gjitha virtytet njerëzore janë veti të Perëndisë Vetë. Ato janë karakteristikat e Jisu Krishtit, Birit hyjnor të Perëndisë në trup njerëzor. Ato janë cilësitë që duhet të jenë në të gjithë personat njerëzorë nga dhurata e Perëndisë në krijim dhe shpëtim nëpërmjet Jisu Krishtit   Është thënë dhe është e vërtetë, se virtytet e krishtera nuk janë të gjithë veçanërisht “të krishtera”, në kuptimin që vetëm të krishterët i njohin ato dhe janë të përkushtuar për t’i arritur ato. Shumica, nëse jo të gjitha, nga virtutet e krishtera janë nderuar, respektuar dhe këshilluar nga të gjithë mësuesit e mëdhenj të jetës shpirtërore. Kjo, në asnjë mënyrë, nuk i heq nga vlera dhe e vërteta e tyre e krishterë, sepse Krishti dhe apostujt dhe shenjtorët e tij nuk kanë mësuar dhe praktikuar diçka tjetër nga ajo që të gjithë njerëzit duhet të mësojnë dhe praktikojnë. Si përmbushja e të gjitha aspiratave dhe dëshirave pozitive njerëzore, është krejtësisht e kuptueshme se Jisu Krishti, “njeriu prej qiellit” i përsosur dhe “Adami i fundit” (1 Korinthianët 15:45-47, Romanët 5:14), duhej të përmbushte dhe realizonte në Veten e Tij atë që të gjithë njerëzit e diturisë dhe vullnet-mirë kanë kërkuar dhe kanë dëshiruar në mendjet dhe zemrat e tyre, të ndriçuara nga Perëndia.

 

Kisha Orthodhokse Autoqefale Shqipërisë

http://orthodoxalbania.org/

 

Virtytet 1