/ Predikime-Katekizma- Artikuj / “Shpirt dhe Krisht ju Duhet”

“Shpirt dhe Krisht ju Duhet”

 "Shpirt dhe Krisht ju Duhet"

Nga botimet “e diela-kyriakh”

“U rrëmbeva nga Shpirti ditën e Dielë dhe dëgjova përpara meje një zë të madh si zë trumpete” (Apokalipsi 1:10)

 

 Sot të dashurit e mij është e Diela e 3-të e Kreshmëve të Mëdha.  Kemi arritur deri në mes të një rruge të vështirë dhe po zhvillojmë një betejë shpirtërore.  Ndiejmë nevojën të qëndrojmë diku të marrim frymë dhe të ripërtërijmë forcat për të vazhduar më tej.  Në luftë, kur beteja arrin një fazë të vështirë, luftëtarët marrin krahë kur shohin të shpaloset përpara tyre flamuri, sado frikacakë që të jenë në atë pikë marrin guxim për të luftuar.  Kështu pra dhe ne.  Marshojmë përpara dhe në mes të rrugës gjejmë pemën me gjethet që bëjnë hije, gjejmë Kryqin e Shënjtë.  Ushtarë të Krishtit jemi, dhe në një moment kritik të luftës sonë kundër mëkatit, kundër të dheshmeve të kësaj bote, kundër mishit dhe kundër djallit, Kisha e Shënjtë shpalos flamurin e saj të pamposhtur, Kryqin e Shënjtë.

Nën këtë flamur të të Kryqëzuarit luftuan ashpër mijëra shënjtorë.  Nën këtë flamur n’a thërret edhe ne sot Kisha nëpërmjet fjalëve të Krishtit që u lexuan në Ungjillin e sotshëm.  A e dëgjoni trumpetën? “Përpara marsh, jo në vend ndalo!”.

Trumpeta e parë është sinjal i lirisë.  Askush tjetër nuk e mbështeti në mënyrë kaq të theksuar sa Krishti të drejtën e njeriut për të qënë i lirë.  Çfarë trumpeton sot? “Kush të dojë le të vijë pas meje” (Mark 8:34).  Nuk detyron askënd – “kush të dojë” thotë.  Përpara teje gjendet edhe uji edhe zjarri, nëse zgjedh ujin do të freskohesh, nëse zgjedh zjarrin do të digjesh, zgjidh e merr pra (Shih Urtësia Sirah 15:16).  Krishti pra e le njeriun të lirë dhe kurrë nuk ushtron dhunë.  Kërkon vullnetarë të lirë e të gatshëm për t’iu bindur dhe për të zbatuar urdhërat e tij të shënjta.

Dhe proklamata e dytë e Krishtit n’a thotë: ju ftoj në betejë për të fituar jo gjëra të vogla dhe të parëndësishme por për një çështje tepër të lartë – dhe dalin prej gojës së Tij fjalë të paçmuara – “sepse ç’dobi do të ketë njeriu nëse fiton gjithë botën dhe dëmton shpirtin e tij?” (Mark 8:36-37).  Dhëntë Zoti të hapen zemrat tona të ashpra dhe t’i futim brenda në zemër këto fjalë të cilat kohë më përpara kur i dëgjonin njerëzit ndjenin brenda tyre tërmetin e shënjtë të pendimit.

“Ç’dobi do të ketë njeriu në fitoftë gjithë botën dhe dëmton shpirtin e tij”!  Ungjilli bën fjalë për shpirt.  Dhe ky është një subjekt i tërë më vehte.  Ose ekziston shpirti ose nuk ekziston – një nga të dyja.  Nëse nuk ka shpirt atëhere ka të drejtë Epikuri dhe ndjekësit e tij të sotshëm materialistë dhe të pafe’ që ngrehin lart parrullën “Le të hamë e pimë dhe të bëjmë qejf se nesër do të vdesim” (Shih Isaia 22:13, dhe Let. I. më Korinth.15:32).  Por nëse shpirti ekziston – dhe vërtet ekziston! –  atëherë duhet t’a shohim botën nga një këndvështrim tjetër dhe duhet të mendohemi mirë.  Sepse jeta nuk mbaron tek varri me një lopatë dhe’.  Varri është fillimi i jetës së re pambarim.

