Apostulli i të Djelës
1Kor.3:9-17
9 Sepse ne jemi bashkëpunëtorë të Perëndisë; ju jeni ara e Perëndisë, ndërtesa e Perëndisë.
10 Unë sipas hirit të Perëndisë që m’u dha, si kryemjeshtër i ditur hodha themel; e një tjetër ndërton mbi të; po gjithsecili le të shikojë si ndërton mbi të.
11 Sepse askush nuk mund të vërë tjetër themel, përveç atij që është vënë, i cili është Jisu Krishti.
12 Edhe në ndërtoftë ndonjë mbi këtë themel me ar, argjend, gurë të çmueshëm, dru, bar, kallam,
13 puna e gjithsecilit do të shfaqet; sepse dita do ta tregojë; sepse me anë të zjarrit zbulohet; edhe zjarri do të provojë cila është puna e secilit.
14 Nëse mbetet puna e ndonjërit që ndërtoi, do të marrë pagë;
15 nëse digjet puna e ndonjërit, do t’i bëhet dëm, por ai vetë do të shpëtojë, porsi nëpërmjet zjarrit.
16 Nuk e dini se jeni tempull Perëndie, edhe Fryma e Shenjtë rri ndër ju?
17 Në prishtë ndonjëri tempullin e Perëndisë, këtë do ta prishë Perëndia; sepse tempulli i Perëndisë, i cili jeni ju, është i shenjtë.
Marrë nga Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë


