Sëmundja!
Sëmundja ekziston në botë vetëm për shkak të mëkatit. Nuk do të kishte aspak sëmundje as fizike dhe as mendore, nëse njeriu nuk do të kishte mëkatuar. Sipas Krishtit sëmundja është robëri tek djalli (Matheu 8:16, 12:22; Lluka 4:40-41, 13:10-17). Dhe Krishti erdhi “të shkatërronte . . . djallin” (Hebrenjtë 2:14). Me Jisuin ndjesa e mëkateve, shërimi i trupit, shkatërrimi i djallit dhe ngjallja e të vdekurve, janë një dhe i njëjti akt shpëtimi.
Në fakt, ç’është më e lehtë, të thuash: “Mëkatet e tua të janë falur”, apo: “Çohu dhe ec”? Tani, që ta dini se Biri i njeriut ka autoritet në tokë të falë mëkatet, i tha paralitikut: “Çohu, merr vigun tënd dhe shko në shtëpinë tënde’”. Dhe ai u çua dhe shkoi në shtëpinë e vet (Matheu 9:4-7, Marku 2:9-12, Lluka 5:23-25).
Dhe në atë orë Jisui shëroi shumë veta nga sëmundjet, nga fatkeqësitë dhe nga frymërat e liga, dhe shumë të verbërve ua dhuroi të parit (Lluka 7:21).
Duke bërë këto gjëra Jisui tregoi se Ai është Krishti Mesia, përmbushja e profetëve që sjell në botë Mbretërinë e Perëndisë.
. . . të verbërit fitojnë përsëri të parit, të çalët ecin, lebrozët po pastrohen, të shurdhërit po dëgjojnë, të vdekurit po ringjallen, dhe Ungjilli u shpallet të varfërve. I lumi ai që nuk do të skandalizohet prej meje (Lluka 7:22-23, kr. Isaia 29:18-19, 35:5-6, 61:1; Matheu 4:23-24, 11:4-6)!
Kur një çlirohet nga mëkati dhe e keqja, ai çlirohet, gjithashtu, nga sëmundja dhe vdekja. Në Mbretërinë e Perëndisë nuk do të ketë “as sëmundje, as dhimbje e psherëtim, por jetë të përjetshme” (Shërbesa e Varrimit).
Kur dikush vizitohet nga sëmundja në këtë botë, qoftë trupërisht apo mendërisht, ai është një viktimë e djallit dhe “mëkatit të botës” (Joani 1:29). Kjo nuk do të thotë se njerëzit janë domosdoshmërisht të dënuar personalisht me sëmundjet e tyre. Por do të thotë, si në rastin e atyre që kanë lindur me dobësi dhe fëmijëve që janë të sëmurë, se ku mëkati është me bollëk, sëmundjet janë, gjithashtu me bollëk. Është mësimi i Kishës se ata që janë viktimizuar nga sëmundja pafajshmërisht, si fëmijët e vegjel dhe njerëzit me prapambetje, do të shpëtohen me siguri në Mbretërinë e Perëndisë.
Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë