/ Predikime-Katekizma- Artikuj / APOSTULL PETRO DHE PAVLI- Predikime

APOSTULL PETRO DHE PAVLI- Predikime

APOSTULL PETRO DHE PAVLI

 

“Me çfarë këngësh shpirtërore të lavdërojmë Petron dhe Pavlin” – “Parëfronësit e apostujve dhe mësonjësit e tërë botës”, që kremtojnë sot? Dhe bashkë me himnografin e shenjtë edhe ne shprehim habinë dhe admirimin tonë. Me çfarë fjalësh dhe çfarë himesh t’u thurim dy të parëve të apostujve?!

E kremtja e dy apostujve shumë të dashur për të gjithë botën e krishterë përbën një gëzim shumë të madh dhe shumëdimensional si për Kishën Triumfale ashtu edhe për Kishën Militiante, trupin e Zotit tonë Jisu Krisht.

Çdo komb dhe vend ka heronjtë e tij që i nderon dhe i kujton siç u ka hije. Kështu edhe Kisha jonë e shenjtë ka heronjtë e saj; heronjtë e besimit, të vetëmohimit, të virtytit dhe të shenjtërisë. Emrat e tyre janë shkruar me gërma të arta në Parajsë; ata janë simbole dhe shembuj imitimi për ne.

Sot, Kisha na jep mundësinë të kremtojmë dy nga këta heronj të panumërt që numëron Krishtërimi; dy ndriçues të mëdhenj të jetës shpirtërore; dy martirë të besimit; dy shtylla të Kishës; dy mësues të mbarë botës; dy Apostuj të Zotit; dy të parët e të gjithë apostujve; apostujt Petro dhe Pavli.

Petro, që do të thotë gur, shkëmb i besimit, ishte një njeri i thjeshtë, pa shkollë e peshkatar. Sapo Zoti e thirri, ai menjëherë braktisi rrjetat, varkën, madje i braktisi të gjitha dhe e ndoqi Zotin. Nga peshkatar peshqish u bë peshkatar njerëzish.

Edhe kur Zoti, siç na thotë dhe Ungjilli i sotëm kërkoi nga nxënësit që t’i thonë se ç’mendojnë për të, Petro, i pari dhe si përfaqësues i gjithë apostujve tha: “Ti je Krishti, Biri i Perëndisë së gjallë”. Sipër këtij shkëmbi të besës, sipër pohimit të këtij guri themeli, Krishti themeloi Kishën e Tij.

Më vonë njohim edhe tronditjen dhe provën që kaloi me besimin e tij. Petro ra; ai mohoi Mësuesin e tij. Por nuk mbeti me kaq; ai u ngrit përsëri. I mbushur me lotë pendimi, ai e forcoi më shumë besimin në shpirtin e tij. Jetoi duke predikuar Ungjillin e Perëndisë, duke shkruar Letrat e tij e duke mbështetur të krishterët kudo ku shkonte. Punoi shumë, u mundua shumë, vuajti shumë dhe pësoi një vdekje martirike, dhe të gjitha këto për dashurinë e Krishtit.

Ai përbën një shembull të madh për të gjithë ne. Edhe ne shumë herë në jetën tonë kalojmë prova të vështira, shpesh vihet në provë edhe besimi ynë. Ringritja e tij nga rënia në mëkat dhe ecuria e tij e forcuar në besim, na frymëzon dhe na tregon udhën që duhet të ndjekim në jetën tonë kur të përballemi me vështirësitë, me pengesat dhe me sfidat e ndryshme. Njeriu ka nevojë për besim. Edhe sot më shumë se kurrë. Prandaj duhet të gjithë ne të kemi në zemrën tonë pohimin e apostull Petros: “Ti je Krishti, Biri i Perëndisë së gjallë”.

