/ Fjalë të Urta nga Shenjtorë dhe Etër / Paqja Shpirterore

Paqja Shpirterore

Paqja Shpirterore

 

Asgjë nuk është më e lartë se sa paqja e Krishtit e cila thyen çdo sulm të frymërave te ajrit dhe të tokës. Shkrimi i Shenjtë thotë:

“Kemi kaluar nëpër zjarr dhe ujë, por ti na ke nxjerrë jashtë në vend të freskët”.

Rruga e atyre që kërkojnë t’i pëlqejnë Perëndisë kalon nëpër shumë ngushtica.

Si ti nderojmë martirët e shenjtë për ato që duruan për hir të Krishtit, kur ne nuk mund të durojmë as tundimin më të vogël?

Asgjë nuk ndihmon aq shume në fitimin e paqes së brendshme se sa heshtja dhe të bisedosh sa më shumë që është e mundur me veten tënde dhe më pak me të tjerët. Provë e jetës shpirtërore është të paturit e vëmendjes brenda në shpirt dhe puna e fshehtë e zemrës.

Hiri i Perëndisë e mbulon me hijen e tij njeriun që përpiqet të jetë paqësor dhe me energjinë e tij e udhëheq në paqen e përgjithshme. Ne fazën fillestare të paqes shpirti është i qetë, ndërsa në atë përfundimtaren hijeshohet nga Hiri i Shpirtit të Shenjtë “Dhe erdhi paqja në atë vend”.

Ai i cili ecën drejt paqes shpirtërore, pa u anuar në të djathtë e në të majtë, merr me bollëk dhurata shpirtërore.

Etërit e shënjtë, të cilët kishin fituar paqen shpirtërore dhe që i mbulonte Hiri i Shpirtit të Shenjtë, jetuan shumë vjet.

Atëhere kur njeriu arrin në gjendjen e paqës mund t’u japë edhe të tjerëve dritën që ndriçon mendimin e tij. Por  më parë  duhet të përsërisë fjalët e profetes Ana: “Mos dalshin fjale të mëdha nga goja juaj”.

Këtë paqe Zoti ua la si thesar nxënësve të tij pak kohë para vuajtjes së tij hyjnore. “Unë po ju lë paqen, po ju lë paqen Time”. Për këtë paqe na flet edhe apostulli duke thënë se: “paqja e Perëndisë që tejkalon çdo lloj zgjuarsie do të ruaj zemrat tuaja dhe mendjen tuaja në Krishtin Jisu, dhe “kërkoni paqe me të gjithë dhe shenjtërim, pa të cilin askush nuk ka për të parë Perëndinë”.

Prandaj duhet me çdo mendim, dëshirë dhe vepër, të synojmë që të fitojmë paqen e Perëndisë dhe të thërresim gjithmonë me Kishën: “O Zoti ynë, dhurona paqen”.

 

Fragment nga libri SHEN SERAFlMI I SAROV

Botuar nga «KOSHERJA ORTODOKSE»

Paqja Shpirterore