/ Jetë Shenjtorësh dhe Asketësh / SHËN ANGJELINA, BIJA E GJERGJ ARANITIT

SHËN ANGJELINA, BIJA E GJERGJ ARANITIT

SHËN ANGJELINA,   BIJA E GJERGJ ARANITIT

 

Angjelina ishte e bija e princit të famshëm shqiptar Gjergj Arianiti dhe e motra e Donikës, gruas së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit. Princërit shqiptarë të mesjetës shquheshin edhe për lidhjet e tyre me kishat dhe manastiret. Të gjithë e dinë përkushtimin e familjes Kastrioti për manastirin e Hilandarit në Malin Athos. Po në atë manastir jetoi si murg orthodhoks vëllai i madh i Skëndërbeut, Reposhi.

Familja e Arianitëve, që zotëronte territore të mëdha të Shqipërisë së Jugut, ishte një nga familjet më të dëgjuara ballkanase të Mesjetës. Ndaj, Gjergj Arianiti, një princ i shquar, që ishte një nga të parët që kishte mundur turqit, bëri krushqi me princërit më të dëgjuar orthodhoksë të kohës. Donika u martua me Gjergj Kastriotin, Angjelina, vajza tjetër, u martua me despotin e Serbisë, Stefanin, krushqi e miratuar edhe nga princërit e tjerë shqiptarë.

Angjelina u shqua që në fëmijëri për butësinë, mirësinë e zemërdhembshurinë e madhe që kishte ndaj të varfërve e nevojtarëve. Gjithmonë kishte dashur të tërhiqej e të bënte një jetë të për-kushtuar vetëm Zotit. I pëlqente vetmia dhe vizitonte shpesh kisha e manastire. Në atë kohë, Shqipëria ishte mbushur tërë kisha e manastire, ku jetonin qindra mësues të mëdhenj shpirtërorë. Thuhet se vetëm Kruja kishte pasur 365 kisha, të cilat u prishën nga pushtimi barbar osman. Ndoshta, një kujtim i këtyre kishave është thënia popullore në Krujë, që ky qytet ka 366 vende të mira. Ashtu ishte dhe malësia e Tiranës, e cila kishte kisha katedrale të panumërta, si katedralja e Shën Stefanit në Kllojkë etj.
Shumë qytete të Shqipërisë, tashmë të zhdukura, ishin të famshme për jetën fetare. Numrin 365 kisha në një qytet e gjejmë edhe në qytetet e tjera të Shqipërisë, gjë që tregon se sa i zhvilluar ishte Krishterimi në këtë pjesë të Ballkanit, dhe se çfarë dëmi të madh i solli pushtimi turk kombit tonë.

Përveç shkatërrimeve materiale, u shkatërrua edhe pasuria e madhe shpirtërore, e mbledhur ndër shekuj. U dogjën kronika e libra të pazëvendësueshëm për historinë e popullit tonë, u rrënuan mijëra kisha e manastire dhe, për më tepër, humbi identiteti dhe ideali për të cilin luftoi edhe princi më i famshëm i popullit shqiptar në Mesjetë, Gjergj Kastrioti. Por le të kthehemi përsëri te shenjtorja jonë.
Edhe pasi u martua me despotin e Serbisë, Angjelina bënte të njëjtën jetë, si më parë. Ndonëse princeshë, ishte e përulur dhe e dashur me njerëzit e thjeshtë. Pushtimi turk e detyroi Stefan Brankoviçin, të birin e Gjergj Brankoviçit, dhe të shoqen, Angjelinën, të merrnin rrugën e mërgimit.

Fillimisht ata erdhën në Shqipëri, pastaj shkuan në Itali. Edhe në mërgim, Angjelina jetonte me devotshmëri e me frikë Perëndie. I rriti dhe i edukoi dy djemtë e saj, Joanin dhe Maksimin, me një frymë të vërtetë të krishterë. Pas ndarjes nga jeta të të shoqit, Stefanit, ajo u bë murgeshë dhe iu përkushtua lutjeve, ndihmave për të varfrit dhe ndërtimit e restaurimit të kishave dhe manastireve. Një grua besnike, një nënë e mirë dhe një e krishterë e përsosur, ajo e meritoi emrin që i dha populli “Nënë Angjelina”.

Në vitin 1476, djali i saj, Joani, i rritur në Venedik, u bë përsëri despot i Serbisë. Sipas shembullit të nënës së tij, edhe ai iu përkushtua ndihmesës së kishave. Ndihmoi manastiret në Malin Athos, në Shqipëri, Dalmaci e Banat. Joani ishte despoti i fundit i Serbisë dhe është kanonizuar nga Kisha Orthodhokse.

Mbas vdekjes së të birit, Angjelina shkoi në manastirin e Krushedolit, të cilin ajo vetë e kishte themeluar. Atje jetoi në përkushtim të plotë, me lutje, agjërim dhe ngritje shpirtërore të vazhdueshme. Fjeti në paqe në fillim të shek. XVI dhe u bashkua me Stefanin e drejtë dhe me dy bijtë e saj të devotshëm. Lipsanet e saj mrekullibërëse ruhen pranë lipsaneve të të shoqit dhe të të dy djemve, në manastirin e Krushedolit, ku ndërroi jetë. Lipsanet janë dëmtuar nga turqit.
Kisha Orthodhokse e nderon kujtimin e saj më 30 korrik.

 

Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë.

Nga Hirësi Joan Pelushi
Botuar në gazetën “Ngjallja”, nëntor 1994

 

SHËN ANGJELINA, BIJA E GJERGJ ARANITIT