/ Ungjilli i të djelës / Shërimi i të demonizuarit

Shërimi i të demonizuarit

Shërimi i të demonizuarit

 

Llk.8:27-39
27 Edhe kur doli në tokë, i doli përpara një njeri prej qytetit, që kishte demonë prej shumë vitesh, edhe rrobë nuk vishte, edhe në shtëpi nuk rrinte, po nëpër varre.
28 Edhe kur pa Jisuin, bërtiti e i ra ndër këmbë, e me zë të madh tha: Ç’ke me mua, Jisu, bir i Perëndisë së Lartë? Të lutem, mos më mundo.
29 Sepse ai urdhëroi frymën e ndyrë të dalë nga njeriu; sepse prej shumë vitesh e kishte rrëmbyer, edhe lidhej me vargonj, edhe ruhej me hekura këmbësh; po ai i këpuste prangat, edhe sillej prej demonit nëpër shkretëtira.
30 Edhe Jisui e pyeti, duke thënë: Si e ke emrin? Edhe ai i tha: Legjion; sepse kishin hyrë tek ai shumë demonë.
31 Edhe i luteshin të mos i urdhëronte të shkonin në humnerën e pafund.
32 Edhe atje ishte një tufë e madhe derrash duke kullotur në mal; edhe i luteshin t’i linte të hyjnë tek ata; dhe ai i la.
33 Edhe demonët, si dolën prej njeriut, hynë te derrat; dhe tufa e derrave u hodh prej shkëmbit në liqen dhe u mbyt.
34 Edhe kullotësit, kur panë se ç’u bë, ikën dhe lajmëruan në qytet e nëpër ara.
35 Edhe dolën të shihnin se ç’u bë; edhe erdhën te Jisui, edhe e gjetën njeriun, prej të cilit kishin dalë demonët, duke ndenjur pranë këmbëve të Jisuit, të veshur e të urtësuar; dhe u frikësuan.
36 U treguan dhe ata që e panë, si shpëtoi i demonizuari.
37 Edhe gjithë turma e vendeve rreth Gadarinëve iu lutën të ikë nga ata, sepse i kishte zënë frikë e madhe; edhe ai hyri në lundër, e u kthye.
38 Edhe njeriu, prej të cilit kishin dalë demonët, i lutej të jetë bashkë me të; po Jisui e lëshoi, duke thënë:
39 Kthehu në shtëpinë tënde, dhe rrëfe sa të bëri Perëndia. Edhe ai shkoi duke shpallur nëpër gjithë qytetin sa i bëri Jisui.

 

Marrë nga Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë

 

Shërimi i të demonizuarit