Por, do të thotë tjetri, unë jam shkencëtar, dua prova, dua prova bindëse që të besoj.  Një herë pra, një doktor ateist, duke bërë operacion përpara studentëve të tij, i trazoi të përbrëndëshmet e të sëmurit që operonte duke thënë “ku është shpirti?”…. Oh i marri!  Kërkonte të gjente shpirtin e njeriut në të përbrëndëshmet e tij.  Jo o vëllezër!  Shpirti ekziston.  Do të thuash “nuk e shoh”.

Mund të të numuroj një sërë gjërash të cilat nuk i sheh por që ekzistojnë.  Një kupë ujë përmban brenda saj me mijëra mikrobe, të cilat nëse do të mund t’i shikonim nuk do t’a pinim kurrë atë ujë.  Atmosfera është gjithashtu plot e përplot me mikrobe, të cilat i thithim.  Janë kaq të vogla sa nuk i shohim dot.  Vetë ajrin që thithim dhe n’a jep jetë a e shohim?  Kush e pa?  Nuk e shohim por e ndjejmë dhe jetojmë rezultatet e tij: e dëgjon që oshëtin, e ndjen të rrahë fytyrën tënde,  e sheh të tundë gjethet, të çrrënjosë pemët, të tërbojë detin.  Nga këto shfaqje të tij bindemi për ekzistencën e ajrit. 

Në qiell ekzistojnë trupa qiellorë të panumurt të cilët syri i njeriut nuk mund t’i dallojë dot.  Doni edhe një shembull tjetër?  Jetojmë në kohën e energjisë elektrike.  Kush e pa rrymën elektrike?  Askush.  Por shohim një llambë e cila lëshon dritë, ose prekim një nga telat elektrikë dhe n’a godet duke n’a hedhur përtokë.  Të gjitha këto pra nuk i shohim por ato ekzistojnë.

Kështu është edhe me shpirtin.  Nuk duket por shfaqet me mënyra të ndryshme.  Si shfaqet shpirti?

Para së gjithash është mendimi – një mënyrë kryesore pra që vërteton ekzistencën e shpirtit.  Ndërsa ndodhesh në shtëpi me mëndje arrin nëpër vënde tepër të largëta.  Ke miq e të afërm në mërgim?  Përnjëherësh arrin atje dhe me mëndje ndodhesh pranë.  Ndërkohë që trupi yt ec këtu me shpirt gjendesh në Australi, në Nju Jork, në Çikago etj… Si? Me mendimet e tua, me shpirtin tënd.  Oh mendimi!  Kërruset Arkimedi i zhytur në planet e tij, çuditet dhe habitet, dhe ndërkohë që jeta e tij është në rrezik ai bërtet: “mos m’i trazoni rrathët”, e pra kështu bëhen zbulimet.  E gëdhin gjithë natën astronomi duke vrojtuar yjet, bën vlerësime, nxjerr përfundime.  Doktori studion thellë libra të tëra, mëson organizmin, kontrollon të sëmurin, nxjerr diagnozën, jep metodën e shërimit.  Tek të gjithë mendimi është burim frymëzimi, është krijimtari, poemë, këngë.  Kështu edhe besimtari ndërsa ndodhet me trup në Kishë me shpirt fluturon lart në Fronin e Trinisë së Shënjtë së bashku me ëngjëjt “Ne që simbolizojmë mistikërisht Qerubimet…” dhe dëgjon me shpirtin e tij “Shënjt Shënjt Shënjt Zoti Savaoth…” (Isaia 6:3, dhe Liturgjia Hyjnore).

