/ Predikime-Katekizma- Artikuj / Protestantët Mbi Traditën e Shenjtë vazdim 2

Protestantët Mbi Traditën e Shenjtë vazdim 2

 Protestantët Mbi Traditën e Shenjtë   vazdim 2

 

Shkrimi i Shenjtë nuk shkruan gjëkundi për të Djelën si ditë pushimi, por vetëm për pushimin e së Shtunës. Protestantët, ashtu si edhe ne, e pranojnë pushimin e së Djelës. Përse? A ështe shkruar gjë në Shkrimin e Shenjtë? Kush e ka caktuar të Djelën si ditë pushimi?

Krishti duke i dërguar nxënësit e Tij nëpër botë, u tha që njerëzit t’i pagëzojnë në Emër të Trinisë së Shenjtë. Ai nuk u përcaktoi detaje se si do të kryejnë pagëzimin. Këtë na e dorëzoi Tradita e

Shejtë, domethënë se si i pagëzuari do të zhytet tri herë në ujë. Në të parën prifti të thotë “Në Emër të Atit”, në të dytën “e të Birit” dhe në të tretën “e të Shpirtit të Shenjtë” Amin.

Shkrimi për unitetin e të Birit me të Atin thotë: “Unë dhe Ati jemi një” (Joan 10,30). Por ky unitet ku konsiston? Te fakti që të dy janë të palindur? Vjen Tradita dhe me anë të Sinodit të Parë Ekumenik na ka shpjeguar se ky unitet konsiston në qënien e Personave. Bile na dha edhe termin “I njëqënshëm”.

Vetë Protestantët nëpër mbledhjet dhe fjalimet e tyre kryejnë gjëra të ndryshme që janë të panjohura në Shkrimin e Shenjtë. Ata përdorin tekste himnesh dhe lutje që nuk përfshihen në Shkrimin. Gjatë kohës kur ata luten, mbyllin sytë, duart i mbajnë në një pozicion të caktuar, përdorin Shkrimin të interpretuar, ndërsa thonë që duhet lexuar Shkrimi nga teksti origjinal.

Dëshmitë e Shkrimit të Shenjtë për ekzistencën e Traditës së Shenjtë janë të shumta. Po përmedim disa: “Ka edhe shumë gjëra të tjera që bëri Jesui, po të shkruheshin të gjitha ato, një nga një, mendoj se bota do të ishte e vogël në krahasim me vendin që ato do të zinin” (Joan. 21,25). Gjithashtu: (Joan. 20,30 dhe Letra e Dytë e Joanit 12, dhe Letra e tretë e Joanit 13-14). Ato që kanë shkruar ungjilloret  nuk përbëjnë një ekspoze sistematike historike e të gjitha fjalëve dhe veprave të Zotit. Por ato janë kujtime ku përmbajnë informata sporadike nga jeta dhe vepra e Tij. Pra, çka nuk është shkruar, përbën Traditën e Kishës sonë.

Në veçanti Apostull Pavli i porosit ngrohtësisht të Krishterët ë tij të mbajnë traditat dhe mësimet që ai u bënte, duke i kërcënuar bile edhe me mallkim. “Kush ju sjell një lajm te mirë ndryshe nga ai qe ju pranuat, u mallkoftë” (Gal. 1,9). Ja, si i nxit ata për Traditën:

  1. l) Prandaj jini të patundur, vëllezër, dhe mbështetuni tek ajo që ju mësuam me gojë ose me letër” (Letra II Selan. 2,15).
  1. 2) Vëllezër, Ju urdhërojmë në emër të Zotit tonë, Jesu Krishtit, t’i shmangeni shoqërisë me çdo bashkëbesimtar që shkon çrregullisht, dhe jo sipas traditës që morrët nga ne” (Letra II Selan. 3,6).
  2. 3) “Ju lavdëroj që më kujtoni gjithnjë dhe u bindeni udhëzimeve që ju transmetova” (Letra I korint. 11,2).
  3. 4) “Çështjet e tjera do t’i rregulloj kur të vij” (L.I Korint. 11,34). ‘
  4. 5) “Unë ju transmetova atë që kam marrë vetë” (L.1 Korint. 15,3).
  5. 6) “Atë që të transmetova, në prani të shumë dëshmitarëve, transmetojua njerëzve besnikë që janë në gjëndje t’ua transmetojnë edhe të tjerëve” (L. II Timot. 2,2). Në këtë fragment duket porosia e Apostullit Pavli që tradita, t’u transmetohet edhe të tjerëve.
  6. 7) “Në çdo qytet ti duhet të emërosh kryetarë të bashkësive, sipas udhëzimeve të mia” (Tit. 1,5).
  7. 8) “Jetoni ashtu siç ju kam mësuar dhe ju kam transmetuar e si keni dëgjuar nga unë dhe ashtu si keni pare në jetën time’* (Filip. 4,9).
  8. 9) “Këto raporte na i lanë ata që ishin dëshmitarë të atyre ngjarjeve dhe ngarkuan me detyrën e shpalljes së lajmit të mirë” (Luk. 1,2).
  9. 10) “Pas vdekjes së tij, ai u ishte shfaqur dhe i kishte bindur në mënyra të ndryshme se ishte gjallë, për dyzet ditë u shfaqej herë pas here dhe u fliste për mbretërinë e Perëndisë” (Vepr. 1,3). Çfarë u thotë Zoti për Mbretërine e Tij për dyzet ditë? Le te përgjigjen Protestantët, të cilët nuk pranojnë asgjë veç atyre që shkruan Shkrimi i Shenjtë.
  10. 11) “Prandaj kini kujdes dhe merreni me mënd se për tre vjet, ditën e natën, shpesh me lot, jam munduar ta mësoj secilin prej jush” (Veprat 20,31). Çfarë u thoshte Pavli për tre vjet? Në cilin libër janë ato të shkruara? Sigurisht, në asnjë. Por ato janë të shkruara në zemrat e të krishterëve, të cilët i dëgjuan dhe ua transmetuan pasardhësve të tyre.

Kur një doktrinë e Traditës është origjinale dhe e qëndrueshme?

  1. 1) Kur nuk vjen në kundërshtim me ndonjë doktrinë tjetër të Traditës Apostolike dhe të Shkrimit të Shenjtë. Nuk është e domosdoshme të përputhet me Shkrimin e Shenjtë, por të mos jetë në kundërshtim.
  2. 2) Kur vjen nga Shpëtimtari ose nga Apostujt e shenjtë me veprimin e drejtpërdejtë të Shpirtit të Shenjtë.
  3. 3) Të ruhet nga Kisha Apostolike dhe të ketë vazhdimësi të pandërprerë deri më sot.
  4. 4) Të njihet e të zbatohet nga e tërë Kisha Ortodokse.
  5. 5) Te përputhet me doktrinën e shumicës së Etërve dhe të autorëve kishtare.5

Kur një traditë nuk i plotëson këto kushte, nuk mund të jetë e vertetë dhe e shenjtë dhe, si pasojë, as e pranueshme për t’u ndjekur.

Kemi edhe dëshmi të Etërve Apostolikë të cilët shkruajnë se Tradita e Shenjtë është e domosdoshme për Kishën. Historjani Eusebio i Qesarisë shkruan se Peshkop i Romës ka qënë Klimi, nxënës i Apostujve, i cili kishte gjithnjë para syve predikimin e Apostujve dhe traditën. Shën Ignati Theofori, në letrat e tij dërguar Efesianëve dhe Filadelfëve, thotë që të Krishterët duhet të jenë të bashkuar, t’u shmangen doktrinave të këqija të heretikëve dhe aty ku është bariu, aty t’i shkojnë pas si delet edhe ata. Shën Irineu (vd. 202 pas Krishtit) dhe Klimi i Aleksandrisë ( vd. më 215 pas Kr.) thonë: “Ata që shpjegojnë Shkrimin pa ndihmën e Traditës kishtare, shkatërrojnë konceptin e së vërtetës”. Shën Epifani (vd. 403 pas Kr.) shkruante: “Duhet të ruhet tradita, sepse nuk është e mundur të gjënden të gjitha në Shkrimin e Senjtë. Apostujt e shenjtë disa i përhapën me fjalën e shkruar, kurse të tjerat me atë gojore”. Shën Grigori i Nysses (394 pas Kr.) shkruante: “Kemi traditën që nis nga Etërit si një trashëgimi me vazhdimësi Apostolike dhe transmetohet me anë të Shenjtorëve”. Kurse Vasili i Madh (379 pas Kr.) në shkrimet e tij na jep këtë dëshmi: “Midis dogmave dhe predikimeve që ruhen nga Kisha, disa i kemi nga doktrina e shkruar, kurse të tjerat i morëm nga Tradita e Apostujve me vazhdimësi të fshehtë gojarisht, dhe këto kanë të njëjtën vlerë me tekstet e shkruara”. Gjithashtu na thotë po ky At: “Në qoftë se braktisim traditat e pashkruara për shkak të zakonit, me justifikimin se ato nuk kanë vlerë të madhe, ne gabojmë në këto probleme të mëdha e të larta duke mohuar Ungjillin”.

Duke përfunduar themi që Burime të Zbulesës Hyjnore janë të dyja së bashku: Shkrimi i Shenjtë dhe Tradita e Shenjtë, të cilat janë të barazvlefshme, ekuivalente. Njëra e interpreton dhe e plotëson tjetrën. Çdo mohim të njërës, na çon në gabime dhe në humbjen e shpëtimit

 

Botuar nga “KOSHERJA ORTODOKSE”

SELANIK

 

Protestantët Mbi Traditën e Shenjtë   vazdim 2