Tregim i çuditëshëm
Tregim i çuditëshëm nga udhëtimi i apostull Thomait në Indi
Apostull Thomai u shit, me lejen e Zotit, tek tregëtari Amvan si shërbëtor dhe si mjeshtër i përsosur. Amvani e pruri në Indi dhe ja paraqiti Mbretit si arkitekt të përsosur dhe mjeshtër ndërtimi. Mbreti e pranoi dhe i ofroi shumë pare që t’i ndërtojë pallate të reja. Apostulli i Krishtit sa mori paret ja u ndau të varfërve që kishin nevojë për to.
Pas pak kohe Mbreti dërgoi obortarët e tij që të shikojnë se si shkojnë ndërtimet e reja. Kur vajtën atje panë se nuk kish filluar as themelet dhe morën vesh se edhe paret që i dha mbreti ua kish ndarë të varfërve. U kthyen tek Mbreti dhe i raportuan për këto që panë dhe mësuan. Ai, i zemëruar, dha urdhër ta lidhin duar e këmbë dhe t’ja sjellin përpara tij. Kur e prunë i tha:
-Ma ndërtove pallatin?
-Po, iu përgjegj i qetë Apostulli dhe bile doli shumë i bukur.
-Eja të shkojmë ta shikoj edhe unë – i tha Mbreti.
* Nuk mund ta shikosh, Mbret, këtë pallat mbretëror në këtë jetë. Pas ikjes tënde nga kjo jetë do ta shikosh dhe do të të kënaqet shpirti.
Këto fjalë të shërbëtorit të vërtetë të Perëndisë, mbreti Gundafori (ky ishte emri i tij) i konsideroi si tallje. Dhe meqënëse mësoi se ky njeri është i varfër dhe nuk e ka mundësinë që t’ia kthejë paret që i dha, mendoi se vetem vdekja e tij do qetësojë në një farë mënyre zemërimin e tij. Prandaj dha urdhër që ta rrjepin të gjallë dhe pastaj ta hedhin në zjarr që të digjet.
Mirëpo i Tërëfuqishmi Perëndia mendoi ndryshe. Vëllai i mbretit u zemërua më shumë kundër Apostullit dhe i bënte presion mbretit që ta dënonte sa më rëndë. Mirëpo, befasisht vëllai i mbretit vdiq dhe ekzekutimi i Apostullit u anullua tani për tani se të gjithë merreshin me përgatitjet për varimin e vëllait të mbretit.
Por, Perëndia që nuk do vdekjen e mëkatarit, bëri këtu një çudi të madhe. Sa vdiq Gadi, ky ishte emri i vëllait të mbretit, shpirtin e tij e morën engjëjt për t’i treguar banesat e përjetëshme të njerëzve të drejtë në qiell. Shpirti i Gadit u mbush me habi nga bukuria dhe mirësia e jetës qiellore, dhe u lutej shoqëruesve të tij, ta lenë atje përgjithmonë, të banojë në një nga ato dhomat e vogla të atij pallati që shikonte përpara tij. Mirëpo ëngjëjt nuk e pranonin kërkesën e tij dhe i thoshin se ky pallat që shikon i përket vëllait të tij, Gundaforit, dhe e ndërtoi një i huaj që quhej Thoma.
Sa dëgjoi këto Gadi filloi t’ u lutet engjejve që ta lejojnë të kthehet përsëri në botë për të blerë këtë pallat të shkëlqyer nga vëllai i tij.
Me dëshirën e Perëndisë shpirti i Gadit u kthye përsëri në trupin e tij, që të shpëtojë Apostulli nga vdekja dhe shumë njerëz të tjerë të shpëtojnë nga çudia e ngjalljes së Gadit.
Ndërsa njerëzit e tij pregatiteshin për të varosur Gadin, befasisht trupi i Gadit filloi frymëmarjen. Të gjithë u çuditën dhe thirrën mbretin. Kur erdhi mbreti Gadi i tha:
-Nëqoftë se më do, vëllai im, dua të më shesësh atë pallat të bukur që të ndërtoi Thomai në qiell.
Duke dëgjuar këto fjalë, mbreti u ndriçua prej Shpirtit të Shenjtë dhe kuptoi se Thomai është Apostull i vërtetë i Perëndisë dhe i ndriçuar në shpirt. Prandaj i tha vëllait të tij:
-Vëllai im, nuk mund të të shes këtë pallat, se aritja e tij nuk bëhet kollaj. Preferoj më mirë të të rekomandoj mjeshtrin e tij, i cili është akoma gjallë, edhe ai do ndërtojë një pallat tjetër për ty të ngjajshëm me këtë.
Menjëherë dha urdhër ta lirojnë dhe t’ja sjellin Thomanë atje përpara tij. Kur erdhi Thomai ata ranë të dy në gjunjë në këmbët e Thomait, duke i kërkuar falje, sepse nga padija e bënë të keqën në dëm të tij, dhe iu lutën të predikojë në atdheun e tyre Perëndinë e vërtetë që adhuron dhe doktrinën e Tij, në mënyrë që gjithë njerëzit të kënaqen me të mirat e përjetëshme dhe të pakonsumueshme, të cilat u bë i denjë të shikojë Gadi.
Thomai i dëgjoi të gjitha këto i çuditur, dhe falënderoi nga thellësia e zemrës së tij Perëndinë për çuditë, dhe Kujdesin e Tij Hyjnor. Menjëherë i filloi tu predikoj dhe i pagëzoi të gjithë këta, dhe përveç këtyre edhe turma të tjera të panumërta Indianësh, në emër të Atit, Birit dhe Shpirtit të Shenjtë
Botuar nga “Kosherja ortodokse”