Oh mendimi njerëzor!  A ka peshore t’a peshojë dot mendimin e njeriut?  Kush mund t’a peshojë?  Është diçka e palëndëshme por në të njëjtën kohë edhe e vëretetë.

Më i lartë se mendimi është ndjenja, më e lartë se mëndja është zemra.  E sheh infermieren që nga dashuria dhe altruizmi qëndron gjithë natën tek koka e të sëmurit?! A peshohet dot ndjenja sa e rëndë është? Është e palëndëshme por përbën realitet.

Do edhe diçka akoma më të lartë?  Është vullneti.  Vullneti i njeriut ngreh pesha tepër të rënda, thyen çdo ndalesë dhe çan tej për tej malet, kapërcen çdo pengesë dhe ia del mbanë me trimëri në arritje të larta përpara të cilave mbetemi gojëhapur.

Këto gjëra të palëndëshme pra, mendimi-ndjenja-vullneti, kanë një bazë, një qëndër, një burim.  Të lëndëshmet kanë burim trupin, ndërsa të palëndëshmet, gjërat shpirtërore pra të cilat e ngrehin njeriun më lart se kafshët kanë burim shpirtin.  N’a thonë disa të marrë nga mëndtë që e kemi prejardhjen nga majmuni, nga shimpazeja.  E pranoj që trupërisht edhe mund të ngjasojmë.  Por një humnerë e pakapërcyeshme n’a ndan prej tyre, shpirti.  Sepse ekziston edhe një diçka tjetër më e rëndësishme se ato që përmendëm më sipër.  Kush është kjo e rëndësishme?  Ujku pasi ha shqerat bëhet mënjanë në qetësi, luani pasi shqyen antilopën fle, skifteri rrëmben pulën dhe shplodhet.  Por a e sheh njeriun?  Njeriu – jo kur vret! Oh nëse vret! – por vetëm një fjalë të rëndë të thotë dhe ndjen një barrë të rëndë brenda tij.  Nuk është kafshë, nuk është bishë.  Përbrenda tij ka një thëngjill të ndezur flakë.  Kush është kjo?  Ndërgjegjia.  Preferoj më mirë të më pickojë akrepi sesa ndërgjegjia ime.

Të gjitha këto fenomene të cilat janë tërësisht të një natyre shpirtërore vërtetojnë që njeriu përbëhet prej një substance të palëndëshme dhe të pavdekshme, dhe kjo substsancë e palëndëshme quhet shpirt.  Por deri tani nuk ju kam thënë asgjë.  Është dhe diçka tjetër që vërteton në mënyrë të patundëshme, njëqind për qind, ekzistencën e shpirtit.  Është Golgothaja, është Kryqi i Shënjtë dhe i nderuar, është Krishti i cili nuk tha kurrë gënjeshtra.  Si një autoritet i lartë dhe superior n’a siguron që ekziston shpirti.  Në mënyrë të veçantë, sot në këtë ditë të Shënjtë, prej Kryqit të tij, me kurorën prej gjëmbash mbi krye, me buzët e vyshkura nga etja, me duart e shpuara prej peronave, me këmbët e tij të gjakosura, dhe me brinjën e shpuar prej shtizës, n’a thërret duke thënë:

“Ç’dobi do të ketë njeriu në fitoftë gjithë botën dhe dëmton shpirtin e tij”  A ka sigurim apo provë më të fortë se kjo?!

*****

Përpara se t’a mbyll fjalën të dashurit e mij, po ju kujtoj dhe diçka tjetër, një diçka për të cilën n’a siguron edhe shkenca.  Kush është kjo?  Vjen momenti dhe një kambanë e madhe, një kambanë e madhe që varet në yjet e qiellit do të ushtojë “Erdhi Fundi”!  Është e sigurt që po afron fundi i botës.  Kur do ndodhë kjo gjë nuk mund të themi, ashtu siç bëjnë heretikët dëshmimtarë të Jahovait duke dhënë data të caktuara.  Por një gjë është e sigurt, fundi po afron.

Dhe atëhere dy gjëra do të ekzistojnë vetëm shpirti dhe Krishti!  Shpirti do të gjykohet dhe Krishti do të gjykojë.  Këto të dyja n’a duhen vetëm, thekson Shën Kosmai i Etolisë, dhe sikur tërë bota të përmbyset dhe të gjithë demonët të sulen mbi ne nuk mund të n’a i marrin – shpirtin dhe Krishtin.  Të varfër dhe leckamanë, të dëbuar dhe të përndjekur, omologjitë dhe martirë të Krishtit, të Krishterë të vërtetë, të gjithë pra le t’i mbajmë, le t’i shtrëngojmë fort këto të dyja – shpirt dhe Krisht!  Jo, le t’i bërtasim djallit dhe demonëve të tij, këto të dyja kurrë nuk do t’i dorëzojmë!  Sepse e tha Krishti dhe fjala e tij mbetet e vërtetë në jetë të jetëve “Ç’dobi do të ketë njeriu në fitoftë gjithë botën dhe dëmton shpirtin e tij?!”.

+Episkop Avgustini

Predikimi u mbajt gojarisht në Kishën e Shën Sostit

në lagjen e Nea Smirnit – Athinë

më datë 13 Mars, 1977.

Kryqi i Besimtarit

“Kush të dojë të vijë pas meje, le të mohojë vehten e tij dhe le të ngrerë kryqin e tij, dhe le të më vijë pas” (Mark. 8:34)

 Përveç kryqit që ngriti Krishti duke marrë përsipër gjithë mëkatat e botës, duhet që edhe ne të gjithë, burra e gra, të mëdhenj e të vegjël, të pasur e të vobekë, duhet të ngrehim secili prej nesh kryqin e vet.  Kështu thotë Krishti “dhe le të ngrerë kryqin e vet”.  Çfarë do të thotë Zoti me këto fjalë?

Kryqi i Krishtit dhe kryqi ynë

Disa i keqkuptuan fjalët e Krishtit “dhe le të ngrerë kryqin e vet”, dhe çfarë bënë?  Morën dy drurë, bënë kryq, dhe mbi atë kryq u mbërthyen me të vërtetë.  Vepruan drejt? E interpretuan ashtu siç duhej këtë pjesë të Ungjillit?  Jo!  Nuk thotë Krishti të bëjmë gjëra të tilla.  Kryqi i Krishtit është kryq i veçantë, i papërsëritshëm.  Krishti u kryqëzua dhe dha shpirt sipër mbi kryq për të shpëtuar mbarë njerëzimin.  Një herë të vetme u ofrua therror i shënjtë Krishti, dhe kjo sakrificë vazhdon deri më sot nëpërmjet Liturgjisë Hyjnore – mjafton pra kjo sakrificë që të shpëtojnë të gjithë njerëzit.  Rrjedhimisht, që dikush të shpëtojë nuk është nevoja të kryqëzohet.

Kjo pjesë e Shkrimit të Shënjtë nuk n’a thotë që secili prej nesh duhet të kryqëzohet sipër një kryqi të drunjtë ashtu siç u kryqëzua Krishti. Kuptimi i kësaj pjese qëndron diku tjetër.  Duke thënë Krishti “dhe le të ngrerë kryqin e vet” me këtë do të thotë që secili prej nesh duhet të mbartë kryqin e vet.

Më konkretisht çfarë do të thotë me këtë? Kryq sipas Shkrimit të Shënjtë dhe Etërve të Shënjtë të Kishës do të thotë diçka që n’a mërzit apo shqetëson, diçka që n’a mundon dhe torturon përbrenda, diçka që n’a bën të ndjejmë dhimbje, diçka që n’a bën të rënkojmë, të dëshpërohemi, diçka që n’a çon në situatë pa rrugëzgjidhje, diçka që n’a bën të n’a fryhen sytë nga të qarët, diçka që për ne është tepër e rëndë.  Dhe ashtu si Krishti sipër në kryq tha “Perëndi o Perëndi pse më braktise” (Matthe 27:46), kështu edhe në jetën e çdo njeriu, të çfarëdolloj ngjyre apo pozite, vijnë momente të frikëshme dhe tragjike, furtuna dhe uraganë, stuhi të tërbuara vojtjesh dhe të këqiash, hidhërimesh dhe provash, vështirësish dhe fatkeqësish, dhe atëherë ai i drejtohet Atit qiellor duke thënë “Perëndi o Perëndi pse më braktise?”.  Ja pra kush është kuptimi i kryqit të besimtarit.  Po e shtjellojmë me hollësi më poshtë.

Cilët janë kryqet e njerëzve

Kryq është varfëria.  Ai që rrojti në shtëpi me deprivime, ku natën prindërit nuk kishin as një copë bukë t’iu jepnin fëmijëve dhe ata binin të flinin me barkun bosh, ai e di shumë mirë se çfarë kryqi është varfëria.

Kryq ëshë sëmundja, e cila e shtrin njeriun në krevat, dhe nuk gjendet ilaç për t’a shëruar dhe asnjë doktor nuk mund t’i bëjë derman, dhe kështu i shtrirë dergjet në krevat dhe rënkon.

Kryq është të mbeturit jetim, të deprivohet fëmija që në moshë të vogël nga prania dhe kujdesi i babës apo nënës dhe të qajë fëmija tek koka e prindit.

Kryq është edhe të mbeturit i/e ve’, të humbë pra gruaja burrin e saj apo burri të humbë gruan e tij dhe të mbeten vetë.

Kryq janë të gjitha dramat familjare – tradhëtia bashkëshortore, rrugarçëritë e fëmijëve, divorcet e çifteve – drama të cilat në kohët tona janë rritur tepër në numur.  Dikur shtëpia dhe familja ishte një parajsë e vogël.  Tani katandisi në ferr.  Kryefamiljari sheh fëmijët e tij, që mezi i rriti, të mos binden (vetëm barkun kanë brenda në shtëpi fëmijët sot, ndërsa zemrën e kanë jashtë shtëpisë); kryefamiljari sheh gruan të mos e dojë dhe t’a tradhëtojë.  Po kështu edhe gruaja si bashkëshorte dhe nënë sheh fëmijët t’a hidhërojnë dhe burrin e saj t’a torturojë dhe në fund t’a braktisë.  Kryq janë të gjitha këto drama.

Kryq është edhe shpifja, gënjeshtra dhe intriga.  Të jesh i pafajshëm dhe të dëgjosh turmën të bërtasë – ashtu siç dëgjuan dhe veshët e Krishtit – “kryqëzohe, kryqëzohe atë” (Lluk.23:21).

Kryq është – akoma më tutje – lufta shpirtërore që bën çdo i Krishterë kundër kënaqësive trupore, kundër botës dhe djallit.

Dhe së fundi, kryq i rëndë është për të gjithë, në momentet e fundit të jetës, vdekja.  Nxehtësisht le t’i lutemi Zotit që të vlerësohemi të themi dhe ne ashtu si kusari “Kujtomë o Zot kur të vish në Mbretërinë Tënde” (Lluk.23:42).

Si do t’a ngrehim kryqin tonë?

Ja pra cilat janë kryqet që secili prej nesh duhet të ngrerë.  Dhe si duhet t’i pranojmë këto kryqe?  Duke u ankuar dhe duke rënkuar? Duke vlasfimuar?  Duke mohuar Krishtin dhe duke gjetur ngushëllim tek magjitë, magjistarët dhe fallxhoret?  Apo duke kryer vetëvrasje?  Jo! Jo!  Kryqi ynë duhet ngritur me trimëri.  Ashtu si Krishti e ngriti kryqin e tij, kështu dhe secili prej nesh duhet të mbartë mbi shpinë kryqin e vet.  Disa kryqe janë të lehtë ndërsa të tjerë janë të mëdhenj dhe tepër të rëndë, por asnjë prej këtyre kryqeve nuk mund të arrijë lartësinë, madhështinë dhe rëndësinë e kryqit që ngriti Krishti.  Përpara të gjithë neve ec përprara dhe n’a udhëheq Kryqi i Zotit.  Pas tij vijnë mijëra kryqe të tjerë.  Dhe gjunjëzohen të kryqëzuarit e vegjël përpara të Kryqëzuarit të Madh duke thënë “Gëzohu o Mbreti ynë!”.

Detyrimi ynë ndaj Kryqit të Krishtit është i dyfishtë.  Së pari, të mos dëgjohet nga buzët e askujt as edhe ofendimi më i vogël, as edhe sharja më e vogël ndaj Kryqit; askush të mos vlasfimojë ndaj Kryqit!  Përkundrazi, të ndjejmë mirënjohje të thellë ndaj të Kryqëzuarit, të lotojmë përpara ikonës së Shpëtimtarit tonë, dhe në mënyrë të veçantë të përpiqemi të ecim në jetë sipas idealit të Kryqit, i cili është simboli më i lartë në botë.

T’a bëjmë shënjën e Kryqit ashtu siç duhet

Detyrimi i dytë është të bëjmë kryqin ashtu siç duhet.  Nga kjo dallohet i Krishteri Orthodhoks.  Hiliastët (dëshmimtarët e Jahovait) e urrejnë kryqin, dhe kryq nuk bëjnë.  Diku në një qytet, disa fëmijë gdhëndën natën tek porta e një hiliasti shënjën e kryqit.  Në mëngjes hiliasti u tërbua nga inati kur pa kryqin.  U përpoq t’a fshinte por nuk mundi, dhe më në fund e shkuli portën nga vëndi dhe e dogji!  Kaq shumë urrejtje kanë ndaj kryqit.  Por ne të Krishterët Orthodhoksë le të mos kemi turp të bëjmë kryqin tonë.  Krishti nuk u turpërua kur u ngjit lart në kryq lakuriq ashtu siç kishte dalë nga barku i shënjtë i së Tërëshënjtës Hyjlindëse Mari, ndërsa ne fatkeqësisht kemi turp të bëjmë kryqin.  Ose kur e bëjnë disa, e bëjnë sikur i bien mandolinës.  Akoma dhe zyrtarët e lartë kanë turp të bëjnë kryqin.  Kjo nuk është tjetër veçse tradhëti!

Kush është domethënia e Kryqit?

Bëhe shënjën e kryqit ashtu siç duhet dhe siç i ka hije të Krishterit Orthodhoks.  E kam theksuar këtë gjë me mijëra herë dhe nuk do të pushoj së thëni.  Kryqi bëhet duke bashkuar tre gishtat e dorës.  Që këtu duket menjëherë se cilit besim i përket – duket menjëherë që beson tek Trinia e Shënjtë – Ati, Biri dhe Shpirti i Shënjtë – o Trini e Tërëshënjtë mëshiroe botën dhe mua mëkatarin!  Më pas i ngre të tre gishtat e bashkuar tek kryet tënd, duke i vendosur tek balli.  Ç’do të thotë kjo? Ashtu si shqiponja zbret prej lartësive të mëdha dhe ulet mbi një shkëmb, kështu dhe Krishti nga lartësitë e qiellit zbriti këtu mbi tokë dhe u bë njeri.  Për këtë arësye në vazhdim e ulim dorën tek barku.  O Krisht, i themi, të falenderojmë që le qiellin dhe erdhe për ne këtu poshtë në tokë duke u mishëruar prej gjakut të shënjtë të Hyjlindëses.  Më pas e sjellim dorën tek supi i djathtë – me këtë veprim kujtojmë me mirënjohje kusarin i cili prej kryqit të tij tha “Kujtomë o Zot kur të vish në mbretërinë tënde” (Lluk.23:42).  Dhe në fund, duke e sjellë dorën tek supi i majtë themi: O Krisht, mos më hidh me dhitë në ferr.  Këto janë domethëniet që përmban kryqi, të cilat edhe i Krishteri më analfabet mund t’i kuptojë dhe t’a bëjë shënjën e kryqit me ndjenjë të thellë.