*           *           *

Apostull Pavli është më i shenjti nga të gjithë heronjtë e kishë sonë. Në fillim ishte si një luan i egër që e persekutonte Kishën e Krishtit. Por ky luan u zbut dhe u bë qengj kur dëgjoi zërin e Zotit rrugës kur shkonte për në Damask për të arrestuar të krishterët. Nga përndjekës u kthye në një “enë të zgjedhur” të Zotit. U bë instrument i Krishtit që emrin e Tij t’ua bëjë të njohur kombeve. Siç thotë dhe himnografi i shenjtë: “shëtite dhe themelove kishë kudo, për ndriçimin e paganëve”.

Ky apostull i shenjtë siç e pohon në letrat e tij arriti deri në qiellin e tretë. Apostull Pavli është apostulli i dashurisë, i vetëmohimit, i vetësakrifikimit. Shkoi në Lindje e Perëndim duke predikuar Ungjillin, që të ndriçojë botën, të rilindë njeriun, t’i japë mbështetje atij, ta udhëheqë, ta frymëzojë, ta mësojë të lutet dhe të bëhet “gjithçka në të gjitha”.

Cili vend nuk e ka dëgjuar predikimin e tij? Cili qytet nuk i pranoi nxënësit e tij? Cili brez ndër shekuj nuk u ndriçua nga fjalët e apostull Pavlit? Siç thotë dhe ai vetë erdhi deri në Iliri për të predikuar Ungjillin e Krishtit.

Ishte apostulli më i palodhshëm, që rrezikoi më shumë se të tjerët dhe që në fund u martirizua për hir të Krishtit. E çfarë nuk provoi: burg, pranga e vuajtje, e të gjitha për Krishtin. Kush mund të përshkruajë e të thotë se çfarë përndjekjesh, arrestime, burgosje, tortura, rreziqe mbytjeje; çfarë shpifjesh u thanë në kurriz të tij, sa shumë gjëra që i privoi vetes; çfarë mundimesh e kundërvëniesh pësoi; çfarë lufte dhe vdekje të përditshme provoi gjatë veprës së tij apostolike! I përshkruan ai vetë në leximin e pjesës së apostullit të sotëm në Letrën II drejtuar Korinthianëve. Aty ai numëron mundime, plagë, burgosje, kamxhikime, goditje me gurë, rrugëtime, përmbytje, privime dhe netë pa gjumë.

A pati frikë në të gjitha këto? A u ankua ndonjëherë? JO. Të gjitha i pranoi me gëzim. Duroi si një qëndresë e pathyeshme. Gjithmonë sakrifikonte jetën e tij për hir të veprës së tij të shenjtë. Dhe në fund dorëzoi shpirtin e tij të shenjtë në duart e Zotit me një vdekje martirike.

Edhe sot në të kremten e tij duhet të mendojmë sa herë kemi frikë ne, sa herë tërhiqemi, jo në martirizim, përndjekje ose burgosje, por për gjëra të tjera të vogla e të parëndësishme. Përpara vështirësisë më të vogël ne dorëzohemi dhe biem në kurthin e mëkatit.

Shembulli i ndritshëm i apostull Pavlit duhet të na shkundë dhe të na trondisë nga plogështia dhe përtacia në të cilën gjendemi. Shembulli i tij duhet të na ndihmojë të rishikojmë qëndrimin tonë, ecurinë e përditshme të jetës sonë, duke treguar kudo dhe kurdo këmbëngulje në parimet tona. Qëndrueshmëri dhe frymë të palëkundur, sado që të mund të na kushtojë ky qëndrim.

Të dy këta punëtorë të palodhur të Krishtit, Petro dhe Pavli, sollën shumë popuj e shumë kombe në njohjen e Perëndisë. Të falënderojmë Zotin, sepse si Perëndi njeridashës na dha këta pishtarë ndriçues në Kishën e Tij, dy protokorifenjtë e apostuje, që si yje ndriçojnë në qiellin shpirtëror të krishtërimit.

Të dy këta apostuj bënë një jetë vetëmohimi dhe vetësakrifikimi. Këtë jetë ftohemi edhe ne të jetojmë sa dëshirojmë të ndjekim gjurmët e apostujve Petro dhe Pavli dhe të bëhemi nxënës të mirë të tyre. Amin.

 

Përgatitur nga At Spiro Kostoli

 

APOSTULL PETRO DHE PAVLI