O vëllezër, le t’a duam me gjithë shpirt kryqin tonë.  Ashtu si Krishti ynë nëpërmjet Kryqit arriti në Ngjallje, kështu dhe ne duke mbartur mbi shpinë kryqin tonë do të kemi shpresë të hyjmë në mbretërinë e tij. Amin.

 

+Episkop Avgustini

Predikim gojor i mbajtur në Kishën e Shën Pandelimonit

në Follorinë më 21 Mars, 1982

Përktheu nga Greqishtja,

përulësisht dhe me dashuri më Krishtin

Aleksander P. Filip

E Dielae III-të e Kreshmëve 

Falja e Kryqit të Nderuar

22 Mars, 2009

Me dashuri dhe respekt të thellë ia përkushtoj autorit Gjerond Avgustinit…

Paçim uratat dhe bekimet e tua Hirësi…

Bëj kryqin përpara se të fillosh punën

Çdo mëngjes njerëzit marrin rrugën për në punë.  Bujqërit drejtohen për tek tokat e tyre, pronarët drejt pronave të tyre.  Nëpunësit drejt zyrave të tyre, arsimtarët drejt shkollave të tyre, nxënësit dhe studentët drejt klasave të tyre dhe secili prej nesh drejt punëve tona. “Lind dielli… Njeriu del në punën e tij dhe në mundim të tij deri në mbrëmje” (Psallm 103:22-23).

Lindi dielli pra dhe njeriu del nga shtëpia e tij dhe shkon në punë ku do të mundohet deri në mbrëmje – n’a thotë profeti mbret David.

Që në mëngjes pra, gjatë ditëve të javës, fillojmë punën tonë, punën e lodhshme por edhe të ndershme e cila n’a siguron bukën e përditëshme si dhe nevojat e tjera materiale të familjes, siguron gjithashtu edhe të ardhmen e fëmijëve tanë.  Por si duhet t’a fillojmë ditën që nga momenti kur dalim nga shtëpia për të shkuar në punë?   Të bëjmë lutjen çdo mëngjes me besim dhe të thërresim emrin e Zotit për ndihmë dhe bekim.  Të bëjmë kryqin përpara se të fillojmë punën që të n’a falë i Tërëmiri Zot fuqi, ndriçim dhe urtësi, si dhe rezultate të mira dhe prodhimtari të mbarë në punën që bëjmë.  Të bëjmë kryqin që të kapërcejmë çdo pengesë, që të largojmë çdo sulm të të Ligut, por edhe që të përballojmë çdo vështirësi që n’a shkaktojnë bashkëpunëtorët apo kolegët tanë me mangësitë dhe dobitë e tyre, apo dhe me sjelljen e tyre të keqe.  Vetë ne, dhe pa Hirin e Perëndisë nuk mund as t’i nisim dhe as t’i bitisim punët tona.

Gojëarti i Shënjtë, Joan Hrisostomi n’a nxit duke thënë: përpara se të shkelësh pragun e portës për të dalë përjashta thuaj “të mohoj ty o Satana’ dhe gjithë ushtëritë e tua dhe adhurimin tënd, dhe bashkohem me Ty o Krisht Perëndi”, dhe kurrë mos dil nga porta pa thënë këto fjalë. Dhe pasi të thuash këto fjalë bëj shënjën e kryqit.  Dhe kështu nuk do të mund të të dëmtojë askush, as njeriu që do të ndeshësh kur të dalësh nga shtëpia, i cili mund të të kundërvihet me mënyra të ndryshme, as edhe vetë Satanai sepse do t’a shohë që je i armatosur shpirtërisht nga koka deri në këmbë, me armë të plotfuqishme dhe fitimprurëse.

Por edhe Shën Qirilli i Jerusalemit i nxitte të Krishterët të bënin shënjën e Kryqit sa herë që fillonin një punë.  Ashtu siç shënon edhe në Mësimet e tij të Katekizmit – në mësimin Nr. 4 – iu thoshte të Krishterëve: të mos kemi turp për Kryqin e Krishtit.  Nëse tjetri fshihet nga sytë e njerëzve kur bën kryqin, ti besimtar i fortë t’a bësh kryqin përpara të gjithëve, që kështu demonët pasi të shohin Kryqin, këtë shënjë të plotfuqishme të Mbretit dhe Zotit tonë Jisu Krisht të largohen duke u dridhur nga frika.

Këtë traditë të shënjtë e mbajnë deri më sot shumë të Krishterë.  Çdo mëngjes përpara se të nisen për në punë bëjnë kryqin.  Dhe nëse rruga për në punë kalon nga ndonjë Kishë, hyjnë brenda në Kishë me devocion, bëjnë kryqin, ndezin nga një qiri dhe luten me besë, qoftë edhe për disa minuta vetëm.  Më pas, me Hirin e Perëndisë nisen për në vendet e tyre të punës.  Në shumë Kisha përsëritet çdo mëngjes kjo skenë madhështore dhe tepër prekëse, e cila jep dëshmi duke thënë “nuk u prish dynjaja akoma”.  Ka akoma shpirte që besojnë.  Ka akoma, edhe në këto kohët tona të këqia, njerëz me frikë Perëndie, të bekuarit e Perëndisë.

Përveç këtyre vihen re dhe plot studentë dhe nxënës shkollash, vajza dhe djem, që shkojnë në Kishat e enorisë së tyre, dhe puthin ikonat e Shënjta të Krishtit, të Hyjlindëses së Tërëshënjtë dhe të Shënjtorëve me devocion duke bërë kryqin.  Gjithashtu vemë re edhe shoferët e makinave përpara se të kapin timonin me dorë të bëjnë shënjën e Kryqit dhe pastaj të nisen për rrugë.  Kemi edhe plot doktorë e kirurgë besëtarë të cilët përpara se të hyjnë në sallën e operacionit bëjnë kryqin duke thirur për ndihmë dhe ndriçim së lartazi Doktorin e Madh të shpirteve dhe trupeve tona, Zotin tonë Jisu Krisht.  Duke vepruar kështu besojnë se çdo gjë do të shkojë mbarë dhe i sëmuri do të hyjë drejt udhës së shërimit.

Këtë zakon dhe traditë të shënjtë le t’a mbajmë të gjithë ne në jetën tonë.  Përpara se të dalim nga shtëpia, përpara se të nisemi për në punë le të bëjmë shënjën e Kryqit.  Le t’ua mësojmë këtë traditë edhe fëmijëve tanë.  Dhe me këtë traditë le të rrojmë deri në fund të jetës sonë.  Dhe kur të bëjmë kryqin për herë të fundit në jetën tonë t’a dorëzojmë shpirtin në duart e Perëndisë.  Kështu u bëftë! Amin!

 Shkëputur nga botimet «ΣΩΤΗΡ»

Shtator 2002

 Përktheu nga Greqishtja,

përulësisht dhe me dashuri më Krishtin,

Aleksandër Filip

Shpirt dhe Krisht ju Duhet